Perisiç do të qëndrojë te Interi

Ivan Perisiç do të mbetet thjesht një ëndërr për Manchester United dhe Jose Mourinhon. Kroati ishte objektivi i parë i Djajve të Kuq për krahët e sulmit, por pavarësisht milionave që i ofroi United, 28-vjeçari ka zgjedhur të qëndrojë te zikaltërit. Gjithçka për meritë të trajnerit Luçiano Spaleti, i cili ka arritur ta bindë Perisiçin të vazhdojë aventurën e tij me Interin, pasi zikaltërit kanë projekt ambicioz dhe kërkojnë të rikthehen sa më shpejt në majat e futbollit italian dhe atij europian.
Në përfundim të miqësores së fituar me shifrat 1-0 ndaj Real Betis, suksesi i 5-të radhazi për Interin, Spaleti i pyetur në lidhje me Perisiç deklaroi: “Ivan është i vendosur për të qëndruar, kam biseduar me futbollistin dhe ai dëshiron të bëjë mirë te Interi duke treguar të gjithë profesionalitetin e tij”. Fjalë këto të njeriut që vendosi veton që Perisiç të mos largohej dhe ia arriti qëllimit për ta mbajtur në skuadër sulmuesin kroat. United ishte gati ta çonte në plot 55 milionë euro ofertën për 28-vjeçarin, por tashmë as një shifër e tillë mund të mos mjaftojë edhe pse plotëson kërkesat e drejtuesve të Interit, kjo për vetë faktin se zikaltërit do ta kishin të pamundur të zëvendësonin një lojtar si Perisiç në ditët e fundit të merkatos, pasi Manchester United kurrsesi nuk pranon që në marrëveshje të përfshihej huazimi me të drejtë blerjeje i francezit Anthony Martial.
Interi ndërkohë pritet t’i ofrojë një kontratë të re Perisiçit me një pagë të përafërt me atë të Mauro Icardit, duke zgjatur marrëveshjen aktuale nga 2020 më 2021-shin, me lojtarin që mund të përfitojë 5 milionë euro në sezon plus bonuset.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërInter kërkon yllin e Unitedit