Pele, fjalë të mëdha për Mbappe!

Ylli i kombëtares franceze dhe i PSG, Kylian Mbappe, është i lumtur që qëndron prapa Pele, sa i takon një rekordi të Kupës së Botës. Mbappe, 19 vjeç u bë lojtari i dytë më i ri, që shënonte gol në një finale Botërori, kur ndëshkoi Kroacinë verën e kaluar në “Rusia 2018”. Vetëm Pele e ka bërë këtë gjë në një moshë më të re se talenti francez.
Pele foli për Mbappe, duke pretenduar se ylli i Francës “nuk është ende mbreti”. “Ai po kalon testet e duhura për t’u bërë mbreti, – tha Pele për “Le Parisien”. – Mbappe ka ende shumë për të bërë, është i ri, sapo e ka nisur”. Vetë ylli i PSG nuk e ka fare problem të jetë i dyti, pas legjendës braziliane, i cili konsiderohet gjerësisht si një nga futbollistët më të mëdhenj në histori.
“Për të pasur një rekord, si e dini, duhet të jesh i pari. Unë jam pas Pele, por kjo nuk përbën problem. Jam i lumtur të ndjek Pele, sepse ishte një futbollist fantastik, – tha Mbappe. – Para finales së Botërorit të vitit të shkuar e dija që mund të bëja histori, nëse do të shënoja. Fatmirësisht, kjo ndodhi.
Me kombëtaren franceze bëmë diçka të madhe, dhamë gjithçka për vendin tonë. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se të fitosh Botërorin, gjithmonë e kam thënë këtë. Është shumë e rëndësishme të përfaqësosh dhe të nderosh kombin tënd në fushën e blertë. Ne bëmë histori me Francën, ishte një ëndërr e madhe”.

Artikulli paraprakJa kush janë 8 kandidatët e listës së PD që refuzuan mandatin e deputetit
Artikulli tjetërSchmitt për mediat austriake: Rama , autokrati që mbushi vendin me drogë dhe krim, po luan me Kosovën