Popullorët europianë thirrje shqiptarëve për të votuar Bashën dhe PD

Popullorët Europianë, grupimi më i madh politik në Bashkimin Europian, u bëjnë thirrje shqiptarëve të votojnë për Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën, kryeministër. Përmes një mesazhi publik, Presidenti i PPE, Josef Daul vlerëson se PD është e vetmja alternativë për shqiptarët që do të sjellë ringritjen e ekonomisë, pasi është e vetmja parti, e cila ka një plan të detajuar për rigjallërimin e situatës ekonomike në vend, krijimin e vendeve të punës dhe investimin në arsimin e lartë dhe kërkimin. Në mesazhin e tij drejtuar shqiptarëve, Daul vlerëson kontributin e Bashës për vite me radhë për të modernizuar vendin, ndërsa shpreh besimin se ai mbetet i përkushtuar për të implementuar të gjitha reformat e nevojshme për të afruar Shqipërinë me vlerat dhe standardet europiane. Në mënyrë të prerë, Presidenti i Popullorëve Europianë ka bërë thirrje për moscenimin e standardeve të zgjedhjeve të 25 qershorit, ndërsa bën të ditur se cenimi i standardeve të zgjedhjeve nuk do të tolerohet. Ai thekson gjithashtu se një Shqipëri demokratike dhe e fortë do të sjellë stabilitet dhe siguri për rajonin e Ballkanit. Daul shpreh bindjen se qeveria e re që do të zgjidhet do të përshpejtojë hapat për themelet e shtetit ligjor, reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe prodhimin e kanabisit. Në fund, ai i shpreh Bashës urimet më të mira për zgjedhjet e së dielës, ndërsa i uron atij fitoren e zgjedhjeve të 25 qershorit. PPE është grupimi më i madh politik në Parlamentin Europian dhe aktualisht përfaqësuesit e saj janë në krye të tri institucioneve kryesore të BE, në Parlamentin Europian, Këshillin Europian dhe Komisionin Europian.

Mesazhi i Presidentit të PPE, Josef Daul

“Zgjedhjet parlamentare këtë të dielë në Shqipëri nuk janë thjesht një zgjedhje mes të djathtës dhe të majtës; janë zgjedhje mes të ardhmes dhe prosperitetit europian për Shqipërinë apo vijimin e stanjacionit dhe pasigurisë.
Partia Demokratike e Shqipërisë përfaqëson jo vetëm një alternativë për ringritjen e ekonomisë, pasi është e vetmja parti, e cila ka një plan të detajuar për rigjallërimin e situatës ekonomike në vend, krijimin e vendeve të punës dhe investimin në arsimin e lartë dhe kërkimin. Parakushti për progresin ekonomik nënkupton që Shqipëria duhet të ecë përpara me Reformën në Drejtësi, të respektojë sundimin e ligjit, të luftojë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të krijojë mundësi reale për qytetarët e saj, veçanërisht për gjeneratën e re.
Basha ka luftuar për vite me radhë për të modernizuar vendin dhe unë besoj se ai mbetet i përkushtuar për të implementuar të gjitha reformat e nevojshme për të afruar Shqipërinë me vlerat dhe standardet europiane. Çdo ndërhyrje apo përpjekje apo synim për të manipuluar rezultatet e zgjedhjeve nuk do të tolerohet. Unë u bëj thirrje autoriteteve shqiptare të respektojnë të gjitha standardet ndërkombëtare për të garantuar që zgjedhjet të jenë të drejta dhe të lira.
Një Shqipëri demokratike dhe e fortë do të sjellë stabilitet dhe siguri për rajonin e Ballkanit. Qeveria e re që do të zgjidhet do të përshpejtojë hapat për themelet e shtetit ligjor, reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe prodhimin e kanabisit. Në fund, unë i uroj Partisë Demokratike shqiptare dhe kreut të PD, Basha suksese në zgjedhjet e së dielës dhe fitoren e zgjedhjeve”.

Artikulli paraprakRusia në zgjedhje nuk ndikoi në rezultat
Artikulli tjetërDeputeti gjerman: Formimi i Qeverisë në Kosovë, i vështirë