Përgatitja e derbit si “provincial”, gabimi fatal i Gattusos!

Humbja në derbi ka rikthyer Milan në pikën e nisjes, duke hedhur poshtë gjithçka të mirë të bërë në këto javët e fundit. Trajneri Gennaro Gattuso tashmë është nën akuzë, jo për faktin se nuk di të stërvisë apo për pikët në renditje, por sepse kuqezinjtë zhvilluan ndeshjem më të dobët të sezonit.
Mënyra se si trajneri e kishte përgatitur sfidën ndaj Inter ishte totalisht e gabuar. Milan u vendos mbrapa si një ekip provincial dhe, madje, edhe ndërrimet e bëra nga Gatuso, të pakuptimta, ishin në këtë kuadër. Cutrone në krah të majtë dhe jo në skemën 4-4-2 përkrah Higuain, apo Kessie që i lë vendin Bakajoko dhe Abate i hedhur në fushë dy minuta nga fundi në vend të Kalabrias në të djathtë.
Gjithçka gabim, me në fund gjysmë dhuratën e Donarumma, në një tjetër dalje të pallogaritur, duke i hapur Ikardit dyert e rrjetës.
Të gjithë fajtorë, por sidomos trajneri dhe portieri, që nuk i shmangen kritikave edhe të tifozëve. Higuain i izoluar, nuk mund të bënte asgjë. Calhanoglu vazhdon të mos shfaqë klasin e tij, ndërsa Suso u bllokua totalisht. Sigurisht, ka ende shumë rrugë përpara, por fjalët e Gatuso-s “më pëlqeu skuadra” këtë herë ngjajnë më shumë si një dalje nga përgjegjësitë.
Trajneri foli edhe për mungesë guximi, apo edhe ekuilibra të prishur, duke nënvizuar se në mentalitet pa diçka përpara. Por, për të parë goditjen e parë në portën kundërshtare u deshën 80 minuta, disa pyetje duhet t’i bëjë vetes.

Icardi, 5 gola në 4 derbet e fundit
Mauro Icardi është përfundimisht njeriu i momentit tek Interi, pasi vendosi për herë të fundit derbin e Madoninës kundër Milanit. Një derbi që dukej i destinuar të mbyllej në barazim pa gola. Por, marrëdhënia e tij me përplasjen e ethshme të Milanos nuk ka qenë gjithmonë aq idilike.
Në historinë e tij kundër Milanit, si lojtar zikaltër (me Sampdorian ai luajti vetëm një herë kundër kuqezinjve, duke mbetur thatë), Icardi ka luajtur njëmbëdhjetë derbi, nga sezoni 2013-2014 deri në atë të mbrëmshmin.
E pra, deri dy vite më parë, kundër Milanit, Mauro Icardi ishte “i përndjekur”, ndërsa ka shënuar pak a shumë rregullisht ndaj Juventusit. Në shtatë derbet e para kundër Milanit, Mauro Icardi nuk shënoi dot asnjë gol. Por jo vetëm kaq: ai shpesh luajti keq, duke çuar dëm edhe një penallti në humbjen 3-0 të sezonit 2015-2016.
Çdo gjë ndryshoi dy vite më parë, kur në derbin e Madoninës, që përfundoi 2-2, Icardi shënoi golin e çastit për 2-0, praktikisht në një zonë të zbrazët, i asistuar nga i zakonshmi Ivan Perisic. Që nga ai moment është një Icardi i ri, që ua ka marrë dorën ndeshjeve kundër Milanit. I famshëm “hat-trick”-u i sezonit të kaluar dhe goli me kokë i mbrëmjes së kaluar e ka dërguar në katër, shifrën e golave të tij në katër derbet e fundit. Goxha mirë.
Ishte një ndeshje e veçantë për Icardi mbrëmë. Pas bilbilit të trefishtë të gjyqtarit, kapiteni i Interit shkoi të përqafonte gruan e tij, Wanda Nara, që po lumturohej në shoqërinë e djemve të saj. Një përqafim romantik, bëri që Mauro Icardi të qante, ndaj u shfaq në intervistat pas ndeshjes me sy të kuq dhe me një zë të thyer. “Duke e pasur atë në anën time do të thotë shumë për mua, – tha argjentinasi për bashkëshorten dhe agjenten e tij, Wanda Nara. – Gjithmonë e kam ndjerë mbështetjen e saj, në kohë të mira dhe të këqija”.

Artikulli paraprakDyshimet/ Çfarë e lidh laboratorin e heroinës së Hasit me “vjedhjen e votave” të vitit 2017
Artikulli tjetërE pushuan nga puna pse hetoi hyrjet-daljet e Tahirit në sistemin TIMS, fiton gjyqin Shefi i Antidrogës