Plantancionet e drogës të Tahirit, Shullazit dhe Bushit, si ruhen dhe sa përfitojnë

Kruja është shndërruar në një rezervat gjigant droge si kurrë ndonjëherë në historinë e saj. Zgjedhja në krye të pushtetit lokal e një trafikanti droge dhe prostitutash ka bërë që e gjithë Kruja të mbillet me drogë. Plantacionet e drogës shtrihen që nga ujësjellësi i Bovillës për të vazhduar në të gjithë gjatësinë e saj deri në vargmalet e Krujës. Zonat me intensitet të lartë të mbjelljes së drogës janë në pjesën e Qafë Shtamës. Droga shtrihet më pas në Thumanë, Borizanë, Nikël, Bubq dhe rrethinat e Fushë-Krujës.
Garantët e të gjitha sipërfaqeve të mbjella me drogë janë policia dhe kryetari i Bashkisë, i cili i kontrollon me njerëzit e tij të gjitha parcelat. Për çdo rrënjë drogë, ata që kanë mbjellë duhet t’i paguajnë policisë shumën e 25 eurove për rrënjë. Në rast se ata nuk paguajnë shumën e kërkuar nga policia, atëherë vjen ndërhyrja dhe plantacioni shkatërrohet nga policia. Kjo ka ndodhur në shumë raste në Fushë-Krujë, ku pronarët e plantacioneve të drogës janë ndëshkuar vetëm se ata nuk kanë paguar qiranë tek policia. Sot polici më i rëndomtë në zonën e Krujës dhe Fushë-Krujës llogarit të ketë një përfitim prej 100 mijë eurosh, “taksë” kjo e vendosur nga këta policë. Ky mund të konsiderohet si një sezon i artë për policinë të njehsuar me drogë. Policët nisin kontrollet në terren pikërisht për të kërkuar “taksën” nga kultivuesit e lëndëve narkotike.

Parcelat e Tahirit, Shullazit dhe Bushit

Askush nuk mund të kalojë dot në pjesën e Malësisë të Krujës për shkak se e gjithë zona është në survejim të bandave kriminale të kultivimit të drogës. Zona është kthyer në një rezervat të krimit dhe paraqitet mjaft shqetësuese. Njerëz të armatosur qëndrojnë tek parcelat e drogës duke siguruar produktin përgjatë 24 orëve.
Gazeta ka mundur të sigurojë foto të parcelave të drogës që konsiderohen të paprekshme për shkak se ato janë në pronësi të ministrit të Brendshëm, Tahiri, kryetarit të Bashkisë së Krujës, Bushi dhe Shullazit. Kjo treshe ka në pronësi pjesën më të madhe të plantacioneve të drogës në Malësinë e Krujës.
Parcela që mund të shihet në foto është ajo e 30 dynymëve në fshatin Cudhi-Zallë të Krujës. Kjo është në pronësi direkte të Shullazit dhe të Bushit. Askush nuk i prek këto parcela. Kjo është vetëm një nga plantacionet e shumta që Tahiri-Bushi dhe Shullazi kanë në këtë zonë. E njëjta situatë është edhe në Rranzë, Qafëtemë, Shkjez, Shkretë, Nikël Bubq, Thumanë dhe Fushë-Krujë. Përfitimet nga këto parcela droge llogariten që të arrijnë në disa dhjetëra miliona euro vetëm pas pak ditësh kur do të nisë edhe korrja e mallit.
Një mënyrë tjetër se si Bushët dhe Shullazët po manovrojnë në zona të tjera të mbjella me drogë është duke u dhënë kultivuesve të tjerë raporte bashkëpunimi. Kështu, ata përfitojnë 40% të sipërfaqes së drogës vetëm duke i lejuar kultivuesit që të zhvillojnë aktivitetin. Pra, ata janë pronarë në 40% të sipërfaqes në zona që janë jashtë plantacioneve të tyre private.

Postblloqe, kontrolle me dron dhe armatim të rëndë

Në këto zona ka nisur të aplikohen edhe kontrollet me dron. Banda e qeverisë në krye të trafikut të drogës nuk lejon askënd që të afrohet dhe të fotografojë parcelat e drogës. Çmimi nëse bën një veprim të tillë paguhet me jetë. Në të gjithë Malësinë funksiojnë postblloqet e kartelit Tahiri të drogës. Të armatosur me armë të rënda automatike, ata bëjnë kontroll për secilin që tenton të hyjë në zonat ku mund të shikohen plantacionet e tyre. Kontrollet janë mjaft të rrepta. Nëse nuk ke banesën në ato zona askush nuk është i lejuar që të futet. Qytetarët merren në pyetje nga karteli se ku do të shkojnë dhe sa do të qëndrojnë.
Këtë vit kanë nisur të aplikohen edhe kontrollet me dron. Karteli për të qenë i sigurtë dhe për të kontrolluar lëvizjen nga lart ka nisur të aplikojë dronët për të evidentuar njerëzit e dyshimtë, të cilët tentojnë të futen në këto zona.

Asnjë ndërhyrje nga policia

Askush nuk guxon të prekë plantacionet e drogës në këtë zonë. Të gjitha janë nën mbrojtjen direkte të ministrit të Brendshëm të Krimit, Tahiri, i cili i ka dhënë garanci të plotë kriminelëve në këtë zonë për të zhvilluar aktivitetin kundrejt ndarjes së fitimeve me Shullazin dhe Bushin. Policia është në funksion të plotë të trafikantëve. Jo vetëm kaq, por karteli Tahiri i garanton kultivuesit e kanabisit edhe për gjetjen e tregjeve të shitjes në vendet fqinje të Europës.
Çdo inspektim i policëve bëhet vetëm në funksion të vendosjes së “taksës” për veten dhe kryetarin e Bashkisë. Asnjë parcelë e mbjellë nuk është jashtë kontrollit të policisë dhe kartelit të Tahirit. As edhe një rrënjë nuk mund të mbillet dhe të lulëzojë në rast se nuk paguan gjobën tek karteli.
Rasti më tipik është ai një serre në Fushë-Krujë, ku policia e reklamoi si një rast të bujshëm të shkatërrimit të disa mijëra rrënjëve kanabis. E vërteta është se, ndërhyrja e policisë ka ardhur vetëm pasi kultivuesit e marijuanës nuk kishin arritur akordin me policinë dhe kartelin e Tahirit.

Paratë do të përdoren për blerje votash

Të gjithë janë të bindur se milionat e eurove që do të përfitohen nga mbjellja e drogës këtë vit do të përdoren nga pushteti për blerjen e votave në zgjedhjet e afërta parlamentare. Kjo është skema që po përdoret tani nga qeveria në të gjithë vendin. Një pjesë e parave do të shkojnë në funksion të forcimit të kartelit Tahiri të drogës dhe pjesa tjetër për blerje të votave. Kjo është edhe arsyeja që Rama përsërit në daljet e shpeshta publike se, ai është i gatshëm që të çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme duke qenë po ai Kryeministër dhe po kjo është edhe arsyeja që ai kërkon referendum për Reformën në Drejtësi, duke besuar se me milionat e përfituara nga kultivimi i drogës ai mund të bëjë edhe drejtësinë sipas interesave të tij personale.
Vendi është në një gjendje të jashtëzakonshme nga mbjellja në të gjithë vendin e plantacioneve të drogës të kartelit që kontrollohet nga Tahiri. Krimi i organizuar tashmë identifikohet me qeverinë dhe kjo po sjell një paralizim të plotë të shtetit.

Artur CANI

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërDëshmia tronditëse e edukatores: Fëmijët rriheshin sistematikisht