Përse mediat mohojnë arritjet e presidentit Trump?

Zëdhënësja Huckabee Sanders, gjatë një diskutimi në Universitetin George Washington, për nder të përvjetorit të zgjedhjeve, vuri në dukje sukseset e presidentit Donald Trump në politikën e jashtme, luftën kundër ekstremizmit islamik dhe ekonominë. “Ai ka bërë një punë shumë të mirë në ndërtimin e marrëdhënieve me shumë partnerë dhe aleatë kryesorë, veçanërisht Kryeministrin japonez Abe dhe Presidentin kinez Xi, të cilët po ndihmojnë në rritjen e presionit ndaj Koresë së Veriut”.
Zëdhënësja Huckabee Sanders e quajti udhëtimin e Presidentit Trump në Lindjen e Mesme një “moment të madh në presidencën e tij”.
“Në Arabinë Saudite, fjalimi që ai mbajti para, besoj se ishin 68 vende me shumicë myslimane, duke sjellë shumë prej këtyre individëve bashkë për të punuar në luftimin e terrorizmit; ky ishte një moment historik”, tha ajo.
Ekonomia po vazhdon të ketë një përmirësim shumë të mirë që nga dita e zgjedhjeve, por ekonomistët nuk pajtohen rreth ndikimit të Presidentit Trump mbi këtë përmirësim.
“Përpara zgjedhjeve, të gjithë mendonin se zoti Trump do të dëmtonte tregun e aksioneve, tregjet e aksioneve pësuan rënie të madhe në natën e zgjedhjeve, kur u bë e qartë se ai kishte fituar. Por, pas fjalimit të tij të fitores, ndjenja ndryshoi dhe në mëngjes aksionet u rritën”, tha analistja Emily Stewart e faqes së internetit “thestreet.com” për “Zërin e Amerikës”.
Në një postim në Twitter këtë javë, Presidenti Trump vuri në dukje se, vlera e tregut është rritur 5.4 trilionë dollarë që nga zgjedhjet dhe mbetet në nivele të larta rekord.
“Papunësia është në 4.1%, më e ulëta në 17 vjet. 1.5 milionë vende të reja të punës janë krijuar që kur mora detyrën. Tregu i aksioneve ka parë rritjen më të lartë në histori, deri 5.4 trilionë USD”.
Ekspertët thonë se ndër faktorët që kanë ndikuar në këtë rritje, është një që zoti Trump rrallë e përmend. Korrespondenti i Shtëpisë së Bardhë i “Yahoo News” Olivier Knox tha në diskutimin që u mbajt në Universitetin George Washington javën e kaluar, se eliminimi i rregullave është suksesi i pa përmendur i Presidentit Trump.
“Është një nga sukseset e administratës së Presidentit Trump, një gjë që nuk ka marrë aq vëmendje sa postimet e tij në Twitter, por është një histori shumë e rëndësishme. Pezullimi sistematik i rregulloreve”, tha zoti Knox.

Mbulimi negativ në media
Zëdhënësja Hackubee Sanders ia atribuon popullaritetin e ulët të Presidentit Trump, pjesërisht raportimit kryesisht negativ nga një shtyp armiqësor. Ajo përmendi një studim të pavarur që tregon se, mbulimi i Presidentit në disa rrjete televizive është 93 për qind negativ, krahasuar me 40 për qind gjatë vitit të parë të presidencës së Barak Obamës.
“Që njerëzit të pretendojnë se nuk ka një ndjenjë më të madhe armiqësie ndaj kësaj administrate, mendoj se do të ishte injorim i fakteve reale”.
Të ballafaquar me këtë armiqësi të perceptuar, Presidenti Trump ka rishkruar rregullat për komunikimet presidenciale.
“Trump përdor Twitter-in për të anashkaluar shtypin në mënyra që përcjellin një mospërfillje të plotë për rolin e gazetarisë në shoqëritë demokratike”, thotë profesori i komunikimit në Universitetin e Stanford-it, Theodore Glasser. “Presidentët shpesh kanë një marrëdhënie kontradiktore me gazetarët, por unë nuk mund të kujtoj një president të vetëm, përfshirë Richard Nixonin, i cili i afrohet zotit Trump në aspektin e frikës së tij nga vlerësimi publik”.
Studiuesi presidencial Mahaffee thotë se, Trump e kuptoi në fillim se si mund të shfrytëzonte përçarjet partiake dhe mosbesimin e publikut ndaj mediave.
“Mediat sociale lejojnë që gjuha më e ashpër dhe sensacionalizmi të triumfojnë mbi faktin dhe arsyen”, tha Mahaffee për “Zërin e Amerikës”. “Presidenti Trump përdori këto përçarje për qëllimet e tij për t’u zgjedhur, dhe qasja e tij ka qenë thellimi i mëtejshëm i përçarjeve për qëllimet e tij për të qeverisur”.

Artikulli paraprakNdryshimi i klimës në Arktik është tashmë i pandalshëm
Artikulli tjetërReagimet e BE-së për “Paradise Papers”