Policia greke jep detajet e kapjes së 1.7 tonë droge nga Shqipëria

Policia greke ka dhënë dje në mesditë detaje mbi dy operacionet e zhvilluara të enjten dhe të premten, ku u sekuestruan 1.7 tonë kanabis dhe 28.8 kg kokainë e futur nga Shqipëria. Në këto dy operacione forcat e policisë greke asgjësuan dy organizata të rëndësishme të trafikut të drogës dhe u vënë në pranga 11 persona, dy prej të cilëve u konfirmua se janë shtetas shqiptarë. Sipas policisë greke, në operacionin e parë janë gjetur dhe sekuestruar 1 ton e 669 kg kanabis dhe 20.095 euro. Droga u gjet në një magazinë në Afidnes, në periferi të Athinës.
Droga ishte magazinuar aty dhe po paketohej me qëllim që të dërgohej në Holandë, Gjermani dhe Belgjikë. Shërbimi antidrogë kishte rënë prej kohësh në gjurmë të disa pjesëtarëve të grupit dhe po i mbante në survejim. Në orët e para të së enjtes, policia ndaloi në dalje të magazinës një maune të transportit ndërkombëtar. Dy drejtuesit e mjetit, shtetas grekë të moshës 50 dhe 62 vjeç u arrestuan. Në brendësi të magazinës u arrestuan tre shtetas të tjerë grekë, mes të cilëve edhe një 46-vjeçar, që sipas policisë ishte përgjegjës për magazinimin dhe paketimin e drogës.
Zëdhënësi i policisë greke nuk ka bërë asnjë referim për dy të arrestuarit e tjerë, në kuadër të këtij operacioni. Shërbimi i antidrogës po vazhdon hetimet mbi lidhjet e mundshme që kjo organizatë ka patur me rrjete të tjerë që aktivizohen në transportin e drogës nga Greqia në Europën Perëndimore. Sa i përket identitetit të të arrestuarve në operacionin e parë, media greke kishte cituar më herët burime të policisë, sipas të cilëve shumica e të arrestuarve ishin shtetas shqiptarë.
Në operacionin e dytë, policia ka arrestuar dy shtetas grekë dhe dy shqiptarë. Dy të parët u arrestuan në Portin e Patras, ku sapo kishin mbërritur nga Italia. Në furgonin e tyre u gjetën 28 kg e 857 gramë kokainë, si dhe 1,5 kg kanabis. Ata kishin me vete dhe një pistoletë dhe 15 fishekë. Në vazhdim të hetimeve, shërbimi antidrogë gjeti dhe arrestoi në afërsi të Korinthit, dy shtetasit shqiptarë, burrë e grua, që do të merrnin drogën në dorëzim. Gjatë kontrollit në banesën e dy shqiptarëve në Athinë, u gjetën edhe mjete që përdoreshin për të përpunuar kokainën, si dhe një shumë prej 4.500 eurosh.

Artikulli paraprakKrimi trondit Tiranën, vritet një grua në Ndroq, të shtëna në Allias
Artikulli tjetërNjë gomone me 650 kg drogë nga Shqipëria kapet në Pulia