Për situatën në spitale nuk po flet askush. Vdekjet vazhdojnë të fshihen…

Nga Erion DASHO
1000!
Për herë të parë dje u diagnostikuan më shumë se 1000 persona në një ditë të vetme. Kambana e alarmit që kemi muaj që i biem!
Ndodhi pasi shteti, ministria dhe komiteti nuk bënë asgjë dhe i lanë qytetarët në mëshirën e virusit!
Për situatën në spitale nuk po flet askush. Për tre ditë numri i të shtruarve u rrit nga 280 në mbi 400! Shtretërit e pavionëve të infektivit në spitalet rajonale janë mbushur! Në spitalet private duhet të kesh mik dhe 2 apo 3 mijë euro nata që të gjesh vend!
Vdekjet vazhdojnë të fshihen. Nuk raportohen vdekjet në spitalet rajonale dhe as ato në shtëpi! Vetëm kur dalin shifrat e INSTAT, kupton se sa ka mashtruar qeveria!
Ndërkohë, qeveria me një plan djallëzor e ka zhvendosur vëmendjen drejt vaksinës. Çdo muaj kontrabandon nga një kuti kartoni, të cilën kush-e-di sa e paguan në kush-e-di cilin treg të zi, dhe pret me shpresë nga BE dhe COVAX.
Ashtu si shkruaja javën e shkuar, COVAX do të dërgojë shumë shpejt disa dhjetëra mijëra doza të vaksinës së Astra Zeneca-s, të cilat me shumë gjasa do të përfundojnë në show-n elektoral të Air Albania-s!
Janë zhdukur nga ekranet kompetentët që parashikuan “pikun” në dhjetor! Janë zhdukur promovuesit e teorisë së imunitetit të tufës, të cilët harruan se kemi të bëjmë me një virus akoma të panjohur dhe se Tirana nuk është e gjithë Shqipëria.
Stina e virozave është në kulmin e saj dhe virusi mund të bëjë shumë më tepër dëme se sa ka bërë deri tani!
Është koha për përgjegjshmëri dhe veprim të shpejtë!
Artikulli paraprakPas 19 vitesh në krye, Fox News humbet vendin e parë
Artikulli tjetërGjeneral Ahmetaj: Stërvitja ushtarake e SHBA, përtej betejës politike të 25 Prillit