Posterat antiSoros në të gjithë Hungarinë

Qeveria hungareze ka vendosur të mbyllë fushatën me postera që përdor imazhin e George Sorosit për të shpërndarë mesazhe kundër emigracionit. Fushata kishte ngjallur mjaft debate në vend. Qeveria pretendon se fushata kishte si qëllim të hapte një “konsultim kombëtar” mbi çështjet e ndikimit të huaj dhe emigracionit masiv. Por analistët e kanë parë atë si burim për ndarje të forta në shoqërinë hungareze.
Zëdhënësi i qeverisë hungareze tha se këtë të shtunë do t’i jepet fund një fushate reklamash kundër emigrantëve të ndërmarrë prej qeverisë hungareze duke përdorur imazhin e financierit amerikan George Soros.
Në postera dhe në reklamat në shtyp George Soros, një kritik i zëshëm i qeverisë së krahut të djathtë të kryeministrit Viktor Orban, shfaqet i qeshur me titullin: “Mos e lini Sorosin të qeshë i fundit”.
Disa prej posterave janë dëmtuar me grafite ku shkruhet “çifut i ndyrë”.
Federata e hebrejve hungarezë i ka kërkuar kryeministrit Orban të ndërpresë fushatën, që siç tha edhe një zëdhënës i Sorosit të kujton “kohët e errëta të Evropës”.
“Kjo fushatë nxit ndjenja antisemitike. E patëm thënë këtë në fillim të saj, një vit e gjysmë më parë. Fatkeqësisht kishim të drejtë, ajo ndezi gjakrat në rrugë”, thotë Andras Heisler kryetar i federatës.
Një aktiviste e të drejtave të njeriut e përshkruan kështu këtë fushatë.
“E kam përjetuar në të përditshmen time që shumë njerëz e kanë rastin Soros të mbërthyer në mendjen e tyre dhe ideja është që ne duhet të urrejmë të gjithë”, thotë Judit Dallos.
Por qeveria e kryeministrit Orban e ka mohuar fuqimisht që fushata me postera ka një sfond antisemitik.
“Një poster i mirë, tërheq vëmendjen për disa rreziqe. Rreziku nuk është George Sorosi në vetvete, por ajo që ai përfaqëson në rastin e emigracionit. Problemi ynë me George Sorosin nuk është se ai është me origjinë hebraike, e dënoj në mënyrë kategorike dhe refuzoj të pranoj që qeveria ka patur këtë qëllim”, tha shefi i kabinetit të kryeministrit Janos Lazar.
Ndërkohë Peter Kreko analizon pasojat e mundshme të fushatës në shoqërinë hungareze.
“George Soros ka shumë kritikë ideologjikë në Shtetet e Bashkuara në gjirin e republikanëve, në Britaninë e Madhe mes grupeve konservatore, madje edhe në Izrael në qeverinë aktuale. Ndaj mendoj se problemi me këtë fushatë nuk është toni antisemitik. Mendoj se qeveria hungareze ka marrëdhënie mjaft të mira me bashkësitë hebraike në Hungari. Problemi i madh që unë mendoj është se ajo mund të shkaktojë një ndarje edhe më të fortë në shoqërinë civile hungareze”, thotë Peter Kreko, analist i institutit Political Capical.
George Soros, një hebre i lindur në Hungari, i cili ka shpenzuar një pjesë të madhe të pasurisë së tij për financimin e demokracisë dhe grupeve të të drejtave të njeriut, është vënë në shënjestër në mënyrë të përsëritur nga qeveria e krahut të djathtë të Hungarisë, veçanërisht për mbështetjen që ai i jep një politike të hapur për emigracionin.

Artikulli paraprakLula, heroi tragjik i Brazilit
Artikulli tjetërTrump kërkon rinegocim për klimën