Përballje dramatike për “Obamacare”

Presidenti amerikan, Barak Obama ishte të mërkurën në Kongres për të mobilizuar ligjvënësit demokratë të mbrojnë ligjin e tij për kujdesin shëndetësor. Ai u largua pothuajse pa komentuar përveç një përgjigjeje të shkurtër një pyetjeje, duke thënë se “ne po kujdesemi për interesat e popullit amerikan”.
Në të njëjtën kohë nënpresidenti i zgjedhur Mike Pence ishte në Kongres për të folur me republikanët për të diskutuar për axhendën e administratës së ardhshme që përfshin anulimin e ligjit, të njohur si “Obamacare”.
Këto takime paralele sinjalizojnë një betejë të fortë që pritet të fillojë në Uashington, ndërkohë që afron momenti i tranzicionit mes dy administratave.
“Shfuqizimi i planit ‘Obamacare’, do të jetë në rendin e parë të ditës”, tha zoti Pence para gazetarëve.
Ligji për Kujdes Shëndetësor me Kosto të Përballueshme u miratua nga Kongresi në vitin 2010, kur demokratët kontrollonin të dyja Dhomat e Kongresit dhe Presidenti Barak Obama ishte në katërvjeçarin e parë në detyrë. Më 20 janar qeverisja e vendit kalon në duart e republikanëve, të cilët do të kontrollojnë si Shtëpinë e Bardhë, ashtu edhe Kongresin.
Presidenti i zgjedhur, Donald Trump e ka cilësuar ligjin për kujdesin shëndetësor një program “të çalë” me kosto tepër të lartë dhe e ka bërë të qartë se ka në plan ta zëvendësojë, megjithëse nuk ka dhënë hollësi se çfarë propozon konkretisht.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest tha dje në komentet për gazetarët se zoti Obama do të diskutonte me demokratët se si mund të bllokohet plani republikan për anulimin e ligjit.
Dallimet mes qëndrimit të Presidentit Obama dhe atij të zotit Trump do të dalin në pah javën e ardhshme kur presidenti të mbajë fjalimin e lamtumirës, pasuar të nesërmen nga konferenca e parë zyrtare për shtyp që ka mbajtur presidenti i zgjedhur Donald Trump që nga fitorja më 8 nëntor.
Zoti Trump njoftoi dje në Twitter se do të zhvillonte “një konferencë të përgjithshme për shtyp” më 11 janar.

Artikulli paraprakTrump vë në dyshim përfundimet e CIA-s
Artikulli tjetër15 ngjarjet që ndryshuan skenarin ndërkombëtar 2016