Plani i Veprimit kundër kanabisit, plan i vjetër me “fasadë” të re

Vincent W.J. van Gerven Oei

Javën e kaluar, Këshilli i Ministrave miratoi Planin e Veprimit kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit 2017-2020. Duket se motivi kryesor që detyroi qeverinë të hartonte këtë plan është draft-progres raporti i Komisionit Evropian 2016, siç përmendet dhe në paragrafin e dytë të përmbledhjes së Planit të Veprimit. Le t’i hedhim një sy raportit miratuar nga Parlamenti Evropian një muaj më parë: Parlamenti Evropian bën thirrje për marrjen e masave të përshkallëzuara për të çrrënjosur kultivimin, prodhimin dhe trafikimin e drogës në Shqipëri, si dhe rrjetet e krimit të organizuar, duke përfshirë [në këto masa] forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar e rajonal; vihet në dukje se policia dhe Prokuroria dështon në identifikimin e rrjeteve kriminale të kultivimit të drogës. Problemi kryesor që lidhet me prodhimin e kanabisit, nuk është kultivimi në vetvete, por rrjetet kriminale që fshihen pas tij. Në fakt, shifrat e dhëna nga qeveria tregojnë se teksa sasia e drogës së kapur është trefishuar nga viti 2015 më 2016-ën, numri i personave të akuzuar u rrit vetëm me 18 për qind. Në po këto dy vite, numri i kriminelëve të akuzuar për krim të organizuar dhe drejtim të organizatave kriminale ka qenë zero.
Shifrat e paraqitura në Planin e Veprimit tregojnë një shpërthim në kultivimin e kanabisit në vitin 2014 dhe paaftësinë e autoriteteve për të arrestuar dhe ndjekur penalisht përgjegjësit. Strategjia Kombëtare kundër Drogës 2012-2016, e hartuar nga qeveria e mëparshme, shkruante se qëllimi kryesor i strategjisë ishte të frenonte prodhimin e drogës në disa rajone, duke synuar zvogëlimin e sasisë së prodhuar brenda vendit. Një shembull famëkeq ishte fshati i Lazaratit, në jug të vendit. Në vitin 2014, policia hyri në fshat me armë, po pa politika kontrolluese. Si rezultat i kësaj, kultivimi i kanabisit shpërtheu në të gjithë vendin, siç më pas pranohet dhe nga Plani i Veprimit: Goditja e suksesshme kundër grupeve dhe rrjeteve kriminale në Lazarat në vitin 2014, nxori në dritë edhe përmasat e tjera që kishte marrë fenomeni pothuajse në të gjitha qarqet e vendit. Kjo goditje e fortë solli si pasojë që energjitë kriminale të përqendruara në këtë rajon të shpërndahen në drejtime të tjera në të gjithë vendin.
Problemi i parë është se Plani i Veprimit përmban shumë pak ide të reja apo novative për të luftuar këtë situatë alarmante. Pengesat burokratike janë ende njësoj si në vitin 2012: mungesa e bashkëpunimit ndërmjet hallkave të ndryshme qeveritare, asnjë shkëmbim informacioni dhe koordinim joefektiv. Në vitin 2012, qeveria Berisha propozoi Komitetin Kombëtar Koordinues për Luftën kundër Drogës; në vitin 2017 qeveria Rama flet për Task Forcën qendrore, një grup ndërministor pune që duhet të kapërcejë problemet organizative, mes të cilave kjo në vijim është më e rënda: Organizimi vertikal i strukturave të Policisë së Shtetit, pengon integrimin e informacioneve dhe kontributeve që vijnë nga sektorë të caktuar policorë, si: qarkullimi rrugor, kontrolli i kufirit, patrulla e përgjithshme duke sjellë kufizime në vlerësimin e situatës në nivel vendor (komisariati).
Në vend që të reformojë Policinë e Shtetit, Plani i Veprimit sugjeron që Task Forca qendrore, e udhëhequr nga një Komitet Ndërministror, të krijojë një strukturë paralele të Task Forcave lokale. Një nga pengesat kryesore edhe për këtë mbetet vetë Policia e Shtetit, e cila nën drejtimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri u politizua tërësisht. Plani i Veprimit propozon “verifikimin” e zyrtarëve publikë përgjegjës për zbatimin e saj. Një nga masat që propozohet është verifikimi i përshtatshmërisë së zyrtarëve të angazhuar në luftën kundër kanabisit dhe “verifikimin e lidhjeve të mundshme me personat e inkriminuar”. Është ironike që një nga figurat kryesore në zbatimin e Planit të Veprimit, ministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj, është i njohur publikisht për lidhje të tilla, vëllai i tij është në kërkim ndërkombëtar për trafikim kokaine. Ministri Xhafaj kurrë nuk e ka distancuar veten nga kjo ngjarje. Pra, nëse plani i veprimit nuk zbatohet nga udhëheqësi i saj, nga kush presim të zbatohet?
Problemi i dytë ka të bëjë me ndjekjen penale të të akuzuarve për krim të organizuar, për të cilin Plani i Veprimit jep shumë pak informacione. Siç duket qartë nga të dhënat e publikuara nga vetë qeveria, kapja dhe dënimi i përgjegjësve nuk ka qenë shumë i suksesshëm në të kaluarën (zero raste në të dy vitet 2015 dhe 2016), dhe lordët e mëdhenj të drogës si Klement Balili, mbeten ende të lirë.
Për më tepër, ndryshimet në Procedurën Penale, miratuar së fundmi në Kuvend, do të dobësojnë më tej koordinimin brenda Prokurorisë. Aktualisht Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë heton rastet e trafikut të drogës dhe të krimit të organizuar, duke bërë të mundur një hetim më të thellë që bashkon të dy këto krime. Sipas ndryshimeve të reja, rastet për trafik droge do të hetohen nga prokurorët rajonalë që kanë shumë më pak materiale dhe mbështetje financiare, ndërsa rastet e krimit të organizuar do të hetohen nga një Prokurori speciale, e sapokrijuar. Ky ndryshim do të lërë hetimin e trafikut të drogës në dorë të prokurëve lokalë, të cilët në teori janë shumë më të ndjeshëm ndaj korrupsionit se sa  prokurorët e Prokurorisë speciale në Tiranë. Ky ndryshim, së bashku me faktin se “strukturat vertikale” e Policisë së Shtetit kufizojnë shumë forcat e policisë lokale dhe se zbatimi i këtij Plani Veprimi do të jetë nën drejtimin e një zyrtari të njohur për lidhje të afërta me trafikun e drogës, duhet të na përgatisin për një tjetër dështim spektakolar të qeverisë Rama.

Artikulli paraprakEvazion 26 milionë euro në 24 biznese
Artikulli tjetërLubonja: Rama një i sëmurë psikik që mund të bëjë vetëvrasje