Berisha-Ramës: Do ikni të veshur me fustanë si në ’96

Ish-Kryeministri Berisha paralajmëroi dje fundin e pashmangshëm të Ramës dhe largimin e tij nga pushteti, bashkë me narkotrafikun e krimin e organizuar, me të cilët sot ai qeveris vendin. Berisha foli dje në ditën e 69 të protestës në sheshin e lirisë, ndërsa i bëri thirrje Ramës të largohet e t’i hapë rrugë krijimit të qeverisë teknike, çka do të garantojë mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ai tha se opozita nuk do të tërhiqet nga kauza e saj për zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërsa shprehet e vendosur për të bërë çdo sakrificë për mbrojtjen e votës së lirë. “Këtu karshi nesh është një drogmen, një përdorues droge pervers, karshi nesh është një njeri i papërgjegjshëm që e shndërroi Shqipërinë në narkorepublikë dhe ju them të lexoni se çfarë janë narkorepublikat. Narkorepublika ka ekzistuar vetëm një në botë. Nuk është Kolumbia, nuk është Meksika, por ishte Panajama e Noriegës, njeriu të cilin e ndihmuan për të bërë demokraci dhe shtet ligjor, por që e shndërroi Panamanë në epiqendër të të gjitha trafiqeve të Amerikës Latine, që e bëri bankën e tij, njëlloj si Edi Rama sot, kanal të zi të larjes së parave të drogës. Edi Rama, njëlloj si Noriega pasi bëri fushatë të gjerë për legalizimin e drogës, pasi u dha dritë jeshile dhe urdhëroi policinë për të ndërtuar infrastrukturën e mbjelljes së saj, tani kërkon votat nëpërmjet drogës. Ne jemi këtu për t’i thënë atij, por dhe mbarë botës, se jemi të vendosur për të bërë çdo sakrificë për votën tonë të lirë, për të çmontuar republikën e Noriegës, për të çmontuar narkorepublikën dhe për të ndërtuar këtu shtetin ligjor, republikën e ligjit, atë të lirive dhe të drejtave të qytetarëve. Vjen tek ju me fjalë boshe, kakaris si gjel në pleh! Pyesni prindërit tuaj, pavarësisht nga përkatësia partiake, cilin nga 41 premtimet kryesore ka mbajtur Edi Rama në këto katër vite? Sot gazeta më e madhe e botës gjermane ‘Frankfurter Allemigne Zaitung’ i jep një përgjigje për të gjithë ju. Që të gjitha premtimet e tij u faktuan pas katër vitesh vetëm fjalë boshe, shprehet ajo. Ju të rinj që ishit me detyrim dje në Korçë: Pyesni prindërit tuaj, cilit prej tyre i shkoi rruga tek ngastra gjatë këtyre katër viteve, cilit prej tyre i shkoi uji tek parcela këto 4 vite, cili prej tyre shiti prodhimet më mirë gjatë këtyre katër viteve? Cili prej tyre mori naftën pa akcizë gjatë këtyre katër viteve, cili prej tyre mori naftën pa taksën e qarkullimit gjatë këtyre 4 viteve? Cili prej tyre mund t’ju thotë se ai premtoi para katër viteve se do të barazonte pensionet e fshatit me të qytetit? Cili mund t’u thotë se vërtet ky ka 5-fishuar investimet për fshatin shqiptar? Atëherë të gjithë ju, bashkë me prindërit tuaj duhet të ngriheni fuqishëm kundër një mashtruesi që kërkon t’ju grabisë dhe plaçkisë ju votën dhe të ardhmen për karrigen e tij. E njëjta gjë është në qytet. Premtoi heqjen e taksave për biznesin e vogël! Vetëm qiranë e ka bërë më të lartë se sa ç’paguanin të të gjitha taksat biznesmenët e vegjël. Premtoi se do të ulte korrentin, të hiqte TVSH-në e ushqimeve. Sot ato janë  qartësisht 15% më shtrenjtë se ç’ishin 4 vite më parë. Ndaj thonë gazetat e botës se ky kreu juaj që të gjitha i ka fjalë boshe”, tha Berisha. Berisha u ndal tek turi i Ramës së fundmi në qytete të ndryshme të vendit, ndërsa vuri në dukje mashtrimet me të cilat ai u drejtohet qytetarëve. “Edi Rama po shëtit këto ditë nëpër Shqipëri si fantazma e Nastradinit, me një moto për të zëvendësuar mashtrimet e vjetra me gënjeshtra të reja. Në çdo takim u thotë qytetarëve: ‘Kemi bërë shumë, por më shumë do të bëjmë’, pra kemi mashtruar shumë, por më shumë do të mashtrojmë. Këto kohë, meqë kjo është pranvera më e thellë e vetmisë së tij, me detyrim merr nxënësit e shkollave nga Delvina dhe i sjell në Vlorë, nga Elbasani dhe Përrenjasi i çon në Korçë. Unë me ndjenjat më miqësore iu drejtohem këtyre të rinjve: Mos u mashtroni nga ky njeri, i cili pas diktatorëve të diktaturës komuniste është armiku më i egër personal i çdo të riu shqiptar. Shtroni sot pyetjen vetes: Çfarë ka ndodhur me shkollimin tuaj në këto 4 vite? Do të gjeni se familjet tuaja ishin të detyruara në vitin 2016 të paguanin tre herë më shumë tarifën e shkollimit se në vitin 2013”, tha Berisha. Duke iu referuar pikërisht ligjit klientelist të arsimit, Berisha tha: “Do të gjeni se në vitin 2017, me ligjin e mbylljes së dyerve të universiteteve për të varfrit, çdonjëri prej jush do të paguajë 4 herë më shumë se ç’paguante 4 vite më parë si tarifë universitare. Pra, çdo familje, do të paguajë për një fëmijë sa ç’paguante katër vite më parë për tre ose katër fëmijë për të shkolluar. Shkollimi është vetëm njëra anë. Hidhni sytë tek bashkëmoshatarët tuaj. Cili prej tyre është punësuar? Sa prej tyre janë punësuar? Papunësia në vitin 2013 për të rinj ka qenë 21%. Papunësia për të rinjtë sot është rreth 50%. Lini shifrat, hidhni sytë tek bashkëmoshatarët tuaj, tek njerëzit që ju njihni: Janë të punësuar apo janë të detyruar të largohen nga vendi i tyre për kafshatën e gojës, për punë sepse punë nuk gjejnë në Shqipëri?! Së treti, ju jeni të rinj, ne po luftojmë në këtë çadër, po luftojmë në mbarë Shqipërinë më shumë se për çdo gjë tjetër për ju dhe të ardhmen tuaj! Kur vendi juaj nuk ju siguron një shkollim, me Noriegën në krye, ju bën gjëmën me drogën. Ju jeni të rinj, vajza dhe djem, mund të ketë prej jush që dhe thith ndonjë cigare hashash dhe ajo ka shijen e vet. Ka prej jush që shkojnë edhe më tutje. Por edhe një gjë jua them me dashurinë, respektin dhe dhembjen më të madhe: asgjë nuk ju shkatërron ju të ardhmen, asgjë nuk shkatërron më shumë karakterin dhe njeriun, forcën dhe vitalitetin e tij sesa droga dhe kjo betejë që ne bëjmë është se ne besojmë tek ju, besojmë tek e ardhmja e Shqipërisë në duart tuaja”, tha Berisha.

Si u evakua Rama nga Blloku në Zall Herr kur rrëzohej busti

Berisha ka shprehur bindjen se do të jetë forca e revoltës popullore, e cila do të largojë përfundimisht Ramën nga pushteti dhe do t’i rezervojë atij fundin e merituar. “Ky është narkoshteti, ky shteti i banditëve, i bandave, i organizatave kriminale, ky shtet duhet të çmontohet! Çdo ditë na takon të mendojmë për format më të fuqishme të mosbindjes civile dhe i themi Edi Ramës: Mos guxo, mos guxo të bësh hapa drejt zgjedhjeve se do të kesh fundin fatal që meriton me duart e tua! Të jesh i bindur që ata që ke rreth teje dhe nuk të lejojnë ty të japësh dorëheqjen, nuk kanë asnjë hall tjetër veç milionat që kanë vjedhur së bashku me ty, nuk kanë asnjë dhembshuri apo dashuri për ty përveç mundësisë për të vjedhur dhe më shumë. Ata do t’ia mbathin, midis tyre dhe të veshur me rroba grash siç bëri Gramoz Ruçi më 1996-ën. Po tani nuk është më ’96, por është revolucioni demokrat që do t’ju kërrejë me radhë aty ku e meritoni. Edi Rama, mos imagjino se mund të shkosh në zgjedhje duke ua përvetësuar votën shqiptarëve. Jetën janë të vendosur ta japin, por votën jo! Mjerë ti po vazhdove në këtë rrugë! Të hënën që kaloi, revolucioni demokratik, që ka shtatmadhorinë në këtë çadër, ka shtabin e vet në këtë çadër, ka trurin e vet në këtë çadër, ka zemrën e vet në këtë çadër njohu një zhvillim të ri të madh: Filloi mosbindjen civile, e cila do të flakë Edi Ramën në koshin e plehrave të historisë njëlloj si etërit e tij! Dua t’ju kujtoj një moment: Më 20 shkurt 1991, është evakuuar me autoblind të ushtrisë Ramiz Alia bashkë me familjen e tij dhe njerëzit e tjerë dhe është dërguar në Zall Herr. Tani Edi Rama nuk ka Zall Herr më për ty. As në Surrel nuk mund të rrish. Të garantoj se kjo çadër shumë shpejt do të të kërrejë ty nga ajo zyrë, do të të japë vendin që meriton. Mos mendo që do të çojë Mimi autoblindat, se nuk do të jetë as ajo aty ku është”, u shpreh ish-kryeministri.

Mashtrimi me legalizimet, lejet janë falso

Berisha denoncoi dje mashtrimin që Rama po bën ndaj qytetarëve me shpërndarjen e lejeve të legalizimit, ndërsa tha se lejet që shpërndan qeveria nuk janë gjë tjetër veçse letra falso pa asnjë vlerë. “Shëtit si fantazma e Nastradinit nga një zonë në tjetrin duke shpërndarë lejet e legalizimit. Po ç’janë ato? Letra më e pavlerë që ekziston! Qytetarë, leja e legalizimit është një letër falso, me të cilën ai do t’ju hedhë hi syve për mashtrimin që u bëri se do të bëjë legalizimet falas, se edhe Enver Hoxha po të ngrihet s’do t’u prishë dot shtëpinë e tyre, se ju s’do të paguani një qindarkë për legalizimet. Pyesni pak: Sa janë tarifat sot krahasuar me 3 vjet më parë? Janë 60% më të larta dhe ka tendencë t’i rrisë më shumë! Sa janë tapitë e firmosura? As 1000 nuk janë. Të gjitha ato që jep janë leje mashtrimi.
Kini besim se PD, se qeveria e ardhshme e kryeministrit Lulzim Basha do të konsiderojë tapinë 1 euro për të gjithë ju, për të mbyllur njëherë e përgjithmonë në koshin e plehrave të historisë Nastradinin që ka dy muaj që jeton me maskë në zyrën e tij”, tha Berisha.

Rama, autori i bllokimit të Reformës në Drejtësi

Shkelja e marrëveshjes së 21 korrikut në lidhje me Reformën në Drejtësi nga ana e Edi Ramës bëri që sot një vit pas arritjes së marrëveshjes, reforma të jetë e bllokuar dhe përgjegjës për këtë bllokim është vetë kryeministri.
“Çadra e lirisë, protesta e opozitës, është bërë një çështje europiane, çështje botërore vetëm e vetëm se çështje europiane, çështje perëndimore e botërore është liria e votës, është vota e lirë. Ju keni dëgjuar dhe do të dëgjoni prapë, miq, vizitorë, që thonë PD të votojë reformën. Unë ja u them me respektin më të madh që kam ndaj tyre, me ndershmerinë më të madhe se s’bëjnë gjë tjetër vetëm përsërisin një mashtrim të Edi Ramës. Sepse PD, siç po qëndron për votën, po qëndron edhe për ato parime mbi të cilat ndërtohet drejtësia e çdo vendi të lirë. Ndaj ju qytetarë në këtë çadër dhe kudo që jeni, duhet të uleni dhe t’i shpjegoni çdo shqiptari të vërtetën siç është. Më 21 korrik, Lulzim Basha, Ilir Meta, Edi Rama bashkë me diplomatë të huaj ranë dakord për të votuar Kushtetutën, për të votuar bashkërisht reformën zgjedhore, 7 ligjet e drejtësisë. Nga mbarë bota, jo Edi Rama, por  Lulzim Basha mori përgëzimet më të zjarrta dhe urimet më të përzemërta. Të nesërmen, Edi Drama, Edi Ligësia shkeli marrëveshjen! Nga 7 ligje, votoi 6 prej tyre pa konsensus. Do të votonte edhe Prokurorinë speciale, por e ndaloi ambasada amerikane, e cila i nxori kartonin e kuq dhe i tha se ligjet marrëveshja i parashikon të votohen, me konsensus, ndryshe po e votove pa konsensus qeveria amerikane s’të mbështet. E bëri për sytë e bukur të opozitës apo për dashurinë ndaj opozitës? Jo! E bëri se opozita po mbronte ato parime që janë jetike për një prokurori që të funksionojë në përputhje me ligjin dhe jo diktatin e qeverisë. Ndaj ne e votuam atë dhe ai ligj është i votuar. Të dashur qytetarë, duhet ta dini se shkatërrimtari dhe pengesë kryesore e Reformës në Drejtësi është Edi Rama sepse është i lidhur nga gishti i këmbës deri në truallin e kokës me krimin, drogën, vjedhjen.
Është Edi Rama që jeton në një rezidencë të gjatë sa një pallat, për të cilën s’ka shpenzuar asnjë qindarkë, është Rama që ka ndërtuar pallat 5-katësh kur ishte kryebashkiak pa asnjë faturë, është Edi Rama sepse sa erdhi në pushtet, bashkë me vëllain filloi trafikun e kokainës, është Edi Rama sepse për paratë e drogës hapi drogën në të gjithë Shqipërinë dhe krijoi këtu narkorepublikën. Është Edi Rama, sepse vetëm me klanin Nushi kanë përvetësuar para të të sëmurëve shqiptarë, para të taksapaguesve shqiptarë në tendera dhe koncesione mbi 400 mln dollarë. Është Edi Rama që ndau qindra miliona euro me CEZ në kurriz të taksapaguesve. Ky s’po bën shtet, por vetëm narkorepublikën. Para pak minutash po lexoja sesi firma e një trafikanti, firma e një të akuzuari për vrasje, firma e kryetarit socialist të Bashkisë së Poliçanit ka detyrime ndaj KESH-it të papaguara, 180 mijë USD! Mendoni për një moment, një statistikë tjetër: Më 2015 thotë policia, arrestuam 22 mijë shqiptarë se nuk kishin paguar faturat e energjisë elektrike. E arrestuan tjetrin dhe vdiq në burg për 35 USD! E lanë të vdiste nga i ftohti një nënë 90-vjeçare në fshatrat më të thella të Mirditës kurse baroni i drogës dhe i vrasjeve, miku i ngushtë i Edi Ramës nuk paguan 180 mijë USD”, tha Berisha.

A.Shahini

Artikulli paraprakBasha: Drejtësia franceze bëri drejtësi për Haradinajn
Artikulli tjetërPërleshje në Parlament, Maqedonia drejt destabilitetit