Policia e Holandës: Rikthim i vizave nga krimi dhe droga

Policia holandeze përmes një raporti konfidencial ka ngritur alarmin se shtimi i bandave kriminale shqiptare dhe trafikut të drogës mbetet kërcënim për shoqërinë holandeze ndaj dhe ato kërkojnë rikthimin e vizave për shqiptarët. Sipas këtij raporti të zbardhur dje nga ABC News elementët kriminalë shqiptarë janë fuqizuar së tepërmi vitet e fundit në Holandë, dhe për këtë arsye Policia në bashkëpunim me Prokurorinë holandeze ka këshilluar qeverinë për të pezulluar lëvizjen e lirë me Shqipërinë. Përmes këtij raporti përshkruhet një panoramë e krimit të organizuar shqiptar në Holandë.
“Kriminelët shqiptarë shikohen si një kërcënim serioz për shoqërinë holandeze, pasi janë të implikuar në trafikimin dhe shitjen e kokainës dhe kanabisit, trafikimin njerëzor dhe pastrim parash. Roli i kriminelëve shqiptarë po forcohet, dhe ka marrë një rol prominent në Holandë. Ka një mbiprezencë të madhe te shqiptarët në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave. Një tjetër problem janë klandestinët shqiptarë, të cilët përdorin portet holandeze për të ikur ilegalisht në Angli”. Kjo mbështetet dhe nga një burim në Policinë holandeze, që thotë se për momentin trafikantët e drogës dhe ata njerëzorë që përbëhen kryesisht nga shtetas shqiptarë, janë destinuar si rreziku më serioz për rendin publik në Holandë.
Sipas Policisë, në vitet e fundit të paktën 5800 persona janë regjistruar në sistemin policor në lidhje me veprat penale të kryera në territorin e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta. Shqiptarët janë të implikuar kryesisht në trafikun e drogës, trafikimin njerëzor si dhe pastrimin e parave. Një faktor shqetësues i Policisë holandezë është që në Shqipëri është relativisht e lehtë të ndryshosh emrin dhe mbiemrin, gjë që sipas raportit është bërë nga rreth 700.000 persona. Sipas raportit, kjo do të thotë që rreth 1 në 3 shqiptarë ka bërë ndryshime në identitet, gjë që vështirëson punën e Policisë në Holandë. Sipas raportit, përveç ndryshimit të emrit që mund të bëhet në një mënyrë legale në Shqipëri, ka dhe raste ku një person ka mundur të ndryshojë dhe atësinë dhe datëlindjen e tij në pasaportë, diçka që në asnjë vend nuk do të ishte e mundur.
Në raport përshkruhet se nga vëzhgimet e Policisë së Amsterdamit, shumë rrallë shihen shtetas shqiptarë që qëndrojnë si turistë legjitimë në Holandë. Pothuajse të gjithë shqiptarët që qëndrojnë në Holandë janë për shkak të pjesëmarrjes në veprimtari kriminale. Raporti tregon se pas liberalizimit të vizave, puna e kriminelëve shqiptarë në Holandë është lehtësuar. Por, sipas raportit rritja e faktorit të krimit në Holandë është diçka e viteve të fundit dhe qeveria e këtij vendi për këtë arsye duhet të marrë masa konkrete dhe të menjëhershme për të mos lejuar që krimi shqiptar të forcohet dhe stabilizohet struktualisht në Holandë. Për këtë arsye i është kërkuar qeverisë të pezullojë lëvizjen e lirë për shtetasit shqiptarë në zonën Schengen.

Ambasada pranon ekzistencën e raportit të Policisë holandeze

Rritja e krimit të organizuar nga persona me origjinë shqiptare në Holandë, për të cilën shprehet shqetësimi i rikthimit të regjimit të vizave për shqiptarët, ka bërë që policia e këtij shteti të përgatisë një raport konfidencial të cilin do t’ia prezantojë Ministrisë së Drejtësisë holandeze. Ambasada holandeze në Tiranë ka reaguar dje në lidhje me këtë shqetësim, e cila u përgjigj se është në dijeni të artikujve në shtypin holandez për këtë raport, por ende nuk ka asnjë prezantim zyrtar nga Ministria. Pas lajmit të qarkulluar në media se autoritetet holandeze, të shqetësuar nga rritja e kriminalitetit dhe e trafikut të drogës nga shtetasit shqiptarë në shtetin holandez, mediat kontaktuan me Ambasadën holandeze në lidhje me mundësinë e rikthimit të vizave. Në përgjigjen e saj zyrtare, Ambasada holandeze në Tiranë, shprehet se ky raport, i zbuluar pjesërisht në mediat holandeze, ekziston dhe po studiohet nga Ministria e Drejtësisë dhe sigurisë, por ende nuk ka asnjë prezantim zyrtar. “Ne jemi në dijeni të artikujve të shtypit holandez në lidhje me një raport konfidencial nga Policia holandeze për sa i përket zgjerimit të krimit të organizuar nga persona me origjinë shqiptare në Holandë. Ky raport aktualisht po studiohet nga Ministria holandeze e Sigurisë dhe Drejtësisë, ku ende nuk i është prezantuar Ministrisë zyrtarisht”.

Mediat holandeze: Kriminelët shqiptarë me pushtet mbi ushqimin dhe pronat

Mediat holandeze vijojnë të bëjnë publike të dhëna nga raporti i hartuar nga Policia dhe Prokuroria e këtij vendi, ku kërkohet rikthimi i vizave për Shqipërinë për shkak të rritjes së kriminalitetit. Në 18 muajt e fundit, autoritetet holandeze kanë konstatuar një rritje të trafikimit të drogës dhe qenieve njerëzore në Amsterdam nga ana e grupeve kriminale shqiptare. Sipas raportit të siguruar nga ‘De Telegraaf’, numri i shqiptarëve të implikuar në trafikun e drogës është dyfishuar nga viti i kaluar. Por ky nuk është shqetësimi i vetëm i Holandës, pasi këta trafikantë raportohet se kanë marrë në kontroll, nëpërmjet ligjeve vendase, sektorin e ushqimeve dhe pasurive të paluajtshme. Verën e kaluar u arrestuan 60 shqiptarë në Holandë, të cilët jetonin në apartamente luksoze dhe brenda tyre u gjet sasi e konsiderueshme kokaine, heroine dhe kanabisi.

Memorandumi i Policisë dhe Prokurorisë holandeze

Policia dhe Prokuroria në Amsterdam i propozojnë qeverisë rivendosjen e regjimit të vizave për shqiptarët. Përmes një memorandumi të brendshëm, qeverisë i kërkohet të ndërmarrë veprime lidhur me këtë çështje, ka thënë një zëdhënës i Policisë së Amsterdamit, e cila ka konfirmuar memorandumin për “The Telegraap.nl”. Në shkrim thuhet se vitet e fundit, shqiptarët kanë rritur rolin e tyre si aktorë kryesorë të trafikut të drogës, vitet e fundit. Që prej 2016, 36 hetime janë ndërmarrë për të dyshuarit nga Shqipëria. “Zëdhënësi i “olicisë flet për një “përparim të shpejtë” të shqiptarëve në rrethin kriminal holandez. Duke vendosur vizat, Policia dhe drejtësia duan të ndalojnë shqiptarët për “rrënjosjen në shoqërinë holandeze” shkruan “The Telegraap.nl”. Zëdhënësi i Policisë thekson se është politikisht e rëndësishme të merret një vendim. Raporti së shpejti do t’i dorëzohet ministrit të Sigurisë dhe Drejtësisë. Zëdhënësi i Policisë thekson se është politikisht e rëndësishme të merret një vendim.

ABC News

Artikulli paraprakPse Holanda kërkon rikthimin e vizave?
Artikulli tjetër75 milionë euro taksa mbi pagën vetëm në 6 muaj