Peticioni, Kosova kërkon ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale

Në Kosovë veteranët e luftës së ish-UÇK-së, nisën nënshkrimin e një peticioni me anë të të cilit i kërkohet Kuvendit të Kosovës që ta ndryshojë Ligjin për Gjykatën Speciale për Krime Lufte në Kosovë. Sipas veteranëve, me ndryshimet e Ligjit, Gjykata Speciale duhet të merret edhe me krimet që serbët i kanë bërë në Kosovë gjatë luftës së fundit dhe jo vetëm me të dyshuarit e etnisë shqiptare për “krime të pretenduara të UÇK-së”. Procedurat rreth funksionimit të Gjykatës Speciale tashmë kanë përfunduar dhe gjykata është e gatshme të nisë punën.
“Ne jo vetëm që u bëjmë thirrje deputetëve, thirrje që të kthehet në rishqyrtim dhe të mos i hapet kjo rrugë, por absolutisht ne jemi kundër një gjykate të tillë. Nuk ka diçka më degraduese dhe më fyese, jo vetëm për ata djem e vajza që me gjak, e luftën e tyre, na kanë sjellë deri këtu lirinë e kësaj pjese të atdheut, po mendoj se kjo është fyerja më e rëndë që i bëhet popullit shqiptar, jo vetëm në Kosovë, por popullit shqiptar në përgjithësi”, thota Xhavit Jashari, njëri nga udhëheqësit e veteranëve të UÇK-së.
Edhe nënkryetari i organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, thotë se “padrejtësia që i është bërë Kosovës duhet të korrigjohet”.
“Dëshira jonë është që Gjykata Speciale të mos kishte ndodhur fare, dhe punën e tyre ta kryejnë gjykatat e Kosovës, mirëpo pasi që ka ardhur puna deri këtu mendoj që Gjykata Speciale që tashmë është miratuar në Parlamentin e Kosovës nga legjislatura e kaluar është shkelje e të drejtave njerëzore. Kjo gjykatë i përngjan një gjykate të një kohe të fashizmit kur shpallej njëanshëm një popull fajtor”, thotë Nasim Haradinaj.
Shoqatat e veteranëve të dala nga lufta, janë të bindura se subjektet politike në Parlamentin e Kosovës do ta marrin parasysh kërkesën e tyre dhe do ta votojnë ndryshimin e këtij ligji. Peticionin duhet ta nënshkruajnë 10 mijë persona në mënyrë që Parlamenti i Kosovës të jetë i obliguar ta shqyrtojë kërkesën e peticionit.
Edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Gjykata Speciale për krime lufte nuk do të shqyrtojë asnjë krim të kryer ndaj shqiptarëve dhe kjo sipas tij e bën atë një gjykatë etnike, ndaj ajo shihet me mosbesim nga shqiptarët. Presidenti thotë se “vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale erdhi më shumë si nevojë politike e aktorëve ndërkombëtarë, sesa për drejtësi të mirëfilltë.
“Kosova ka pranuar themelimin e Gjykatës Speciale në rrethana imponuese diplomatike ndërkombëtare, nga ana e partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës, me arsyetimin se duhet t’i kënaqin edhe aktorët e tjerë, në veçanti Rusinë dhe Beogradin, në mënyrë që kjo çështje të mos dërgohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, shprehet Presidenti Thaçi, duke theksuar se ai ka pranuar që ta udhëheqë këtë proces që ta ruaj partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
“Nga bashkësia ndërkombëtare na u premtua se do të mund të aplikonim për anëtarësim të shpejtë në Këshillin e Evropës, që do të ndodhte liberalizimi i vizave shpejt, që do të kemi mbështetje masive për anëtarësim në UNESCO, se do t’i themelojmë Forcat e Armatosura të Kosovës shpejt dhe se do të kemi njohje të reja. Kosova mbajti fjalën, themeloi gjykatën. Bashkësia ndërkombëtare, asnjë nga këto premtime nuk i realizoi. Përkundrazi, Kosovës iu vështirësua rrugëtimi euroatlantik”, pati thënë Presidenti Thaçi gjatë një prezantimi të një raporti për perceptimin publik rreth Gjykatës Speciale.
Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, Parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën Speciale, e cila ka selinë e saj në Hagë dhe ajo do të veprojë vetëm me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë. Tashmë çdo procedurë ligjore dhe administrative ka përfunduar dhe Gjykata Speciale ligjërisht është e gatshme të nisë punën. Nga hetimet e para të hetuesit të parë amerikan Clint Williamson, bëhej e ditur nga vet Williamson se “kjo gjykatë do të merret me të paktën 10 raste të dyshuara për krime lufte në Kosovë”.

Artikulli paraprak200 milionë euro të bankave të bllokuara në gjykata
Artikulli tjetërTaksat rekord që do paguani në Tiranë