Përplasja brenda qytetërimit

“Është momenti që të pushohet së shtiruri se europianët dhe amerikanët kanë një vizion të përbashkët të botës apo edhe vetëm që jetojnë në të njëjtin planet”. Kështu shkruante më 2003 Robert Kagan, duke e përshkruar Perëndimin të ndarë në reagimin ndaj atentateve të 11 shtatorit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara. Amerikanët ndërhyrës vinin nga Marsi, tha atëbotë historiani amerikan, Robert Kagan dhe europianët pacifistë vinin në fakt nga Afërdita. As më pak se 10 vite më vonë, me ardhjen e Recesionit të Madh, “edhe Europa ka zbuluar se ka brenda vetes dozën e caktuar të moskuptimit reciprok”. Është kjo ajo që theksojnë Markus K. Brunnermeier (ekonomist në Princeton University), Harold James (historian nga i njëjti institucion i Ivy League) dhe Jean-Pierre Landau (ekonomist në Sciences Po të Parisit dhe ish-zëvendësguvernator i Banque de France), në një libër që përgatitet të dalë për Princeton University Press me titull “The Euro and the Battle of Ideas”. Dhe nëse është e vërtetë se ekzistojnë europianë që duket se jetojnë në një planet dhe europianë që jetojnë në një tjetër, çdo fërkim midis krerëve tanë të qeverisë duhet parë në një dritë të re. Edhe debati sfilitës pas tërmetit dhe pas ligjit të stabilitetit mbi “fleksibilitetin” që Roma synon t’ia zhvasë Brukselit, ashtu si edhe ndërprerja e traktatit të shkëmbimit të lirë midis Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara (TTIP), nuk duken më çështje pikash dhjetore deficit më shumë apo kimi personale midis liderëve të kontinentit, por burojnë nga diferenca filozofike më të thella midis vendeve themeluese të euros, veçanërisht Francës dhe Gjermanisë. Një përplasje në qytetërimin europian lidhur me mënyrën e të kuptuarit të tregut dhe politikës ekonomike.
Bocat e librit të Brunnermeier, James dhe Landau kanë kaluar tashmë nëpër duart e Wolfgang Schäuble, ministrit të Financave gjerman, që ka bërë me dije se e ka “çmuar thellësisht” tezën me të cilën autorët shpjegojnë “qasjet shumë të ndryshme ndaj politikës ekonomike dhe fiskale të Europës”. Tezat e tyre janë të bazuara mbi njohjen e drejtpërdrejtë të fakteve dhe personave, intervista dhe mirëbesime të mbledhura, akses në dokumente të rezervuara dhe sistematizim teorik. “Ajo që qëndron në qendër të librit tonë është një luftë idesh, shkruajnë të tre. Mund të shtyhesh të mendosh se çdo vend lufton ekskluzivisht për interesat e veta materiale. Megjithatë, një perspektivë kaq e ngushtë anashkalon një aspekt edhe më të rëndësishëm: interesat nuk janë interpretuar gjithmonë nëpërmjet lenteve të ideve, domethënë nëpërmjet vizioneve të botës”.
Weltanschauungen të tilla konfliktuale midis Francës dhe Gjermanisë nuk lindin sot, por kriza ekonomike më e rëndë që është parë nga viti 1929 i ka bërë të rilulëzojnë. Në fakt, deri më tani midis klasave drejtuese të motorit franko–gjerman kishte mbizotëruar një qëndrim që të tre studiuesit e gjykojnë “panglosian”: në pikën që në disa faza historike janë përdorur të njëjtat fjalë për të përkufizuar koncepte të ndryshme dhe për pasojë, të maskojë – edhe për vetveten – diversitetet e veta. Për shembull, nga këndvështrimi i gjermanëve, shprehja “qeverisje ekonomike” tregon një konvergjencë progresive përreth një kulture të stabilitetit të përbashkët, ndërsa në Francë është nënkuptuar historikisht si një tërësi iniciativash të përbashkëta për të drejtuar zhvillimin ekonomik. Në mënyrë të ngjashme, monedha unike është interpretuar nga gjermanët si një version i përparuar i më së vjetrës Marrëveshje europiane të Shkëmbimit (SME), e ndërtuar rreth virtyteve të dojçmarkës, ndërsa francezët e kanë parë euron si një valutë globale të re dhe një instrument për të hedhur në fushë politika stimuluese keynesiane më efikase.
Kujt kohe mund t’i përkasë kjo skizmë e ndodhur në zemër të Europës, me theksin tek rregullat, rreptësia dhe koherenca e vendosur nga njëra anë (në veri) dhe në fakt nevojës për fleksibilitet, adaptueshmëri dhe rinovim nga ana tjetër (në jug, ça va sans dire)? Domethënë kur janë hedhur themelet e përplasjes midis rregullave dhe diskrecionalitetit? Të dy vendet kufitare kanë ndarë në thelb tradita politike të ndryshme dhe të dyja modelet juridike të tyre janë influencuar nga e drejta romake dhe jo nga common law. Duke thënë këtë, “shpjegimi më i thjeshtë i divergjencës së mendimit midis Francës dhe Gjermanisë buron nga kultura politike. Kameralizmi, domethënë modeli që në modernizmin e parë përshkruante një guidë burokratike të ekonomisë, mund të ishte një filozofi tërheqëse për një shtet, por kërkonte një shkallë të caktuar drejtimi të centralizuar. Franca, ndër të gjithë shtetet moderne, ngjan me shumë idealtipin e shtetit unitar të centralizuar. (…) Jo rastësisht, historianët i kanë lexuar impulset centralizuese të shtetit francez si një karakteristikë afatgjatë dhe një formë vijueshmërie që mbush distancat e mëdha që bile kanë ekzistuar midis dinastive dhe ideologjive, nga missi dominici e Karlit të Madh e të Merovingëve tek intendants e Luigjit XIV të Burbonëve, deri në strukturën e departamenteve me prefektët e emëruar nga qendra pas Revolucionit dhe Napoleonit, për të arritur tek restaurimi monarkik, tek Republika e 1848, në Perandorinë e Dytë, në Republikën III e kështu me radhë”. Në të kundërt, Gjermania moderne ka pasur gjithmonë një impiant similfederal, me përjashtim të 12 viteve të diktaturës naziste, që në fakt implementoi Gleichschaltung, politikën e centralizimit.
Përpara 1806, territoret në të cilat flitej gjermanishtja qenë të organizuar në një shoqatë mjaft të çlirë, Perandorinë e Shenjtë Romake; pas 1815, Konfederata gjermane përbëhej nga 38 shtete; edhe Perandoria, që lindi më 1871 me iniciativën e Prusisë së Bismarck, mbeti një lidhje principatash, me 3 shtetet e mëdha të jugut – Baden, Bavari e Württemberg – që bile ruajtën ushtritë e tyre. “Tradita gjermane theksonte idenë e Rechtsstaat, shtetit të së drejtës ose më saktësisht, rregullit të rregullave”. Madame de Staël donte të thoshte këtë kur në “De l’Allemagne” e tij ia kundërvinte “aftësisë për t’u shpëtuar detyrimeve” të vendeve latine “nevojës së nderuar të rregullave dhe të drejtësisë” të gjermanëve. Për arsye euristike, në botën e idealtipeve eklipsohen kontradiktat që bile nuk kanë munguar në shekuj: në parabolën e njohur gjermane, fshatari i varfër “Është një gjykatës në Berlin!” i Mbretit të Prusisë, Frederikut të Madh, që do t’i shpronësojë mullirin; por dramaturgu francez François Andrieuxw, duke iu referuar pushtimit të Silezisë nga ana e vetë mbretit prusian, shtonte gjithmonë se midis gjermanëve “on respecte un moulin, on vole une province ”, domethënë respektohet një mulli, por ndërkohë vidhet një provincë. Gjithsesi është e padyshimtë se ADN-ja federaliste e Gjermanisë moderne ka pasur pasoja mbi raportin midis shtetit dhe tregut, duke i shtyrë shtetet federale që të kërkojnë mekanizma të forta për të kontrolluar aktivizmin fiskal të shtetit qendror dhe kontrolluar prerjen e monedhës, duke kufizuar kështu përdorimin e atyre levave të politikës ekonomike që mund të gjeneronin artificialisht dizekuilibra midis kontraktuesve të ndryshëm të paktit federal. Sistemi financiar nuk qe më i imunizuar ndaj kësaj tendence: fuqimisht i koncentruar ai francez, që bile pas Luftës së Dytë Botërore është shtetëzuar pjesërisht dhe investimet e të cilit janë koordinuar për një kohë të gjatë nga Thesari; më i rajonalizuar në fakt ai gjerman, në qoftë se bëhet përjashtim për disa Grossbanken të transferuara në Frankfurt pas luftës (Deutsche Bank dhe Commerzbank).
Jo vetëm federalizëm: libri “The Euro and the Battle of Ideas” përshkuan lindjen e kundërvënies midis indit ekonomik të përhapur gjerman (Mittelstand) dhe djepit francez të kampionëve kombëtarë, ashtu si zhvillimin e marrëdhënieve industriale bashkëpunuese në Gjermani dhe të atyre kundërshtare në Francë. Traditat e ndryshme intelektuale në lëmin e ekonomisë kanë bërë pjesën tjetër për t’i larguar të dyja vendet në vigjilje të krizës bashkëkohore të euros. Ama me paradoksin, të zbuluar siç duhet nga autorët e librit, që në parantezën midis fundit të shekullit XIX dhe gjysmës së dytë të shekullit XX Franca në nivel intelektual ishte e dominuar nga liberalizimi ekonomik, ndërsa Gjermania ishte më shumicë stataliste. Në atë fazë filozofia ekonomike e laissez-faire përfaqësohej denjësisht nga mendimtarë si Jean-Baptiste Say (1767-1832) dhe Frederic Bastiat (1801-1850), të cilët reagonin ndaj kolbertizmit të përhapur nga kohërat e Luigjit XVI. Njëkohësisht ekonomistët gjermanë zhvillonin në fakt konceptin e Staatwissenschaft, në të cilin autoriteti publik thirret për të zgjidhur problemet e lidhura me veprimin kolektiv; dhe ndërsa praktika politike e Bismarck e erodonte parimin e Rechtsstaat, mendimtarë si Friedrich List (vdekur më 1846) e damkosnin free trade si një mekanizëm cinik prepotent në duart e anglezëve. Në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar, ekonomisti francez François Perroux e pasqyronte kështu largësinë midis shkolla të mendimit dominues në Francë dhe Gjermani: “Rreziku më i madh është kur dy aleatë nuk flasin të njëjtën gjuhë dhe kanë vlera morale e intelektuale të ndryshme”. Specifikisht, Perroux nënvizonte sesi Franca këmbëngulte mbi rregullat e mbi kontratat, ndërsa Gjermania parapëlqente një vizion feudal dashamirës, duke “mos pyetur për kontrata dhe firma”. Por pas 1945 ndryshon gjithçka: në Francë, me mosndërhyrjen publike në ekonomi u akuzuan si rritja e paktë, ashtu edhe prapambetja fiskale e morale përballë pushtimit nazist; kurse në Gjermani me nazizmin u shoqëruan tepritë e arbitaritetit të një shteti ndërhyrës.
Kështu, në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, kanunet intelektuale dominuese në fushën ekonomike rreshtohen sërish me korrentet e thella politike: me centralizmin dhe me predominimin e diskrecionalitetit francez lidhen fatet akademike e keynesianëve, ndërsa me federalizmin dhe me dominimin e rregullit gjerman lidhet formimi i mendimtarëve ordoliberalë dhe të ngjashëm. Përkrah çarjes tashmë të parë – rregull përballë diskrecionalitetit – në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore shfaqet kështu një tjetër me shtrirje të gjerë: përgjegjësi përballë solidaritetit. Për Haftungsprinzip gjerman, në qoftë se shkel rregullat, je përgjegjës; të gjithë entitetet që janë të lirë të veprojnë duhet edhe t’u përgjigjen pasojave të veprimeve të tyre. Kurse theksi franko jugor mbi solidaritetin, impenjimin për të ndarë barrën e më të dobtëve, është i gjetshëm qysh në Paragrafin e 21-të Declaration des Droits de l’Homme et du Citoyen e 1793: “Ndihmat publike janë një detyrim i shenjtë. Shoqëria ua detyron mbështetjen qytetarëve fatkeqë, si duke i siguruar atyre punë, ashtu edhe duke u siguruar mjetet e ekzistencës për ata që nuk janë në moshë që të mund të punojnë”.
Kështu, nga vitet pesëdhjetë, procesi i integrimit komunitar ka arritur vetëm të fshehë disa prej këtyre diferencave parimore. Vëmendja e establishmentit intelektual gjerman është e gjitha për themelet ligjore, morale dhe politike të treguar bazuar mbi rregullat; përgjegjësia financiare e aktorëve të veçantë të tregut ecin krah për krah me përgjegjshmërinë fiskale të politikanëve përballë votuesve; bixhozi moral i gjeneruar tek shtetet nga një politikë monetare e çrregulluar është një makth që e shtyn Berlinin të kritikojë publikisht edhe një prej shpëtimeve të para të Fondit Monetar Ndërkombëtar, atë të 1994-1995 në Meksikë. Konsensusi i qeverive dhe ekonomistëve francezë është i një lloji krejtësisht tjetër: rregullat janë me përkufizim subjekte të procesit politik dhe për pasojë, të një rinegociimi eventual; menaxhimi i një krize kërkon përgjigje fleksibël; ta kufizosh mundësinë e një qeverie për të vepruar dhe për pasojë, për t’u debituar do të ishte jodemokratike; politika monetare duhet të jetë në shërbim të objektivave më të mëdha sesa vetëm stabiliteti i çmimeve, si rritja ekonomike.
Papritmas, kjo skizmë e mendimit ekonomik në zemër të Europës nga e fshehtë është bërë gjithsesi hashiqare. Qëndrojnë kriza e ekonomisë greke më 2009, llogaritë publike të trukuara mbi shpatullat e Berlinit dhe të gjithë të tjerëve, rregullat e caktuara deri më aty që papritmas duken të shkruara mbi rërë, besimi reciprok midis shteteve që thërmohet dhe në mënyrë më prozaike, një recesion i rëndë në një vend të vogël PBB-ja e të cilit peshon me 2 për qindëshin e atij të përgjithshëm të Eurozonës dhe që prapë se prapë liderët e mëdhenj europianë nuk arrijnë të mbyllin. Armëpushimi filozofik midis Kantit (domethënë Gjermanisë) dhe Machiavelli (Francës dhe frontit jugor), shkruajnë autorët e librit, përfundon zyrtarisht më 2010. Ndërsa kriza greke ashpërsohet, të dy vizionet përplasen dhe ai gjerman del në fakt fitues. Në Ecofin e 16 marsit të atij viti, qeveria gjermane sfidon papritmas pozicionet e dhe të Bankës Qendrore Europiane duke iu hapur një mbështetjeje të Fondit Monetar Ndërkombëtar në shpëtimin e Athinës, përkrah Komisionit të Bashkimit Europian dhe të Bankës Qendrore Europiane: një vendim i maturuar në enturazhin më të ngushtë të Merkel, në të cilin ishte atëherë edhe Jens Weidmann, guvernatori i ardhshëm i Bundesbank dhe i diktuar nga mosbesimi ndaj qëndrimit tejet indulgjent të institucioneve komunitare.
Më 18 tetor të po këtij viti, në samitin e Deauville në Normandi, Presidenti i Republikës franceze, Nicolas Sarkozy i zhvat Kancelares Merkel një dobësim të lehtë të pushtetit të Komisionit të Bashkimit Europian për të persekutuar vendet anëtare që bëjnë shumë deficit dhe në shkëmbim, pranon që t’u shkaktohen humbje kreditorëve privatë në momentin e haircut të borxhit publik grek. Presidenti i atëhershëm i Bankës Qendrore Europiane, francezi Jean-Claude Trichet, në një bisedë private u tha të dy liderëve: “Kështu do ta shkatërroni euron”. Pasojat ekonomike e kësaj zgjedhjeje janë ende të debatueshme. Jo të gjithë e pranojnë tezën se ka nisur prej aty infektimi spekulativ mbi borxhet publike të Spanjës dhe Italisë, fakti është se famëkeqi spread me bonot nisi të ngjitet dhe kjo përkonte me vizionin gjerman të rregullave dhe të përgjegjësisë: tregjet duhet të sigurojnë një minimum disipline ex ante për të shmangur tepritë fiskale. Më 2010, sipas Brunnermeier dhe kolegëve, u asistua në një spostim të dyfishtë pushteti: fillimisht nga institucionet komunitare në aksin ndërqeveritar Paris-Berlin dhe më pas, në brendësi të këtij aksi, një spostim drejt Berlinit. Fajtor i një rënieje relative të ekonomisë së tij respektivisht asaj gjermane, Parisi kishte humbur ndërkohë peshën politike në brendësi të motorit të integrimit.
“Institucioni i vetëm europian që ka fituar njëfarë influence nëpërmjet eurokrizës, në mënyrë të ngadaltë, por të pandalshme, ka qenë Banka Qendrore Europiane”, shkruajnë autorët, midis të cilëve – ia vlen barra qiranë të nënvizohet – është ai, Harold James që i pari, kur ka shkruar librin e tij “Making the European Monetary Union”, ka pasur akses në arkivat e viteve tetëdhjetë të Eurotower. Në njëfarë mënyre, Banka Qendrore Europiane është bërë një instancë kompensimi, kreative, e tensioneve të brendashkruara në raportet midis Berlinit dhe Parisit. Pjesërisht kjo i detyrohet përbërjes së brendshme të Bankës: shumica e vendeve që përfaqësohen është e afërt me qasjen franceze të menaxhimit fleksibël të krizë dhe jo me atë gjerman të bixhozit moral për t’u kufizuar me sokëllimën e rregullave, në pikën që Bundesbanku ka përfunduar në minorancë në disa raste. Pas kësaj, zgjedhja për të fiksuar disa kushtëzime të politikës ekonomike në shkëmbim të blerjes së titujve publikë të vendeve anëtare (i së cilës janë autorë si Trichet, ashtu edhe pasuesi italian Mario Draghi), bashkë me lançimin në korrik 2012 të formulës “whatever it takes” bashkëlidhur me mburojën anti spread apo OMT (Draghi) dhe së fundi, me impulsin për të krijuar një Union bankar (Draghi, gjithmonë duke filluar nga 2012), kanë pasur një efekt transformues mbi rolin e Bankës Qendrore Europiane. Detyrë e tij është bërë ajo e stabilizimit të ekonomisë duke shkuar përtej kontrollit të thjeshtë të çmimeve. Duke “farkëtuar” idenë gjermane se “reformat lindin vetëm nga rrethana të pashpirt” në të cilën mund të gjenden vendet herë pas here. Për autorët kemi të bëjmë me “një kompromis të nevojshëm”, ku vizioni teuton ka dalë fitimtar nga Deauville. Dhe nuk do të jetë kompromisi i fundit i nevojshëm, nëse euro nuk do të dojë të bëhet viktima kolaterale e një përplasjeje në brendësi të qytetërimit europian.
(Nga Geopoliticus)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakPushteti ushqimor
Artikulli tjetërMe çfarë do të përballet Britania përpara Brexit?