Policia nxjerr nga zyra sekretaren e Përgjithshme të ministrisë

Ministri i Drejtësisë, Gazmend Bardhi ka vendosur që të çojë deri në fund vendimin për pezullimin e sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Drejtësisë, kandidaten për deputete të PS-së, Juliana Hoxha. Ajo është ndaluar dje të futet në ambientet e ministrisë. Bardhi i ka komunikuar pezullimin nga detyra Hoxhës, duke i kërkuar që të rikthehet në detyrë vetëm pas datës 26 qershor. Ministria e Drejtësisë ka njoftuar forcat e policisë për nxjerrjen jashtë të Hoxhës. Ndërkohë Bardhi ka pezulluar të gjithë stafin e ministrisë që ka lejuar futjen në ambientet e institucionit të Juliana Hoxhës. Përplasja Bardhi-Hoxhaj ka nisur pas kërkesës së ministrit për të pezulluar numrin dy të Drejtësisë, pasi ajo kandidon për deputete në zgjedhjet e 25 qershorit dhe përfshirjes në fushatën zgjedhore. Ndërkohë, Departamenti i Administratës Publike rrëzoi pezullimin e Bardhit duke argumentuar se ministri ka tejkaluar kompetencat e tij. Nga ana tjetër, ministri teknik i Drejtësisë ka paralajmëruar se nuk do të njohë autoritetin e DAP-it, duke lënë në fuqi pezullimin për sekretaren e Përgjithshme. “Ministri teknik i Drejtësisë, Gazmend Bardhi me anë të një deklarate sqaron arsyet pse sekretares së Përgjithshme të këtij institucioni i është ndaluar hyrja dhe për këtë është thirrur policia. Bardhi sqaron se për sa kohë ajo vijon të jetë e pezulluar nga detyra, nuk do të lejohet të hyjë në Ministrinë e Drejtësisë. Ministria e Drejtësisë rikonfirmon që sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë vijon të jetë ligjërisht i pezulluar nga detyra dhe nuk mund të lejohet të futet në institucion. Urdhri nr. 3817, datë 08.06.2017, i ministrit të Drejtësisë, me anë të së cilit është urdhëruar pezullimi nga detyra i sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë, është në fuqi. Asnjë institucion tjetër shtetëror, përfshirë Departamentin e Administratës Publike apo komisionerin e Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil, nuk ka cenuar vlefshmërinë e aktit të pezullimit të miratuar nga ministri i Drejtësisë, për shkak se autoritetin kushtetues për ta bërë këtë e ka vetëm sistemi gjyqësor në vend. Çdo pretendim tjetër në këtë drejtim është manipulim i opinionit publik dhe tregues i qartë i mungesës së njohurive minimale juridike. Ministria e Drejtësisë gjen edhe një herë rastin të ftojë çdo palë të interesuar dhe që nuk është dakord me aktin e ministrit të Drejtësisë, që t’i drejtohet gjykatës, si organi kompetent, që shqyrton ligjshmërinë e vendimmarrjeve të ministrit të Drejtësisë”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Sipas ministrit të Drejtësisë, “akti i djeshëm i sekretarit të Përgjithshëm të pezulluar nga detyra, për të hyrë në mënyrë të paligjshme dhe me forcë në institucion, është vijim i akteve të paligjshme të ndërmarra gjatë kësaj kohe, si dhe vazhdim i përpjekjeve për të penguar institucionin e Ministrisë së Drejtësisë që të zbatojë ligjin dhe të marrë masat për të mos lejuar përdorimin e institucioneve shtetërore për qëllime politike apo për të shfokusuar punën e titullarëve të institucionit në drejtim të parandalimit të përfshirjes së nëpunësve publikë në veprimtari politike në kundërshtim me ligjin. Ky akt i fortë dëshpërimi dhe paligjshmërie, provon edhe një herë dështimin e depolitizimit të administratës publike, si dhe fatkeqësisht është tregues i qartë i respektit të ulët që zyrtarë të lartë të shërbimit civil kanë ndaj ligjit. Ministria e Drejtësisë fton organin e Prokurorisë të procedojë me seriozitet, shpejtësi dhe efikasitet, kallëzimin penal që kanë depozituar sot Shërbimet e Ruajtjes së Ministrisë së Drejtësisë ndaj znj. Juliana Hoxha, për shkak se hyrja e paautorizuar në një institucion të rëndësisë së veçantë, përbën vepër penale dhe është e dënueshme nga Kodi Penal”.

Artikulli paraprakÇfarë e pret Kosovën pas zgjedhjeve?
Artikulli tjetër400 mijë euro fishekzjarre, asnjë kacidhe fermerëve e pensionistëve