Peshkimi do të bëhet me tender

Një projektligj i ri për Akuakulturën ka mbërritur në Kuvend dhe në themel të tij është disiplinimi i sektorit të peshkimit. Sipas relacionit shoqërues baza e re ligjore merr në konsideratë zonimin paraprak të territorit tokësor dhe ujor të Republikës së Shqipërisë, duke përcaktuar llojin e akuakulturës mbi bazën e specieve si dhe kapacitetet e secilës zonë.
Projektligji parashikon që më pas zonat e përcaktuara i nënshtrohen konkurrimit publik, për mënyrën më të mirë të zhvillimit të akuakulturës. Nga konkurrimi publik, përjashtohen ato zona që janë në pronësi private, që mund të jenë të përfshira si zona ku zhvillimi i akuakulturës është prioritar.
Ministria e Bujqësisë ka argumentuar se në këtë mënyrë do të konkurrojnë projektet më të mira për një zhvillim të përgjegjshëm të akuakulturës.
Ndarja në zona do të bazohet mbi të dhënat e disponueshme, traditën, speciet me interes ekonomik, kushtet klimaterike të vetë zonës, përmirësimet dhe arritjet teknologjike bashkëkohore etj.
Me përfundimin e këtij klasifikimi paraprak fillon një proces konsultimesh që kanë interesa në secilën zonë, duke filluar nga institucionet qendrore te ato vendore, përfshirë grupet e interesit, shoqatat e ndryshme në fushën e peshkimit apo të mjedisit etj.
Nga kjo hartë paraprake, mbi bazën e diskutimeve ndërmjet palëve do të hiqen ato zona ku prioritet janë aktivitete të tjera, përveç akuakulturës, si zona të mbrojtura, të zhvillimit të peshkimit, të zhvillimit të turizmit, zhvillimeve portuale, trashëgimisë kulturore etj.
Në fund të tij do të mbeten disa njolla në hartë, në të cilat zhvillimi i akuakulturës është prioritar. Ky planifikim dhe kjo hartë do të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe më pas bëhet tenderët për shfrytëzimin e këtyre zonave.
Ministria e Bujqësisë sqaron se, ligji i ri i vë fre informalitetit në këtë sektor, pasi cilido që mendonte se mund ta zhvillonte këtë aktivitet në pronat e tij ishte i lirë ta bëjë jashtë çdo monitorimi për llojet, kapacitetet, taksat e paguara etj.
“Duke qenë jashtë çdo kontrolli, kjo gjë solli, gjithashtu, mangësi dhe nuk ka asnjë lloj informacioni për sasitë, sëmundjet, kushtet e prodhimit dhe ose tregtimit. Ky projektligj vendos edhe standardet mjedisore në përputhje me legjislacionin në fushën e mjedisit dhe të mbrojtjes së natyrës e biodiversitetit, që kanë të bëjnë me respektimin e kushteve mjedisore gjatë ushtrimit të aktivitetit: shprehet Ministria e Bujqësisë në relacionin shoqërues.

Artikulli paraprakDo të paguani më shumë taksa pas rivlerësimit të banesës
Artikulli tjetërEkonomia ‘fantazmë’ po lulëzon në Ballkan