Përkujtohet kryengritja e Postribës

Postriba përkujtoi dje 71-vjetorin e kryengritjes së parë antikomuniste në vend. Ceremonia e organizuar me këtë rast nisi me vendosjen e kurorave me lule në memorialin kushtuar kësaj ngjarjeje. Në fjalën e saj, kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje, si dhe lexoi letrën e dërguar nga kreu i opozitës, Lulzim Basha, i cili për shkak të seancës së parë plenare të kësaj legjislature, nuk mund të ishte i pranishëm.
Për ish-të përndjekurit mesazhet e përcjella në përkujtimin e kësaj ngjarje shkuan edhe kundër zgjedhjes së Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit. 9 shtatori i 1946, shënoi revoltën e parë antikomuniste dhe me përmasat që mori, u cilësua e para e këtij lloji jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Evropën Lindore. Kjo kryengritje u shtyp me dhunë duke shkaktuar 38 të vdekur dhe shkatërrime të shtëpive të banorëve të zonës.
Rrethi i Shkodrës, kampion i demokracisë të luftës për liri, rreshti i parë në historinë e Shqipërisë kishte filluar organizimin, rezistencën antikomuniste për një kryengritje të madhe popullore. Komuna e Postribës shtrihet në pjesën verilindore të qytetit të Shkodrës, me qendër te Ura e Mesit, e përbërë nga 12 fshatra. Populli i kësaj zone, historikisht përmendet për trimëri, besë, bujari dhe punëdashës.

Artikulli paraprakInvestitorët dynden në Europën Qendrore
Artikulli tjetërA është ky fundi i Tahirit?