Përjashtohen 6 deputetët e opozitës, Noka: Në pamundësi për t’i dhënë drogë, hodhëm miell për batakçiun

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka tha nga selia e Kuvendit, se kuksianët e kishin porositur për t’i hedhur kryeministri miell, ndërsa shtoi se seanca e sotme parlamentare është vetëm fillimi i një beteje pa kthim kundër Edi Ramës.
“Kuksianët më porositën që t’i bëjmë dhuratë sot nga sofra e tyre e varfër ca miell batakçiut Edi Rama, në pamundësi për të pasur fuqi ekonomike për t’i dhënë pluhurin e bardhë, atë që quhet drogë. Por, seanca e sotme është vetëm fillimi i një beteje pa kthim ndaj kryehajdutit, kryemafiozit, qeverisë së tij, ndaj bandës së tij deri në rrëzimin e kësaj klike kriminale që për fat të keq quhet sot qeveri e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Noka.
Byroja e Kuvendit ka vendosur të përjashtojë 6 deputetë të opozitës dhe ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati.
Byroja ka vendosur përjashtimin për 10 ditë të deputetëve, Edi Paloka dhe Ervin Salianji, Flamur Noka, Klevis Balliu, Endrit Brahimllari, Keidi Mehmetaj.
Pas mbledhjes së Byrosë, deputeti demokrat, Edi Paloka, tha se vendimi pritej, ndërsa shtoi se kryeministri nuk përjashtohet edhe pse ka ofenduar popullin duke e krahasuar me organin gjenital.
“Vendimi që pritej. U dënuan deputetët e opozitës, megjithëse ishin atje sot thjesht në një reagim krejt normal në mbrojtje të qytetarëve të burgosur të Kukësit që edhe vet Rama i ka shpallur të pafajshëm dhe në mbështetjen e kërkesës sonë logjike për përjashtimin e një kryeministri që ka fyer popullin e tij. Një kryeministër që krahason popullin e tij me organin gjenital të mashkullit ndodh vetëm në Shqipëri. Nuk ka ndodhur edhe me politikanin më bastard”, u shpreh Paloka.

Artikulli paraprakZbardhet dosja/ Ja si u bë pronar tokash në bregdet, deputeti i Ramës, injoroi vendimin e gjykatës
Artikulli tjetërLufta bërthamore në prag, TV shtetëror rus këshilla mbijetese