Përse europianët po lexojnë përsëri Cvajgun?

Pas këtyre viteve të trazuara në Europë është rikthyer edhe një herë gjuha e ashpër e viteve 1930. Lidhja e besimit ndërmjet shteteve është duke u dobësuar dhe bindja e vjetër se Bashkimi Europian zhvillohet akoma më shumë në raste krizash është duke u vënë në provë. Populistët kanë nisur marshimin. Britania është në rrugën e daljes. Fqinjët e Europës janë duke e kërcënuar se do ta mbushin atë me refugjatë.
Nuk është çudi që europianët e zymtë kanë filluan t’i heqin pluhurin librave të Stefan Cvajgut. Si një autor pjellor dhe tepër i famshëm novelash, biografish dhe traktesh politike, Cvajgu mishëronte europianin ideal të kultivuar dhe të rritur mes luftërave. Si çifut që i pa librat e tij të digjeshin nga nazistët, ai u arratis nga shtëpia e tij në Austri në vitin 1934 dhe më pas nga Europa. Ndriçimi letrar i Cvajgut u eklipsua nga autorët bashkëkohorë si Tomas Man dhe Xhosef Roth, por dëshmia e tij për katastrofën e Europës dhe përkushtimi ndaj kauzës së bashkimit e kanë rikthyer në vëmendjen popullore.
Cvajgu ndjente neveri ndaj manovrave politike, por thirrjet e tij për unitet europian u bënë më urgjente gjatë viteve 1930, kur kontinenti shkonte drejt luftës. Kur më në fund shpërtheu, Cvajgu nuk arriti të mblidhte shpresën që kishte nxitur tek të tjerët. Në veprën “Bota e djeshme”, një vajtim i krijuar gjatë fundit të jetës së tij për Vjenën kozmopolitane të fëmijërisë, Cvajgu deklaron se Europa kishte dështuar pasi ishte ndarë më dysh për herë të dytë brenda jetës së tij. Në vitin 1942 Cvajgu dhe gruaja e tij e re kryen vetëvrasje në shtëpinë e tyre në Petropolis, e fshehur mes kodrave të Rio de Zhaneiros.
Në vlerësimin e ashpër të kritikut Xhon Grei, Cvajgu kishte shfaqur shumë pak kurajë gjatë jetës, që vdekja e tij të konsiderohej tragjike. Megjithatë, nuk mund të fshihet ironia e ngjarjeve që u zhvilluan më pas. Më pak se një dekadë pas vetëvrasjes së tij, gjashtë vende europiane ranë dakord të unifikonin prodhimin e tyre të çelikut dhe qymyrgurit, duke themeluar kështu një klub që do të evoluonte më pas në projektin europian që Cvajgu kishte promovuar për shumë kohë.
Një organizatë e ndërtuar mbi themele aq prozaike ka shumë gjasa që nuk do ta kishte kënaqur imagjinatën e shkrimtarit. Pavarësisht unifikimit të vlerave paneuropiane, Brukseli nuk do të krahasohet dot kurrë me Vjenën e Cvajgut. Megjithatë, është përpjekur që me mjete burokratike të arrijë atë që Cvajgu kishte shpresuar se mund të arrihej përmes edukimit dhe kulturës: që lufta ndërmjet Francës dhe Gjermanisë të mos ishte vetëm e paimagjinueshme, por edhe e pamundur.
Miti i themelit të idealit të Bashkimit Europian vazhdon të jetojë edhe në liderët e sotëm. Në fjalimin e tij të fundit, Donald Tusk, presidenti i Këshillit Europian aprovoi paralajmërimin e Cvajgut se, ata që kapen pas ndryshimeve historike, asnjëherë nuk e shohin fillimin e tyre. Tusk foli për “grackën e fatalizmit” që ndjek politikanët e moderuar të ditëve të sotme që përballen me kërcënimin e populizmit. Në kohën e Cvajgut, shtoi ai, “liberalët hoqën dorë pa u përpjekur, edhe pse kishin në dorë të gjitha kartat fituese”.
Të vjetrit në Bruksel ankohen për mungesën e vizionit në klasën politike të ditëve të sotme, sikur liderët e vjetër si Kohl, Mitterrand dhe Delors ishin të mjaftueshëm për të rikthyer pasurinë e Europës. Por nuk janë vetëm politikanët ata që po humbasin kujtesën e viteve 1940. Duke e bërë luftën ndërmjet vendeve anëtare të paimagjinueshme, Bashkimi Europian ka prerë edhe mbështetjen e saj. Pa një mision të tillë gjallërues, disa vende tani vënë në dyshim sakrificën e sovranitetit që kërkon anëtarësia në BE.
Krizat e viteve të fundit ofrojnë një përgjigje. Edhe pse disa nga gabimet e mëdha të BE-së janë bërë që në fillimet e saj – siç është integrimi me dredhi i disa vendeve që nuk është kundërshtuar nga vendet votuese ose të metat e sistemit të monedhës së përbashkët – gabimet e tjera kanë ardhur nga jashtë dhe kërkonin reagim të koordinuar. Pa Bashkimin Europian, kërcënimi rus do të ishte edhe më i madh dhe qeveritë do ta kishin më të vështirë të trajtonin krizën e emigracionit. Problemet si ndryshimi i klimës dhe terrorizmi kërkojnë medoemos një përpjekje kolektive. Pavarësisht gabimeve të shumta, problemet e Europës do të kishin qenë më të vështira në mungesë të Bashkimit Europian.
Por siç ka bërë të ditur edhe Cvajgu, unioni nuk mund të komandojë dot kurrë afeksionin e qytetarëve njëlloj si shteti. Me pak fjalë, Kryeqyteti Europian i Kulturës nuk mund të arrijë të çojë europianët drejt ndërgjegjësimit të ngritur kolektiv që kishte shpresuar Cvajgu.
Dhjetë vite më parë, rreziku i madh i Europës ishte që po bëhej tepër e parëndësishme. Që atëherë, ngjarjet kanë vërshuar njëra pas tjetrës dhe rreziku i dezintegrimit është thelluar. Institucioni i veçantë i Bashkimit Europian nuk ka arritur ende të gjejë mënyrën si të transformojë nevojën e shteteve të veçanta për autoritet qendror. Emergjencat e ditëve të sotme janë tepër të rrezikshme, edhe pse tërësisht ndryshe nga ato të Europës së viteve 1930.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakRobotët, a mund të zëvendësojnë mjekët?
Artikulli tjetërTrashëgimia e dështimit