Përsëri avionë droge në Divjakë

Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar një tjetër rast të fluturimit të avionëve të drogës mbi Divjakë. Berisha ka publikuar mesazhin e një qytetari, i cili shkruan se, në Divjakë vazhdojnë “mushkonjat”. “Narko-kaçatorrët një rrugë e dy punë! – transportojnë mallin dhe gjuajnë dhelprën e kuqe.
Lexoni mesazhin dhe shikoni videon e qytetarit dixhital”, shkruan Berisha. “E dielë, 14:30: Përshëndetje doktor, para 10 min në Divjakë vazhdojnë mushkonjat”, shkruan qytetari.
Dy vjet më parë dy pilotë italianë, që drejtonin dy avionë të vegjël, që ngarkoheshin me drogë në Shqipëri u rrëzuan në bregdetin shqiptar. Ata ishin Giorgio Riformato, avioni i të cilit ngeli në Divjakë dhe Guido Guidi në Ishëm.
Para tre ditësh ish-Kryeministri Berisha publikoi disa foto në Facebook, ku shfaqej një avion që fluturonte mbi qytetin e Kuçovës. Ka qenë një qytetar që i ka nisur fotot ish-Kryeministrit dhe e ka informuar për fluturimin e avionit të drogës tek Teci. “Sot narko flota ka nisur fluturimet me kaçatorët e saj, herët në orën 06:00”, shkruan Berisha. “Avionët e drogës në Kuçovë. Një avion droge fluturon tek Teci”, shkruante qytetari.
Në 14 nëntor ish-Kryeministri Berisha publikoi mesazhin e një qytetari që e informonte për një helikopter që kishte bërë 10 ulje në fshatin Gotull të Ishmit. Banori i dërgoi Berishës edhe videon ku dukej helikopteri që fluturon mbi fshatin Gotull.

Artikulli paraprakXhafaj si Tahiri, sekuestroi makinat luksoze për teatër
Artikulli tjetërAksidenti, shpejtësia e eskortës së Ramës shkakton 5 të plagosur