Përshkallëzohet protesta, shtab koordinues i opozitës për aksionin popullor

Koalicioni opozitar vendosi dje përshkallëzimin e protestës dhe fillimin e mosbindjes civile, për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Lulzim Basha kreu i PD mblodhi dje aleatët, ku u vendos dhe ngritja e shtabit koordinues për organizimin e protestave masive. Në deklaratën e dhënë për mediat, pas këtij takimi thuhet se shembulli i parë ku zgjedhjet farsë nuk do të lejohen do të jetë data 7 maj  dhe qyteti i Kavajës. “Koalicioni opozitar vendosi sot njëzëri përshkallëzimin e aksionit politik të opozitës, për të mos lejuar diktatin e krimit e të drogës me mbështetje qeveritare mbi votën e qytetarëve. Koalicioni opozitar konfirmoi vendosmërinë për të mos lejuar votim fasadë të diktuar nga krimi dhe droga, duke nisur nga Kavaja. Në funksion të këtij vendimi, të gjitha partitë politike anëtare të koalicionit opozitar, rikonfirmuan angazhimin masiv politik dhe popullor për mosbindje civile. Në kuadër të organizimit të mosbindjes civile dhe moslejimit të një procesi fasadë elektoral, u miratua ngritja e shtabit koordinues të opozitës së bashkuar për bashkërendimin e aksionit popullor”, thuhet në deklaratën e koalicionit të opozitës.

Tryezat farsë

Nga ana e saj, Partia Demokratike dhe aleatët janë të qartë në kërkesat e tyre për qeveri teknike. E cila sipas tyre duhet të formohet shpejt dhe pa vonesë me qëllim që t’i hapet rruga zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Nga ana tjetër, një përgjigje është dhënë dhe për tryezat fasadë sipas opozitës, të cilat nuk kanë synim tjetër vetëm se manipulimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor dhe klonimin e opozitave farsë në shërbim të narkotrafikut. “Po ashtu, koalicioni i bashkuar opozitar, dënoi dhe hodhi poshtë përpjekjet për tryeza fasadë me qëllim manipulimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor dhe klonimin e koalicioneve dhe opozitave fasadë në shërbim të narkoqeverisjes. E vetmja zgjidhje për krizën politike në vend është krijimi pa vonesë i qeverisë teknike dhe dhënia e mandatit për krijimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme. Koalicioni opozitar shpreh mirënjohjen për qëndresën e qindra-mijëra qytetarëve në mbrojtje të lirisë dhe të drejtës themelore të votës së lirë dhe u bën thirrje qytetarëve shqiptarë për bashkimin më të madh popullor kundër krimit dhe drogës në pushtet. Fitorja i takon popullit të bashkuar për një Republikë të Re të Demokracisë, Lirisë dhe Drejtësisë së vërtetë”, përfundon deklarata. Duket se pas ditës së sotme çdo gjë nuk do të jetë më njësoj. Protesta e 24 prillit dha provën se, opozita e ka mbështetjen e qytetarëve nga mijëra të pranishmit që ishin aty, por edhe nga qytetarët që iu bashkuan në heshtje asaj. Prova e parë do të jetë Kavaja, dhe data 7 maj, ku PS është regjistruar e vetme në zgjedhje pas dorëheqjes së trafikantit me pesë emra Roshi. Partia Demokratike dhe aleatët kanë thirrur një protestë në ditën e zgjedhjeve për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve sipas modelit që ka paracaktuar Rama. Partia Demokratike dhe aleatët prej më shumë se 66 ditësh kanë zhvilluar protestë paqësore 24 orëshe, ku kërkohet dorëheqja e Ramës. Por duket se durimit i erdhi fundi.

Artikulli paraprakBerisha: Çadra do të fitojë
Artikulli tjetërShqipëria, laboratori i narkotrafikut në Europë