Përgjimet italiane, mashtrimi i Tahirit! Shoferi i kamionit quhet Melo, jo Saimir

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri deklaroi pak ditë më parë se në përgjimet e Habilajve nga Prokuroria e Katanias nuk është përmendur emri i tij. Tahiri tha se, Saimiri që përmendet nga Habilajt në përgjime është shoferi i kamionit. Gazetarja Alba Kepi në një lidhje telefonike nga Italia me analistin Artur Zheji në “Ora News”, sqaroi pretendimin e ish-ministrit Saimir Tahiri në lidhje me emrin e shoferit të kamionit. Kepi tha se, shoferi i kamionit quhet Melo dhe jo Saimir. “Në të vërtetë, shoferi i kamionit quhet Melo. Është ai që merrte sasinë e parave. Nuk ka një Saimir shofer kamioni. Paratë i transportonte në momentin kur grupi nisej nga Italia drejt Shqipërisë. Këto para i merrte personi Melo, i cili i sillte me kamion në Shqipëri. Habilajt nuk kishin para gjatë rrugës”, u shpreh Kepi.
Gazetarja Kepi tha më tej se, në dosjen e Prokurorisë së Katanias makina tip “Audi” që përdornin Habilajt cilësohet që është e ministrit të Brendshëm, Saimir Bashkim Tahiri. “Pozicioni i Moisi Habilajt është një nga më të rëndit në këtë hetim. Nuk janë vetëm përgjime ambientale, por edhe telefonike. Përgjimet janë bërë edhe në makina, por çuditërisht në ato materiale që kam kaluar nuk ka asnjë përgjim në “Audi”-n e ish-ministrit Tahiri. Kjo mbase se hetuesit italianë nuk kanë arritur të bëjnë përgjime në këtë makinë. Pse mbrohej nga imuniteti ose ka qenë e pamundur. Në këto materiale, cilësohet që kjo makinë është e ministrit të Brendshëm, Saimir Bashkim Tahiri”, u shpreh gazetarja Alba Kepi.
Emri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ka dalë nga përgjimet ambientale të Policisë Italiane, e cila ka vënë në pranga rrjetin e bandës së “Habilajve” nga Vlora. Moisi Habilaj është kushëriri i Saimir Tahirit, i cili ka përdorur makinën e ministrit të Brendshëm të asaj kohe për të kaluar në Itali, makina “Audi Q8”, AA 003 GB, e cila u denoncua nga opozita.
Në dokumentin prej rreth 400 faqesh të Prokurorisë së Catanias, janë publikuar mesazhe të personave të arrestuar dhe përgjimet ambientale, të cilat janë bërë kryesisht kur kanë qenë në makinat e tyre. Emri i Saimir Tahirit ka dalë në përgjimin ambiental të 16.12.2013, në makinën e Moisi Habilajt dhe ortakut të tij, Sabaudin Çelaj, i njohur me nofkën “Sabi”.
Në këtë përgjim theksohet se Tahiri bën në muaj rreth 5 milionë euro fitim nga paratë që merr nga organizata e tyre. Habilaj, në bisedë, duket se rivalizon me Saimir Tahirin, për faktin se ai merr më shumë para se ata që bëjnë punën, por ortaku i tij, Sabaudin Çelaj, thekson se Tahiri do t’i humbë të gjithë ato para në fushatë elektorale. Ndërkohë që në një përgjim të dytë, Moisi Habilaj ka deklaruar se i ka blerë bashkëshortes së Saimir Tahirit një byzylyk që kushton mbi 4000 euro.
Ata sigurohen që emri i Tahirit të mos dalë te bashkëpunëtorët e tjerë, madje faktin që i kanë dhënë para ministrit, nuk duhet ta marrë vesh as nipi. Ndërkohë, që në një përgjim tjetër, Moisi Habilaj ka bërë llogaritë dhe ka thënë se 30 mijë euro për ngarkesën ia ka detyrim direkt Saimir Tahirit. Ndërsa në një përgjim Moisi Habilaj bën llogaritë që, Saimiri, në një muaj, fiton minimumi 5 milionë euro. Prokuroria Italiane, në materialin voluminoz, ka sqaruar në disa raste se Saimir Tahiri është ministri i Brendshëm i Shqipërisë, njëri me influencë në politikë.

Arrestimi “sekret” i financierit të bandës së Habilajve

Frika e dekonspirimit nga autoritetet policore shqiptare të operacionit për prangosjen e Nezar Seitit si anëtar i grupit kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj, solli në Shqipëri vetë oficerët e Policisë Gjyqësore të Katanias për të dorëzuar urdhër-ndalimet ditën e arrestimit të tij në Vlorë. Seiti konsiderohet nga Prokuroria e Katanias si personi, i cili kujdesej për financat e anëtarëve të bandës së Habilajve.
Edhe në komunikatën e bërë publike nga organi i akuzës së Katanias, thuhet zyrtarisht se, matarialet hetimore në ngarkim të 11 shtetasve të implikuar në Itali në rrjetin e narkotrafikut, u dorëzuan në Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo shmangie e policisë, për arrestimin e Nezar Seitit, lidhet me frikën e rrjedhjes së informacioneve të klasifikuara nga zyrat e Interpolit shqiptar.
Ky është rasti i dytë që policia shmanget në mënyrë të drejtpërdrejtë nga operacionet, duke mos u njoftuar për arrestimin e personave të konsideruar të rrezikshëm nga vendet anëtare të BE-së. E njëjta mënyrë u përdor edhe me dosjen sekrete të mbërritur nga Belgjika për Mark Frrokun. Oficerët belgë nuk njoftuan Policinë e Shtetit, ose nuk dërguan letër-porosi në Ministrinë e Drejtësisë siç procedohet në shumicën e rasteve të personave me rekorde kriminale, por i dërguan ato dorazi në Prokurorinë e Përgjithshme.
Për 40-vjeçarin Seiti dhe për pjesën tjetër të grupit kriminal të drejtuar nga vëllezërit Habilaj, materialet në vendin tonë kanë mbërritur me dy “CD”, brenda të cilave ndodheshin rreth 1800 faqe materiale nga hetimi i çështjes. Të martën janë paraqitur në Gjykatën e Katanias për rivlerësim të masës së sigurisë pjesëtarët e grupit kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj, që u vunë në pranga në mes të muajit tetor. Ende nuk ka një vendim të trupit gjykues në Katania, nëse do të lërë fuqi arrestin me burg për të akuzuarit për trafik ndërkombëtar droge apo do të caktojë një masë më të lehtë.

Provat që fundosën mikun e “Habilajve”

Prokuroria për Krime të Rënda po hetonte prej muajit maj të 2016, një grup kriminal të drejtuar nga Taulant Haxhiraj, që dyshohej për bashkëpunim me Habilajt. Në dosje thuhet se anëtarët e grupit kriminal në fjalë, pasi kishin siguruar sipërfaqe toke në pyll apo kullota, në pronësi të shtetit ose të personave privatë, kultivonin në to bimë narkotike në sasi nga 4500 deri në 5000 rrënjë për secilën parcelë.
Sipas Prokurorisë, grupi kriminal kishte vendosur lidhje me punonjës të Policisë Vendore, të cilët kundrejt përfitimeve monetare u siguronin mbarëvajtjen e aktivitetit të paligjshëm. Zyrtarët e policisë jo vetëm nuk raportonin për vendndodhjen e parcelave, por informonin pjesëtarët e grupit kriminal për lëvizjet që bëheshin nga Drejtoria Vendore dhe kontrollet që ushtroheshin nga Policia.
Sipas materialit rezulton se parcelat ndodheshin në një zonë të pyllëzuar mes fshatrave Vezhdanisht e Treblovë. Jo shumë larg plantacioneve, grupi kriminal kishte ndërtuar kapanone për tharjen e lëndës narkotike.
Gjashtë muaj pas sinjalizimit nga Policia, Krimet e Rënda firmosën arrestimin e Armand Koçerrit, një prej njerëzve më të afërt të Habilajve, pasi në shtëpinë e tij në Babicë të Vogël u sekuestrua një sasi prej afro 4 tonë kanabis. Pas infermierit të Babicës në pranga ra edhe një tjetër bashkëpunëtor, Nezar Seitaj, që jo vetëm kërkohej nga Prokuroria e Katanias, por ishte skeduar dhe po hetohej edhe nga Prokuroria. Vetëm pas arrestimit të Moisi Habilajt në Itali, Prokuroria e Krimeve të Rënda çeli hetim ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, me dyshimet për përfshirje në grupin e kushërinjve të tij.

Artikulli paraprakA ka lidhje Trump me akuzat e ngritura ndaj bashkëpunëtorëve të tij nga Prokurori Special, Mueller?
Artikulli tjetërHetimet ndaj Habilajve nisën pas zëvendësimit të Tahirit nga Xhafa