PDK: Tre votat tona kundër reformës

Partia Demokristiane e Shqipërisë deklaron se, është në mbështetje të Reformës në Drejtësi. Futja në mënyrë të njëanshme e draftit në Kuvend provokim për opozitën dhe konsensusin. Ndryshimet në nenin 12 të Kushtetutës, që lejon martesat brenda të njëjtës gjini, të papranueshme për demokristianët. Tre votat demokristiane (Ndoka, Mirela Ferracaku e Ndocaj) do të jenë kundër ndryshimeve, në nenin 12 të Kushtetutës, që dëmton rëndë vlerat e familjes dhe traditën tonë.
Reforma në Drejtësi duhet të sigurojë një pushtet gjyqësor të pavarur nga politika dhe të pakorruptueshëm, të pranuar dhe votuar nga të gjitha palët në Kuvend. Zgjidhja e dhënë nga Komisioni i Venecias, sipas pikës 88, ka mbetur e vetmja pikë për të realizuar konsensusin midis pozitës dhe opozitës. Votimi me 2/3 e zhvlerëson Parlamentin, krijon mekanizëm bllokues, rrit konfliktin politik, i heq mbështetjen e nevojshme politike institucioneve të drejtësisë, duke i bërë vendimet e tyre të kontestueshme.
Partia Demokristiane kërkon, që të votohet sa më shpejt Reforma në Drejtësi, duke i kërkuar z. Rama, respektimin e rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias dhe çlirimin nga komplekset politike. Partia Demokristiane e Shqipërisë dhe deputetët e saj në Kuvend, inkurajojnë dialogun dhe konsensusin politik duke dhënë një kontribut konstruktiv në këtë drejtim, me qëndrimet dhe votat në Kuvend. Reformë në Drejtësi pa opozitën nuk mund të ketë, tendenca për votim të njëanshëm e rrezikshme për standardet që pretendojmë.

Artikulli paraprakShkëlzen Berisha: Vëllazëria e krimit ka marrë krahë
Artikulli tjetërFaqja e parë