Pezullime e dëmtime

Për shumë veta, sfida e së premtes mbaroi në momentin që arbitri sinjalizoi fundin e ndeshjes, por Juve-Milan nuk ka përfunduar akoma, sepse për kuqezinjtë më e keqja pritet të vijë tani, pas ndeshjes. Këto ditë pritet të bëhen zyrtare dënimet e lojtarëve dhe drejtuesve të Milanit (Galianit) për përplasjet në fundin e ndeshjes kundër Masës dhe asistentëve të tij. Ai që rrezikon më shumë nga ky dënim është Karlos Baka, i cili ishte më impulsivi nga të tijtë.
Pavarësisht tentativave të Galianit dhe Montelës për ta qetësuar, kolumbiani ishte shndërruar në një “dem” të tërbuar, duke ofenduar trupin gjykues për atë penallti të akorduar në minutën e 95-të. Kjo pritet ta penalizojë shumë sulmuesin e Milanit, pasi do dënohet me të paktën dy javë, por kjo mund të ndryshojë në varësi të asaj çfarë Masa do të shkruajë për episodet në fundin e ndeshjes.
Nga ky raportim i arbitrit pritet ta pësojë edhe Galiani, i cili ka shfryrë kundra këtij të fundit në një mënyrë të ekzagjeruar gjatë kohës që po u drejtoheshin dhomave të zhveshjes. Të tjerë lojtarë që kanë shfaqur pakënaqësitë e tyre kanë qenë De Shiljo, Donaruma, Poli dhe Romanjoli, të cilët rrezikojnë gjithashtu të dënohen në varësi të asaj çfarë kanë shkruar inspektorët federalë që ishin prezentë në Torino. Të gjithë janë në pritje të së martës, dita kur do dalë vendimi i Gjykatës Sportive.
Ndeshja e radhës për milanistët do të jetë ajo kundër Xhenoas në “San Siro”, një ndeshje e vështirë, duke parë mungesat e shumta. Dëmtimeve të Bonaventurës, Susos, Abates dhe Hondës pritet t’i shtohen dhe tre të skualifikuarit, Romanjoli, Soza dhe Baka. Montelës do t’i duhet ta rimodelojë ekipin, ku vështirësitë më të mëdha pritet t’i ketë në mesfushë prej mungesës së Sozës, duke parë që edhe Lokateli nuk është stërvitur ditët e fundit me ekipin për shkak të gripit.
Një problem tjetër i madh është zëvendësimi i sulmuesit më në formë ndeshjet e fundit, kolumbianit Karlos Baka, duke parë që Lapadula nuk është në formë. Një katastrofë e vërtetë për trajnerin italian, që shikon lojtarët e tij më të rëndësishëm të qëndrojnë jashtë.
Vazhdojnë telashet në shtëpinë e Milanit. Suso, lojtari më deciziv kohët e fundit, pritet të jetë i gatshëm në fillim të muajit prill. Spanjolli u duk se e kishte hedhur pas krahëve dëmtimin që mori ndaj Kievos, por rikthimi në stërvitje përpara kohe duket se e ka përkeqësuar akoma më shumë këtë dëmtim që në fillim u duk kalimtar.
Montela duket se ka nxitur stafin mjekësor për ta pasur sulmuesin nga minuta e parë kundra Juventusit. Ka qenë një gabim i mjekëve të Milanit, që lejuan kthimin e lojtarit në stërvitje dhe në ekzaminimin e dëmtimit. Nuk dihet akoma nëse 23-vjeçarit do t’i mjaftojnë tri javë për t’u kthyer në stërvitje apo do shtyhet për më vonë që të mos rrezikohet për një tjetër përsëritje të këtij dëmtimi. Kalendari duket se i ka dhënë një shtysë të madhe lojtarit, pasi mbas takimit me Xhenoan do të jenë dy javë pushim prej ndeshjeve të kombëtareve. Nuk është hera e parë që stafi mjekësor i Milanit gabon në ekzaminime, pasi e ka bërë më përpara dhe me lojtarë si El Sharaui dhe Pato.

Artikulli paraprakDëmtimi, Mavraj kthehet në stërvitje
Artikulli tjetërGranit Xhaka drejt Bayern Mynihut