PD portal ku qytetarët mund të denoncojnë zyrtarët e inkriminuar

Nga sot, çdo qytetar mund të denoncojë online përmes një portali të hapur posaçërisht nga Partia Demokratike nëse kanë apo disponojnë informacione konkrete mbi zyrtarë apo drejtorë të inkriminuar. Kryetari i PD, Basha pasi prezantoi këtë nismë ftoi të gjithë qytetarët të përfshihen në zbatimin e ligjit për dekriminalizimin. “Partia Demokratike fton të gjithë qytetarët shqiptarë të bëhen pjesë e zbatimit të këtij ligji, duke denoncuar pranë një portali të posaçëm që do të hapim që prej ditës së nesërme (sotme) me informacione konkrete çfarë dinë ata për zyrtarët e inkriminuar në fshatin, qytetin, rrethin, qarkun e tyre, në çdo nivel nga drejtorë e zyrtarë ujësjellësash e deri tek anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë apo ministrat e kabinetit ‘Rama-Meta’. I ftoj pra qytetarët që duke filluar nga dita e nesërme të bëhen pjesë e zbatimit të ligjit të dekriminalizimit. Së bashku ta bëjmë këtë ligj efektiv duke i larguar siç e meritojnë nga politika dhe nga vendimmarrja njerëzit me rekorde të tmerrshme kriminale. Le të jetë ligji për dekriminalizimin vendi ku bashkohen demokratë dhe socialistë për një Shqipëri të pastër nga krimi politik, për një Shqipëri europiane”, tha Basha. Në deklaratën për mediat, kreu i PD renditi tre si lajme kryesore për shqiptarët dje, heqjen e mandatit të Kokëdhimës, nisjen e zbatimit të dekriminalizimit, si dhe nismën e PD për t’i dhënë fund mekanizmit të blerjes së votave. “Sot është një ditë shumë e bukur, jo thjesht për nga moti, jo vetëm sepse është Dita e Europës, por sepse është dita kur simboli i oligarkisë Koço Kokëdhima mori nga drejtësia shqiptare atë që shpresonte dhe dëshironte çdo qytetar i këtij vendi, demokrat, socialist apo i paparti, heqjen e mandatit. Heqjen e mandatit për abuzimin me Kushtetutën, heqjen e mandatit për korrupsionin, heqjen e mandatit sepse ishte përfitues i parave të taksapaguesve shqiptarë, ndërkohë që ishte betuar se do t’i mbronte paratë e taksapaguesve shqiptarë. Paratë që në vend që të kthehen në rroga më të larta, pensione më të larta, shkolla, ujësjellës, subvencione për bujqësinë, përfundojnë në xhepat e oligarkëve shqiptarë dhe kryeoligarkut të jugut Koço Kokëdhimës. Sot janë një kafshatë e ngelur në fytin e tij me këtë hap të parë që është heqja e mandatit të tij si deputet. Kjo është jo vetëm një fitore e Partisë Demokratike që ka mbrojtur që prej fillimit drejtësinë e kauzës tonë në raport me Koço Kokëdhimën, por është një fitore e të gjithë atyre që duan një politikë të pastër nga konflikti i interesit, një politikë të pastër nga ata që janë futur vetëm për të përfituar dhe fryrë xhepat e tyre, një politikë të pastër nga krimi. Pra, një politikë europiane Ditën e Europës. Është po kështu një ditë e mirë sepse po fillojnë të kërcasin ingranazhet e krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit të veshur me krim nga pesha e ligjit të dekriminalizimit”, tha Basha.

Artikulli paraprakBasha: Edhe Ramës si Roshit nuk i kujtohet e kaluara
Artikulli tjetërSkandal, qeveria vendos: Të gjitha rrugët me pagesë