Pesë urdhëresat e FMN-së dhe një gënjeshtër e qeverisë!

Jorida Tabaku

Deklarata përfundimtare e FMN ka prezantuar mbrëmjen e djeshme ripohoi të gjitha shqetësimet tona, që tanimë nuk janë më vetëm të Partisë Demokratike, në lidhje me ekonominë dhe keqpërdorimin që qeveria e djeshme dhe me siguri e sotmja do të vazhdojë t’i bëjë asaj. Dua të falënderoj FMN për punën e palodhshme dhe ndihmën e pakursyer që i është dhënë një qeverie që synim nuk kishte qytetarin, por pasurimin. Tanimë, është e qartë nga kjo deklaratë çështjet që kemi katër vjet që i ngremë me forcë mbi gjendjen tonë ekonomike janë korrekte dhe të mbështetura edhe nga FMN:
– Borxhi publik, nuk do të ulet poshtë 71% as në vitin 2017. Pra, qeveria ka marrë borxh për fasada dhe tendera, duke rritur shumën që duhet të paguajmë për luksin qeveritar për secilin prej nesh.
– PPP janë një rrezik fiskal iminent dhe për hir të transparencës duhet të llogariten si borxh në momentin e lindjes së detyrimit. Deri në fund të këtij mandati qeverisës, nëse vazhdohet me këto ritme llogaritet që borxhi i krijuar vetëm nga PPP të shtohet me (7 pwr qind) 1 mld euro.
– Qeveria po dështon në reformat fiskale dhe mbledhjen e taksave, duke vazhduar të ketë një rentabilitet më të ulët në raport me vendet e rajonit.
– Sistemi fiskal i ngritur nga qeveria është i komplikuar dhe me disa nivele, duke krijuar pabarazi.
– Rritja ekonomike po bazohet tërësisht në Investimet e Huaja Direkte të lidhura me energjinë (hidrocentrali Devollit) dhe TAP.
Dhe mbi të gjitha, qeveria ka krijuar një detyrim të prapambetur në vlerën e 120 mln eurove. Një javë më parë në Komisionin e Ekonomisë, ministri i Ekonomisë dhe Financave e mohoi borxhin e krijuar që sot shkon sa 1.1% e PBB-së dhe që paguhet nga xhepat e çdo qytetari!

Artikulli paraprakVAR, rekord penalltish në Itali
Artikulli tjetërNdërlikohet dëmtimi i Reus, shtyhet rikthimi