Pensioni mjafton vetëm për bukë dhe ilaçe

Nga Ledina Loga

Kimete L. në 10 korrik të vitit 2016 festoi ditëlindjen e saj të gjashtëdhjetë. Prej gati një viti ajo është njëra prej pensionisteve të Tiranës.
Për shkak të reformës së pensioneve, që ka hyrë në vitin e tretë të zbatimit të saj, Kimetja mundi ta përfitonte pensionin kur mbushi 60 vjeç e katër muaj. Ndërsa të gjitha gratë që mbushin 60 gjatë 2017-ës do të presin edhe 6 muaj të tjerë për të dalë në pension.
Reforma për të cilën u punua një dekadë dhe nisi të zbatohej në fillim të vitit 2015, ka në bazë rritjen e viteve të kontributit për sigurimin shoqëror nga 35 në 40 vjet deri në vitin 2025. Rritja do të bëhet në mënyrë graduale, duke e zgjatur daljen në pension me 2 muaj çdo vit.
Pas 15 vitesh, mosha e daljes në pension për burrat do të rritet me një muaj në vit dhe për gratë me dy muaj në vit, duke arritur në 67 vjeç për të dy sekset në vitin 2056.
Kimetja tregon se ka filluar punë që në moshën 15-vjeçare, ndërsa shkollën e mesme e kreu natën, megjithëse ishte nxënëse shumë e mirë.
“Kam filluar të punoj shumë e re, ndihem e lodhur. Shpresoj që ta gëzoj pensionin disa vite”, thotë ajo, duke na rrëfyer se në maj të këtij viti ka tërhequr pensionin e parë, 11,800 lekë në muaj. Që nga maji, kjo është kuota ime mujore, shton zonja Kimete.
Sipas të dhënave statistikore nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, të ardhurat mesatare mujore për pensionistët e qytetit janë 16,400 lekë, ndërsa për pleqtë e fshatit 9,100 lekë. Ndërsa koha mesatare e gëzimit të pensionit, për të dyja gjinitë është 22 vite e gjashtë muaj.

Burokracitë në zyrat shtetërore

Për 24 vite, ajo punoi në shtet si vinçiere në ndërtim (në përiudhën komuniste) dhe 10 vite si e vetëpunësuar. Pas mbushjes së moshës për pension, ajo nisi procedurat për përfitimin e pensionit.
“Pranimi i dokumentave është i menjëhershëm, mirë po procedura për të marrë librezën e pensionit ishin shumë të gjata. Procedurat zgjatën mbi shtatë muaj. Po sikur të mos kisha të ardhura të tjera me çfarë do të jetoja?!”- tregon ajo.
Ndërkohë që sipas statistikave të ISSH, koha mesatare për përpunimin e kërkesave të pensioneve të pleqërisë është 21 ditë.
“Pensioni duhet të më dilte 15,000 lekë, por duke qenë se ishin djegur dokumentet e ndërmarrjes nuk arrita të vërtetoj 6 vite të punës në ndërtim, të cilat megjithëse janë në librezë të vulosura nuk më njihen”, thotë zonja Kimete.
Kohët e fundit është rritur numri i çështjeve të pensioneve në Gjykatën Administrative, e cila numëron 2,754 rekorde, ku pjesa më e madhe kanë si objekt kërkesen për rillogaritje të pensionit dhe si të paditur Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, si dhe Institutin e Sigurimeve Shoqërore.
Një prej tyre është edhe A.I., i cili ka paditur Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, me objekt padie rillogaritjen e pensionit. Megjithëse e ka depozituar këtë padi që korrik të 2014-ës, vendimi është dhënë në shkurt të vitit 2016, thuajse dy vite më vonë.
Gjykata ka bërë pranimin e pjesshëm të paditësit dhe ka detyruar me vendim Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të paguajë difererencat e papaguara, të cilat përllogariten në shumë e 500 mijë lekëve të reja.

Çfarë ka brenda shportës së shtëpisë së një pensionisti

Çdo muaj Kimetja tërheq pranë zyrave të Postës 8 pensionin e saj të pleqërisë, vetëm 11,800 lekë. Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT për shpenzimet e familjeve sipas grupmoshave, gjysma e të ardhurave e moshës mbi 60 vjeç shkon për ushqim dhe pije jo-alkoolike, më saktësisht 50.9 për qind.
Sipas parashikimeve të INSTAT, Kimetja duhet të shpenzojë 6,000 lekë në muaj për ushqime, ose 200 lekë në ditë.
Ajo rrëfen për Citizens Channel se e shikon të pamundur që të jetojë e vetme. Ajo ka dy djem, të cilët e ndihmojnë që të mbyllë të gjitha nevojat që ka.
Ndërsa ushqimet zënë pjesën më të madhe të buxhetit të një pensionisti, rreth 4.5 për qind e zënë shpenzimet për shëndetësinë.
Me moshën fillojnë edhe problemet me shëndetin. Aktualisht zonja Kimete çdo muaj blen ilaçet për të kuruar Osteoporozën, të cilat i kushtojnë 4,000 lekë apo 33% e pensionit mujor.
“Fatkeqësisht ilaçet që marr unë nuk janë të rimbursueshme”.
Në mars të këtij viti, i cili përkoi edhe me zgjedhjet e përgjithshme, hyri në fuqi ligji që i rriste pensionet me 3 për qind, një rritje mesatare prej 450 lekësh për qytetin dhe 250 lekësh për fshatin.

Jo të gjithë janë aq me fat

Xhaferr Suçi, ish-minator, pas daljes në pension të parakohshëm vijoi të punonte.
“Megjithëse puna në minierë më kishte lodhur nuk pata zgjidhje tjetër”, tregon ai kur pyetet pse vazhdoi punën, pasi mbushi vitet e pensionit.
Zoti Suçi punoi si roje nate në një firmë ndërtimi.
Të shumtë janë ata që kanë zgjedhur të vazhdojnë të punojnë edhe pas daljes në pension. Një pjesë e kanë bërë për pasion ndaj profesionit, ndërsa një pjesë jo me aq fat sa zoti Suçi e kanë bërë për të përballuar jetesën “e shtrenjtë” të Tiranës.
Punësimi i individëve që kanë dalë në pension preferohet nga biznesmenët që duan të punojnë në informalitet, pasi një pensionist nuk bën presion që t’i paguhen kontributet, duke qenë se i ka plotësuar vitet e pensionit dhe i intereson vetëm pagesa mujore.

Situata aktuale dhe “kriza” e skemës së pensionit

Pensionet përbëjnë rreth 8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në Shqipëri. Në 100 lekë shpenzime që kryen qeveria, tetë lekë shkojnë për pensionet. Ndërkohë që sistemi ka një normë tepër të ulët varësie (përfitues-kontribuues), prej 1.19. Norma e varësisë shprehet si raport i numrit të kontribuesve dhe numrit fizik të pensioneve.
Në 2016-ën sipas të dhënave të INSTAT në qytet numëroheshin plot 363,664 pensione pleqërie, ndërsa në fshat 124,378, ndërsa numri i kontribuesve 718,070.
Një nga shqetësimet kryesore që po përballet sot Shqipëria, por edhe të gjitha vendet e Europës Juglindore është plakja e popullsisë dhe emigracioni.
Me rritjen e moshës së popullsisë rritet numri i përfituesve dhe ulet numri i popullsisë së aftë për punë, duke rritur kështu shpenzimet për pensionet.
Emigracioni, gjithashtu shoqërohet me rënien e bazës së kontribuuesve.

Numri i të moshuarve po rritet me shpejtësi

Sipas të dhënave më të fundit të Bankës Botërore, norma e varësisë së moshës së tretë në vendet e Ballkanit Perëndimor ka ardhur në rritje, por Shqipëria është vendi që ka pësuar rritjen më të madhe në harkun e dhjetë viteve. Ky tregues mat raportin e popullsisë mbi 65 vjeç me popullsinë 14-65 (popullsinë e aftë për punë).
Për vitin 2016 në 100 individë të aftë për punë janë 18 mbi 65 vjeç, ndërkohë që ky raport 10 vite më parë ishte 13 të moshuar në 100 individë të aftë për punë, duke pësuar një rënie me 34 për qind.
Në rajon normën më të lartë të kësaj varësie e mban Serbia, ku në 2016-ën për 100 individë të aftë për punë ka 26 mbi moshën 65 vjeç. Në vend të dytë dhe të tretë renditen Bosnja dhe Mali i Zi, ku raporti është përkatësisht 22 dhe 20 për 100 individë të moshës 14-65.
Popullsia e moshuar botërore po rritet me një shpejtësi të paprecedentë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore rreth 8.5 për qind e popullsisë globale janë më të mëdhenj se 65 vjeç. “Vjetërimi” i popullatës është një nga trendet më domethënëse të shekullit të 21, ku 1 në 8 persona në botë janë mbi 65 vjeç, ndërsa normat e lindshmërisë pësojnë rënie të vazhdueshme nga viti në vit.
Sipas të dhënve që raporton Eurostat 12.9% e popullsisë në Shqipëri është mbi 65 vjeç. Megjithëse norma është ndër më të ultat në Europë, na raport citohet se kjo grup moshë po rritet me shpejtësi.

 

Artikulli paraprakZona Ekonomike Rajonale: Një mirazh i BE-së?
Artikulli tjetërDo importohen 790 ton plehra në ditë