Port apo resort në Karpen, si po grabiten 1700 hektarë?

Armand MAHO

Rreth Karpenit kishte kohë që shtrihej hija e korrupsionit… Në mendjen e tij Kavaja dhe bregdeti i saj ishte ngjizur fort që pa u bërë kryeministër. Jo më kot në krye të saj kandidoi një njeri të hurit e të litarit, por mjaft besnik ndaj urdhrave të tij. Me ardhjen në pushtet të Edi Ramës, një grup pune i ngritur me urdhër të tij do të identifikonte tokat e lira, kryesisht në zonat bregdetare. Tregu i agjencive imobiliare ndërkombëtare e sidomos atyre të oligarkëve rusë që i përdor për të pastruar paratë e krimit është i etur për to. Investimet miliona euroshe në ndërtimin e resorteve turistike shërbejnë jo vetëm për pastrimin e parave, por shndërrohen në makineri parash. Deri më 2015, fshati Karpen përfshihej në territorin e Bashkisë Golem dhe duket se kjo ka qenë një pengesë për Edi Ramën, që kish menduar diçka tjetër për tokat e pafundme në mesin e vijës bregdetare të Shqipërisë, ku përfshihet dhe Qerreti. Karpeni, ndodhet pak kilometra larg Kavajës dhe deri më tani aty është ruajtur një natyrë e virgjër. Për shkak të mungesës së infrastrukturës ndërtimet janë të pakta, kjo ka bërë që dhe çmimi mos i kalojë 25 euro për metër katrorë. Popullsia është varfër dhe merret kryesisht me bujqësi dhe peshkim. Disa e kanë trashëguar tokën, të tjerët e kanë përfituar me Ligjin 7501. Koha rrjedh e qetë dhe përqark nuk ndodh asgjë, as në dimër e as në verë. Natyra është treguar zemërgjerë, duke i falur një bregdet të rrafshtë, ku diku tutje drejt jugut ngrejnë kokë disa kodra të buta.

Shpjegimi absurd

Në korrik të këtij viti, ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi do të prezantonte në Kuvendin e Shqipërisë një projekt ku në zonën e Karpenit do të ndërtohej një port i madh, i cili do të zinte një sipërfaqe prej rreth 1700 hektarë tokë. Vlera e këtij porti cilësohet në më shumë se 8 miliardë dollarë, një investim që sipas Ekonomit do të kryhej nga një kompani angleze me emrin “Star Bridge Port Developments Limited”. Vetë ministrja nuk diti të shpjegonte se përse duhej ky investim kaq i madh në Karpen të Kavajës, por dha një shpjegim absurd në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese: “Ata kanë sjellë propozimin për të ndërtuar një port në Karpen, sepse e shikojnë si një pozicion strategjik, një pozicion që mund ta lidhë me Roterdamin, që mund ta lidhë me Kanalin e Suezit dhe për këtë kanë bërë hartat dhe i kanë propozuar në projektin e parafizibilitetit”. Por dhe vetë deputetët e majtë si Namik Dokle asokohe u shfaqën skeptikë. Dhe me të drejtë. Kur mjaftonte një zgjerim i Portit të Durrësit me infrastrukturë të ngritur, që lidhet me rrugë dhe me hekurudhë përse duhet që të ngrihet nga fillimi një port i tillë?! Përse Porti i Durrësit, vetëm disa kilometra më tej nuk qenka pikë strategjike për të lidhur Suezin me Roterdamin siç thotë ministrja? Gjërat do të fillonin të qartësoheshin më vonë. Kompania në fjalë u denoncua fillimisht nga portali “Hashtag”, e cila hulumtoi në qendrën e lincencimit të Anglisë dhe rezultonte se kjo kompani me qendër në Taiwan kishte vetëm 1000 paund në bankë. Më tej, Ekonomi u mundua ta justifikonte se kompania ka marrë viston e investimit dhe nga ndërmarrje të tjera të mëdha, për realizimin e projektit “Morgan”.

Dy plane zhvillimi

Toka do të jepet për 99 vjet me koncesion, me çmimin 1 euro për hektar. Pra, 1700 hektarë tokë do të merren nga koncesionari për 1700 euro aq sa është dhe qiraja e një dyqani 100 metra katrorë në Tiranë. Vetëm se këtu bëhet fjalë për 17 milionë metra katrorë, një sipërfaqe e pafundme. Por ka dhe një problem. Për këtë zonë ekziston dhe një plan zhvillimi turistik, i kryer nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit i miratuar që në vitin 2002 dhe bën pjesë në zonat me përparësi turizmi. Projekti përfshin zonat Spille, Karpen, Rreth Greth etj. Madje dhe në lajmërimet që bëjnë fshatarët për shitje tokash në vijën bregdetare në këtë zonë, thuhet pikërisht se toka është e përshtatshme për fshatra turistikë dhe vila dhe me plan urbanistik të miratuar për këtë qëllim. Ja se çfarë thotë një njoftim pikërisht në zonën që do të ngrihet porti: “Shiten 33 dynymë tokë në Kavajë, në plazhin e Karpenit. Toka kufizohet me zonën ranore të bregdetit. Sipas planit urbanistik zona është me projekt dhe ndërtim vila dhe hotele turistike. Toka është e lidhur me rrugë automobilistike. Sipërfaqja 33 000 metra katrorë”. Pra, personi në fjalë shet 3 hektarë tokë, për ndërtim vilash e resortesh pikërisht në vendin e planifikuar për ndërtim porti?! Pra, dhe kjo duhet sqaruar se në këtë rast kemi të bëjmë me dy projekte, i pari që ka të bëjë me ndërtimin e një porti që do të zerë thuajse tërë sipërfaqen e Karpenit dhe tjetri që ka të bëjë me ndërtimin e resorteve turistike në të njëjtin vend?!

Pastrimi i parave

Faktet tregojnë se s’kemi të bëjmë me asnjë ndërtim porti. Rama mund ta ketë projektuar këtë zonë për projektet e veta, ndoshta dhe për t’i bërë dhuratë ndonjë lideri lindor për të cilin ka shprehur afeksion kohët e fundit, por kurrsesi për të ndërtuar një port në këtë vend. Ndoshta po përgatitet dhe një “risistemim” i pronarëve të tokës në këtë vend, pasi siç tha dhe ministrja Ekonomi: “Alternativa e parë është që të negociohet me banorët e zonës dhe ata të sistemohen në godina më të mira sesa ato që kanë aktualisht”. Në rast se Edi Rama kish ndërmend që të ndërtonte port e para duhej të zhbënte planin e parë turistik për zonën, gjë e cila deri më tani nuk ka ndodhur, por e vetmja gjë që diskutohet ka qenë sistemimi i banorëve në banesa të tjera, pra të lenë shtëpi e katandi dhe të zhvendosen atje ku u thotë kryeministri. Por dhe në rast se ta zemë ka vendosur të mbajë të dy projektet, kush do të ishte ai njeri që do të pranonte të bënte plazh ose ndërtonte vilën e tij turistike ose fshatin turistik, ose hotelin po të doni në një plazh ngjitur me portin, hekurudhën, depozitat e naftës e gazit siç thotë ministrja se do e bëjë?! Pra, ajo që po ndodh në Karpen, s’është gjë tjetër vetëm se një skemë e denjë për skenarët e mafies ku qeveri të korruptuara, liderë të korruptuar shfrytëzohen nga këto qarqe për të pastruar paratë, ku dy janë mënyrat kryesore. E para, ka të bëjë me importin  e plehrave dhe e dyta, investimi në resorte turistike ku trojet u rrëmbehen njerëzve për hiçgjë, si në rastin e Karpenit.

Artikulli paraprakRama-Roshi, 3 milionë euro për zhvillimin turistik
Artikulli tjetërKoncesioni sekret me 100 milionë euro