Polic Njaziu dhe 3 qentë e Stadiumit!

Nga Agim XHAFKA
 
Dje isha në Tiranë. Nga dreka bashkë me gruan dolëm për ecje te fusha e vogël e stadiumit Dinamo. E kemi pranë shtëpisë ndaj u veshëm me tuta. Nga që nuk kishte njeri maskat i futëm në xhep. Diell dhe qetësi. Vetëm deti na mungonte që të ndjeheshim si në Orikum.
 
Por gëzimi ynë qe me pika. U dyndën njëherësh tre qenër. Pandeha se ishin qen rrugësh,po u gabova. Te cepi i fushës tre burra pinin cigare, bënin muhabet dhe ndonjëherë bërtisnin, Loku, Gazi, Lesli.
 
Në fakt qentë rrinin në qendër të fushës,por një çast panë dy qen të tjerë që po vinin dhe u sulën mbi ta me egërsi. Kaluan te këmbët tona. U dhjeva nga frika. Gruaja u zbardh. Pastaj nisi një kacafytje kolektive. Po kafshonin qentë njëri-tjetrin. Qafat e tyre u gjakosën,pronarët i ndërsenin si në garë lufte.
 
Për fat kaloi atje një polic. Sa e thirra erdhi me vrap. Nuk arrita t’i shpjegoj tmerrin se një nga pronarët e përshëndeti:
 
-Si je Njazi!
 
Polici i ngriti dorën dhe serioz më pyeti:
 
-Ti ku e ke maskën?
 
-Në xhep,-i thashë.-Po bëj vrap andaj nuk e vendos.
 
-Hahaha. Bëka vrap mosha jote! Ke gjobë,-më tha.-Ti zonjë ec,-qetësoi gruan.
 
-Dhe ajo një moshë me mua ka,-i thashë.-Veri gjobë.
 
-Ka pasur më parë një moshë me ty.Ta kanë ndërruar më vonë me një të re dhe ti hiç nuk e ke kuptuar,-ma futi Njaziu.
 
Ikëm mes lehjeve dhe një gjobe. Afër shtëpisë foli gruaja:
 
-Kot tallen njerëzit me policët. Ka mes tyre edhe të mençur. Goxha të mençur madje.
 
Artikulli paraprakSulltan Salepi i Surrelit fluturoi deri në Dubai për të bërë vaksinën
Artikulli tjetërBerisha publikon raportin: Edvini dhe Blushi marrin çmimin “Fake News” nga Parlamenti Europian!