Përleshje në Parlament, Maqedonia drejt destabilitetit

Maqedonia po shkon në destabilitetit. Protestuesit hynë me forcë dhe pushtuan Parlamentin e Maqedonisë. Situata kaotike vazhdon në ambientet e Kuvendit, në pamjet televizive vërehet i gjakosur lideri i LSDM-së, Zoran Zaev. Mediat raportuan se, kandidati për kryeministër dhe lideri i opozitës, Zoran Zaev është një prej të gjakosurve nga përleshja me mbështetësit e partisë së Nikolla Gruevskit. Situata është përshkallëzur për shkak të zgjedhjes në postin e Kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi. Ky i fundit është i pari shqiptar që zgjidhet në krye të Parlamentit të Republikës së Maqedonisë.
Drejtuesi i opozitës, Zoran Zaev është filmuar me gjak në fytyrë, në kaosin që pasoi hyrjen në sallë të mbështetësve të ish-kryeministrit Nikola Gruevski. Sipas informacioneve, nga përleshja në Parlamentin maqedonas ka mbetur i plagosur edhe lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela. Alsat-M raporton se, Sela është nga ata që janë dëmtuar më shumë. Jo zyrtarisht raportohet se Sela është në gjendje të rëndë, në disa foto të cilat janë publikuar shihet Sela i mbuluar i tëri në gjak.
Protestuesit po sulmojnë, gazetarët, politikanët nuk kursejnë askënd. Gazetarja e Alsat-M, Melihate Rustemi, raporton se ajo është tërhequr zvarrë nga një person. i cili ka tentuar t’i marrë mikrofonin. Alsat apelon që të mos dilet në rrugë pa ndonjë nevojë të madhe, por situata të përcillet përmes ekraneve televizive. Për shkak të sigurisë gazetarët nuk tregojnë se ku ndodhen, por janë në pritje të një sinjali se kur do të jetë e sigurte që të dalin nga salla e Parlamantit.
Protestuesit arritën t’i thyejnë të gjitha dyert, duke hyrë aty ku ndodhej shumica e re parlamentare dhe gazetarët. Zaev dhe truproja e tij janë më të lënduar nga të gjithë.

15 deputetë të plagosur nga partia e Zaevit

Ka shumë të lënduar, megjithatë për shkak të gjendjes katoike nuk dihet numri i saktë të lënduarve. Flitet për 15 deputetë të plagosur nga partia e Zaevit.
Protestuesit bëjnë thirrje për të bllokuar të gjitha daljet e Kuvendit nën arsyetimin që të mos lihet askush të delë nga Kuvendi. Ndërkohë në ambientet e Kuvendit nuk vërehet asnjë lëvizje nga forcat e rendit. Pas një ore kaosi në Kuvend, Policia bëri të ditur se është duke hartuar plan për nxjerrjen e gazetarëve dhe deputetëve nga Kuvendi. Në hapësirat e Kuvendit është vërejtur tym, që nënkupton se njësiti special po ndërhyn me bomba tymi.
Kryeparlamentari i sapo zgjedhur, Talat Xhaferi, në një linjë telefonike për Alsat-M deklaroi se, nuk ka nevojë për panik. “Nuk jemi të bllokuar, thjesht qëndrojmë këtu, nuk ka të bëjë me bllokimin. Ky qëndrim është i paraparë të jenë kështu në këto situata. Nuk ka nevojë për shqetësim”, deklaroi Xhaferi. Ndërkohë, Zaev përsëri ka kërkuar të ruhet gjakftohtësia. Në seancë nuk ishte i pranishëm kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.
Gjatë këtyre ditëve, në Maqedoni është përfolur rreziku i një lufte civile për shkak të krizës së thellë ku ndodhet vendi fqinj.

Ambasadorët e huaj, apel tek palët

Një numër i madh ambasadorësh u mblodhën për të dhënë deklaratë lidhur me situatën e krijuar në vend. Në mesin e ambasadorëve shihen ambasadori i Britanisë, Holandës, SHBA-së, Gjermanisë, e të tjerë. “Unë jam ambasadori i Suedisë dhe ambasadori më i moshuar kështu flas në emër të të gjithë kolegëve të mi. Kjo është absolutisht e papranueshme. Është koha për dialog dhe jo për dhunë. Apelojmë deri tek të gjitha palët që të përmbahen nga retorika nxitësi derisa policia të vendos rendin në vend”, deklaroi ambasadori suedez.

Talat Xhafari zgjidhet Kryetar Kuvendi në Maqedoni

Talat Xhafari nga Partia Bashkimi Demokratik për Integrim është zgjedhur Kryetari i ri i Kuvendit në Maqedoni. Xhaferi është i pari shqiptar që zgjidhet në krye të Parlamentit të Republikës së Maqedonisë. Pro tij kanë votuar deputetët e LSDM dhe të partive shqiptare, por ky zhvillim është kundërshtuar nga partia e Nikolla Gruevskit. Deputetët e VRMNO DPMNE kanë qëlluar kreun e opozitës, Zoran Zaev, i cili shfaqet i gjakosur. Nga ana tjetër njerëz nga rruga mbështetës të Gruevskit po futen në parlament. Forcat e sigurisë çuditërisht nuk ndërhyjnë. Situata është shumë katotike.

Mediat botërore: Çfarë po ndodh në Maqedoni?

Situata e tensionuar nuk është anashkaluar as nga mediat botërore. Protestuesit hynë në Kuvendin e Maqedonisë, pasi shumica parlamentare, Social Demokratët dhe partitë shqiptare votuan për të zgjedhur një shqiptar si kryeparlamentar, shkruan britanikja “Daylimail” online.
“Protestuesit vërshuan Parlamentin e Maqedonisë, pasi u votua për kryeparlamentarin”, është titulli i prestigjiozes amerikane “Washington Post”. Turma e protestuesve në Maqedoni ka thyer kordonin policor dhe ka hyrë në Parlament për të protestuar kundër kryetarit të ri pas diskutimeve të gjata me muaj të tërë për të formuar Qeveri të re, shkruan më tej “Washington Post”.
Çfarë po ndodh në Maqedoni?, shkruan “The Atlantic” duke vazhduar se protestuesit kanë hyrë në parlamentin e ish-Republikës Jugosllave, pasi u zgjodh kryeparlamentar një shqiptar.

Mogherini e Hahn dënojnë dhunën

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini dhe komisioneri për zgjerim, Johannes Hahn, e kanë dënuar dhunën në Parlamentin e Maqedonisë dhe e kanë vlerësuar pozitivisht zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetar të Parlamentit. Ne deklaratën e përbashkët të Mogherinit dhe Hahn thuhet:
“E dënojmë fuqishëm sulmin e sotëm që po vazhdon mbi anëtarët e Parlamentit në Shkup. Aktet e dhunës në Parlament janë plotësisht të papranueshme dhe bëjmë thirrje për qetësi dhe përmbajtje. Ministria e Brendshme dhe policia duhet të garantojnë sigurinë në Parlament dhe për anëtarët e tij.
Demokracia duhet të zbatohet. E vlerësojmë pozitivisht zgjedhjen e Talat Xhaferrit si kryetar të Parlamentit, sic është njoftuar.
Bashkimi Evropian është i bindur se dialogu politik në institucione është e vetmja rrugë përpara dhe iu bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë që të respektojnë Kushtetutën e vendit dhe të veprojnë në frymën e parimeve demokratike, mirësjelljes.
Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë është vend kandidat dhe Bashkimi Evropian është i gatshëm që të punojë me Parlamentin në reformat e nevojshme për të shtyrë vendin përpara në rrugën e tij evropiane”, thuhet në kumtesë.

Xhaferi: Institucionet do të krijohen në bazë ligjeve dhe Kushtetutës

Kryetari i sapo zgjedhur i Kuvendit, Talat Xhaferi, edhe pse në kushte të jashtëzakonshme për gazetarët deklaroi puçistë të vërtetë janë ato funksionarë të VMRO-DPMNE-së që me muaj të tërë bllokuan institucionet shtetërore. Xhaferi u zotua se do të krijohen institucionet në bazë të ligjit dhe Kushtetutës. “Si kryetar i zgjedhur edhe pse në këto rrethana në asnjë mënyrë nuk do të lejojë uzurpim të institucioneve”, tha kryeparlamentari Xhaferi.
Gazetari i Alsat-M nga Kuvendi raporton për gjendje e jashtëzakonshme atje. Protestuesit kanë hyrë brenda në sallën kryesore, ndërkohë në sallën e press-konferencave janë të bllokuar bashkë gazetarët me shumicën parlamentare. Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, ka apeluar të ruhet gjakftohtësia.
Shumica parlamentare në Kuvend, deputetët e LSDM-së, Alencës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa, zgjodhën Talat Xhaferin kryetar të Kuvendit. Menjëherë pas votimit, Xhaferi ka dhënë betimin, ndërkohë froni i kreut të Kuvendit po mbahet e bllokuar nga deputetët e VMRO-së.
Ndërkohë situata jashtë është mjaft e tensionuar. Protestuesit “Për Maqedoni të Bashkuar”, të cilët janë mbledhur para godinës së Kuvendit duke shprehur revoltën e tyre tashmë kanë hyrë brenda në Kuvend.

Artikulli paraprakBerisha-Ramës: Do ikni të veshur me fustanë si në ’96
Artikulli tjetërAutobusë me nxënës nga rrethet në mitingun e Ramës në Kavajë