Gruaja Avokate e Shtetit, burri avokat i CEZ, PD në Prokurori

Partia Demokratike kallëzoi dje penalisht në Prokurori, Avokaten e Shtetit, Alma Hicka për shpërdorim detyre.
Sipas kallëzimit të PD, Hicka jo vetëm po pengon hetimin parlamentar të çështjes CEZ, por ajo është kapur disa herë edhe në konflikt interesi, duke përfituar ajo me bashkëshortin e saj në disa raste, në dëm të shtetit.
Avokati i Përgjithshëm i Shtetit, Alma Hicka, refuzoi të jepte dëshminë e saj në Komisionin hetimor për aferën e CEZ, ndërsa ka kryer veprime të kundërligjshme dhe kriminale, duke paraqitur kallëzim të rremë përpara Policisë së Shtetit, duke kërkuar pa asnjë bazë ligjore shkarkimin e kryetarit të Komisionit hetimor për CEZ, Edmond Spaho. Ajo ka shpërdorur detyrën e saj, duke shfrytëzuar funksionin publik për kryerjen e veprimeve të paligjshme që cenojnë jo vetëm interesat e Spahos, por mbi të gjitha interesat e shtetit për shkak të përdorimit të institucionit për qëllime tërësisht personale dhe të paligjshme.
Nga ana tjetër, sipas argumenteve të parashtruara nga PD, Hicka ushtron detyrën e Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit në kushtet e konfliktit të hapur të interesit, me pasoja të rënda për interesin e shtetit shqiptar, ku kërkohet nga organi i Prokurorisë verifikimin e të dhënave që tregojnë se bashkëshortët Elvi dhe Alma Hicka, janë palë në mbrojtje të interesave “të kundërt”.
PD citon gjithashtu se në media janë publikuar dokumente që tregojnë se avokati Elvi Hicka (bashkëshort i Alma Hickës), është ortak në një studio ligjore dhe përfaqëson çështje për interesa të klientëve privatë kundër shtetit shqiptar. Bashkëshortja e tij (Avokatja e Përgjithshme e Shtetit) përpiqet të “mbrojë” interesat e shtetit shqiptar, në çështje me palë private të mbrojtura nga bashkëshorti i saj avokat apo studioja ligjore ku ai është aksioner.
“Me anë të këtij kallëzimi që ju paraqesim, marrim përsipër të bëhemi përçues të zërit të atyre qytetarëve të ndershëm të këtij vendi, të cilët besojnë se vetëm zbatimi i ligjit do ta çojë drejt përsosjes shoqërinë tonë. Të atyre qytetarëve, të cilët besojnë se ligji është një dhe i barabartë për të gjithë. Ne besojmë se përpara ligjit jemi të gjithë njësoj, si Kryeministri ashtu dhe çdo qytetar i thjeshtë. Përfundimisht, nga sa analizuar më sipër rezulton se janë ezauruar të gjitha elementet e veprave penale konkrete të përcaktuara në objektin e këtij kallëzimi penal”, thuhet në kallëzimin e PD.
Për këtë arsye, PD ka kërkuar nga ana e organit të Prokurorisë “regjistrimin dhe fillimin e procedimit penal ndaj personit të kallëzuar- Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit, Alma Hicka, si dhe kryerjen e të gjitha veprimeve hetimore të nevojshme për sqarimin më të saktë e më të plotë të rrethanave të parashtruara”.

Shkeljet e Hickës për të mos dëshmuar mbi aferën e CEZ

Znj. Hicka është thirrur disa herë në mbledhjen e Komisionit hetimor, por me “justifikimin” e një axhende të paracaktuar, ajo ka kërkuar mirëkuptimin e Komisionit për të caktuar data të tjera. Kjo kërkesë e saj është marrë në konsideratë në mënyrë të vazhdueshme nga ana e Komisionit, edhe pse veprimtaria e këtij organi të Kuvendit, prevalon mbi çdo angazhim tjetër të paracaktuar në axhendën e znj. Hicka.
Në seancën e datës 06.02.2017, znj. Hicka u paraqit në Komisionin hetimor dhe tentoi t’i shmangej detyrimit kushtetues dhe ligjor për të dëshmuar, me pretendimin absurd të ruajtjes së sekretit profesional. Konkretisht, ngriti pretendimin se ajo ka dijeni në lidhje me këtë çështje, për shkak të funksionit të saj si Avokate e Përgjithshme e Shtetit, në kuadër të zgjidhjes së marrëveshjes, të gjykimit të arbitrazhit midis CEZ a.s. dhe Republikës së Shqipërisë, pra për shkak të detyrës. Sipas saj, në zbatim të Kodit të Procedurës Penale, avokatët nuk mund të japin dëshmi për sa dinë për shkak të profesionit dhe është e papajtueshme me detyrën e dëshmitarit qenia i paditur civil në një proces gjykimi. Ky pretendim i znj. Hicka u hodh poshtë nga këshilltarët e Komisionit hetimor dhe për pasojë nuk u morën në konsideratë, për shkak se u vlerësua si tentativë për t’ju shmangur dëshmisë përpara Komisionit hetimor.
Në mbledhjen e datës 08.02.2017, znj. Hicka u paraqit përsëri në Komision dhe refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të anëtarëve të Komisionit, si dhe pengoi në mënyrë të paprecedentë, arrogante dhe të paligjshme, veprimtarinë normale të Komisionit hetimor. Me urdhër verbal të anëtarëve të Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ajo u largua nga mbledhja e Komisionit, duke mos mundësuar pyetjen e saj dhe pavarësisht paralajmërimit të kryetarit të Komisionit si më poshtë: “Ju nuk keni të drejtë të largoheni. Zonjë, nuk keni të drejtë të largoheni, do t`ju sjell me polici. Nuk merr urdhër nga partia, pavarësisht se je ushtare e bindur e partisë, këtu je në funksionin e Avokates së Shtetit dhe do të vish të përgjigjesh si çeçoja”.
Për shkak të largimit pa leje dhe pa përfunduar dëshminë përpara Komisionit, në përputhje me nenin 16 të Ligjit nr. 8891/2002 dhe vendimit të ndërmjetëm të Komisionit hetimor që kishte miratuar listën e plotë të dëshmitarëve, ku përfshihej edhe znj. Hicka, kryetari i Komisionit z. Edmond Spaho ka nënshkruar thirrjen për të vijuar dëshminë dhe njëkohësisht shoqërimin e saj të detyrueshëm nga ana e Policisë së Shtetit, për shkak të largimit të njëanshëm nga mbledhja e mëparshme e Komisionit.
Në mbledhjen e datës 10.02.2017, znj. Hicka është paraqitur në Komisionin hetimor me kërkesën absurde të revokimit të akteve të njoftimit të saj për të dëshmuar në Komision dhe për revokimin e vendimit të ndërmjetëm që përcakton se një nga dëshmitarët në Komisionin hetimor do të jetë edhe znj. Hicka. Në paraqitjen e kësaj kërkese absurde, znj. Hicka ka paraqitur fakte të pavërteta, duke pretenduar se: “Kryetari i komisionit, Edmond Spaho, dhe anëtarët e tij, Jorida Tabaku dhe Helidon Bushati vetë ose nëpërmjet familjarëve të tyre shumë të afërt: nëna, vëllai, janë palë në dhjetëra gjyqe kundër shtetit shqiptar, me objekt pasurinë e shtetit, pikërisht atë pasuri në mbrojtje të së cilës është Avokati i Përgjithshëm i Shtetit”. Ky pretendim absurd i saj është hedhur poshtë nga kryetari i Komisionit dhe anëtarët e përmendur prej saj, ndërkohë që i janë kërkuar të dhëna konkrete se për çfarë çështjesh gjyqësore bëhet fjalë. Duke qenë se pretendimi ishte i sajuar dhe tërësisht i pavërtetë, si dhe nisur nga fakti që znj. Hicka nuk paraqiti asnjë të dhënë konkrete se në cilat çështje gjyqësore që ndiqen personalisht prej saj anëtarët e Komisionit apo familjarët e tyre ishin palë, atëherë kryetari i Komisionit hetimor ka vijuar përpjekjen për të filluar me pyetjet ndaj znj. Hicka.
E urdhëruar përsëri politikisht nga përfaqësuesit e Grupit parlamentar të Partisë Socialiste në Komision dhe në kundërshtim me urdhrin e kryetarit të Komisionit hetimor, znj. Hicka është larguar. Në këtë rast, ajo nuk ka zbatuar urdhrin e drejtuesit të Komisionit, ku është bërë e qartë sa më poshtë: “Zonja Hicka, nuk largohesh nga seanca pa lejen time! Nëse do të largoheni, të hënë në orën 16:00 do të vini përsëri me polici. Do të vini gjithë kohën me polici. Unë do t’i bëj kërkesë policisë t’ju sjellë. Ju, në kundërshtim me rregullat e komisionit, po merrni urdhër partiak dhe po largoheni. Ne nuk do të vazhdojmë me asnjë dëshmitar derisa zonja Hicka të vijë këtu…….. Meqenëse zonja Hicka u largua në mënyrë arbitrare me urdhrin tënd, komisioni e ndërpret punën. Unë do të njoftoj me shkresë policinë dhe zonjën Hicka ditën e hënë në orën 16:00 pasdite të vijë të paraqitet në komision. Këtu ndërpritet puna e komisionit”.
Ashtu siç ishte lajmëruar edhe në përfundim të seancës së datës 10.02.2017, kryetari i Komisionit përsëriti kërkesën për thirrjen për të dëshmuar të znj. Hicka më datë 13.02.2017 dhe për shkak të largimit të saj në mënyrë arbitrare në mbledhjen pararendëse, njoftoi thirrjen e detyrueshme të saj në Komision me anë të shoqërimit nga Policia e Shtetit, në përputhje me nenin 16 të Ligjit nr. 8891/2002.
Znj. Hicka nuk u paraqit në mbledhjen e Komisionit hetimor të datës 13.02.2017. Me shkresën nr. 145/9 Prot., datë 13.02.2017, Avokatja e Përgjithshme e Shtetit, nën cilësinë e saj si funksionare publike dhe me shkresë zyrtare të institucionit që drejton, urdhëron Policinë e Shtetit që të mos veprojë për të zbatuar urdhrin e ligjshëm të kryetarit të Komisionit hetimor (çuditërisht Policia e Shtetit i bindet urdhrit të saj të paligjshëm) dhe nga ana tjetër kallëzon penalisht kryetarin e Komisionit, duke kërkuar edhe arrestimin në flagrancë të nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetarit të Komisionit hetimor, deputetit Edmond Spaho. Ky veprim i paprecedent i Avokates së Përgjithshme të Shtetit, është jo vetëm shprehje e rënies së çdo standardi të shtetit të së drejtës, prova e qartë e arrogancës së një institucioni qeveritar ndaj Kuvendit të Shqipërisë, e qëndrimit mbi ligjin të funksionarëve publikë apo delirit të nëpunësve të institucioneve qeveritare, por njëkohësisht edhe një akt i paligjshëm dhe që passjell përgjegjësi penale për shtetasen Alma Hicka.
Më datë 13.02.2016, Avokatja e Shtetit paraqiti në Komisionin hetimor një listë të proceseve gjyqësore, ku qytetarë të ndryshëm që kishin të njëjtin mbiemër me deputetët e Komisionit ishin në procese gjyqësore me shtetin. Edhe pse këta qytetarë nuk kishin asnjë lidhje familjare dhe farefisnore me deputetët e Komisionit hetimor, lista e paraqitur synonte të pamundësonte dëshminë e saj, me pretendimin absurd se deputetët kanë konflikt interesi me Avokaten e Shtetit.

Hicka u largua në mënyrë të paligjshme nga mbledhja e Komisionit

Gjendja e konfliktit të interesit është e parashikuar shprehimisht në ligj dhe lidhet me marrëdhënien midis një funksionari (në rastin konkret deputetit) apo personave të lidhur me të (bashkëshorti/bashkëjetuesi, fëmija madhor dhe prindërit), me një person të thirrur për të dëshmuar. Në rastin konkret, nuk jemi përpara një situate të tillë, por krijimit të një rrethane të rreme, me qëllim pamundësimin e dëshmisë nën pretekstin e paligjshëm të konfliktit të interesit mes znj. Hicka dhe disa deputetëve që janë anëtarë të Komisionit hetimor. Është shumë e rëndësishme jo vetëm për ne, por dhe për çdo qytetar të këtij vendi, që në momentin që vihet në dijeni të kryerjes së një vepre penale, aq më shumë kur ajo konsumohet nga subjekte, të cilat kanë si prerogativë mbizotërimin e ligjit dhe duhet të garantojnë zbatimin e tij, të bëjë ai vetë kallëzimin penal. I takon Prokurorisë më pas marrja e të gjitha masave për dënimin dhe vënien para drejtësisë së autorëve, pavarësisht funksioneve të tyre apo pozitës që gëzojnë.
Ashtu si parashtruar edhe me sipër, me shkresën nr. 145/9 Prot., datë 13.02.2017, Avokati i Përgjithshëm i Shtetit Alma Hicka, ka kallëzuar penalisht nënkryetarin e Kuvendit dhe deputetin Edmond Spaho, duke i kërkuar Policisë së Shtetit arrestimin e tij në flagrancë, me pretendimin se:
Me kërkesë të nënkryetarit të Komisionit z. Eduard Shalsi, Komisioni me shumicën e anëtarëve të tij, vendosi që Avokatja e Përgjithshme e Shtetit, të mos pyetej nga Komisioni hetimor dhe të largohej nga seanca, derisa të sqarohen rrethanat e konfliktit të mundshëm të interesit të anëtarëve të Komisionit.
Janë dërguar dy urdhra për thirrjen e dëshmitares Alma Hicka dhe shoqërimin e saj të detyrueshëm nga Policia e Shtetit. Këto akte i janë dërguar Policisë së Shtetit në kundërshtim flagrant me vendimin e datës 10 shkurt 2017 dhe me përmbushjen e detyrës. Këto urdhra janë veprime individuale, me synim kriminal, të shtetasit Edmond Spaho.
Nuk ka asnjë bazë ligjore që t’i njohë të drejtën z. Spaho të urdhërojë përdorimin e forcës ndaj funksionarëve publikë, për shoqërimin e tyre përdhunisht. Ky veprim përbën shpërdorim detyre dhe falsifikim të akteve për shkak se është në kundërshtim me vendimmarrjen e Komisionit.
Shoqërimi përdhunisht bëhet me vendim të ndërmjetëm të Komisionit hetimor. Dëshmitari është paraqitur dhe është larguar nga mbledhja e Komisionit me vendim të Komisionit hetimor.
Për shkak të rrezikshmërisë së theksuar të shtetasit Edmond Spaho, të merren masa urgjente për ndërprerjen e veprimeve të dhunës nga ky shtetas, duke kryer arrestimin në flagrancë të tij.
Të gjitha pretendimet e paraqitura më sipër, janë të pavërteta dhe sajesa të Avokates së Përgjithshme të Shtetit, me qëllim që të shmangë dëshminë në Komisionin hetimor dhe të krijojë të dhëna të rreme për ekzistencën e një krimi që dihet që nuk ka ndodhur. Siç rezulton nga procesverbali i mbledhjes së Komisionit hetimor të datës 10.02.2017, është e vërtetë që ka patur një propozim nga nënkryetari i Komisionit z. Shalsi, mirëpo mbi propozimin e tij nuk ka patur asnjë vendim të Komisionit hetimor. Për këtë arsye, nuk ekziston asnjë vendim i Komisionit hetimor që të ketë vendosur që Avokatja e Përgjithshme e Shtetit, të mos pyetej nga Komisioni hetimor dhe të largohej nga seanca, derisa të sqarohen rrethanat e konfliktit të mundshëm të interesit të anëtarëve të Komisionit. Ky ka qenë një urdhër politik i nënkryetarit të Komisionit dhe jo një vendim i Komisionit hetimor. Avokatja e Përgjithshme e Shtetit i nënshtrohet urdhrave të ligjshëm të Komisionit hetimor dhe jo urdhrave politikë.
Vendimmarrjet e Komisionit hetimor, përveçse pasqyrohen në procesverbalin e mbledhjeve të Komisionit, janë të detyrueshme që të zbardhen dhe të protokollohen, për të përmbushur elementët e vlershmërisë së akteve administrative. Është e qartë se nuk ekziston asnjë urdhër që i jep të drejtën Avokates së Përgjithshme të Shtetit që të largohet nga mbledhja e Komisionit dhe të mos paraqitet në mbledhjen e tij.
Në procesverbalin e mbledhjes së Komisionit hetimor të datës 10.02.2017, pasqyrohet plotësisht se kryetari i Komisionit Hetimor z. Spaho e ka njoftuar shtetasen Alma Hicka se nuk ka asnjë vendim të Komisionit hetimor që ajo të largohet dhe nëse largohet do të riparaqitet në Komision nëpërmjet shoqërimit të detyrueshëm nga ana e Policisë së Shtetit. Pra, znj. Hicka ka braktisur punimet e Komisionit me urdhër politik dhe jo vendim të tij.
Largimi nga mbledhja e Komisionit hetimor përbën mosparaqitje në Komision, për shkak se dështon marrja e dëshmisë së personit të thirrur. Për këtë arsye, duke qenë se znj. Hicka është person i thirrur për të dëshmuar, i miratuar me vendim të ndërmjetëm të Komisionit, komunikimi me të për njoftimin e datës dhe orës së mbledhjes është përgjegjësi e kryetarit të Komisionit hetimor. Në kushtet kur znj. Hicka është larguar në mënyrë të paligjshme nga mbledhja e Komisionit hetimor, është përgjegjësi e kryetarit të Komisionit hetimor, që krahas njoftimit të personit të thirrur, por të larguar, në mënyrë të paligjshme, pa dëshmuar nga mbledhja e Komisionit, të njoftojë edhe Policinë e Shtetit për shoqërimin e detyrueshëm të dëshmitarit. Baza ligjore për këtë veprim, ndryshe nga sa pretendon shtetasja Alma Hicka, është pika 4 e nenit 16 të Ligjit nr. 8891/2002.

“Avokatja” kallëzim të rremë ndaj Spahos

Znj. Hicka pretendon se kërkesa për organet e policisë për shoqërimin e detyrueshëm të saj, duhet të bëhet me vendim të ndërmjetëm të Komisionit hetimor. Ky është një pretendim i pabazuar në ligj dhe që qëllimisht paraqitet si “justifikim” prej saj për të kallëzuar në mënyrë të rreme deputetin Edmond Spaho. Ligji nr. 8891/2002 parashikon se dëshmitarët që do të thirren në Komision miratohen me vendim të ndërmjetëm, ndërkohë që komunikimi me institucionet shtetërore apo personat e thirrur është përgjegjësi e kryetarit të Komisionit. Kjo rezulton qartë nga kuptimi që ligji i jep termit “vendim i ndërmjetëm”, i cili është vendimi i komisionit i marrë në çdo fazë të hetimit për ndërmarrjen e procedurave të mëtejshme të hetimit, të pyetjes së dëshmitarëve, thirrjes së ekspertëve, kërkimit të informacionit dhe të dokumenteve zyrtare dhe që nuk përmban asnjë konkluzion përfundimtar. Qartësisht komunikimi me institucionet e tjera shtetërore apo kërkesa për njoftimin e organeve të policisë që të bëjnë shoqërimin e detyrueshëm të dëshmitarit që nuk paraqitet pa shkaqe të përligjura, nuk kërkon vendim të ndërmjetëm të Komisionit hetimor, por është përgjegjësi e kryetarit të Komisionit.
Nga ana tjetër, e kallëzuara prej nesh Alma Hicka, pretendon se nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë dhe deputeti Edmond Spaho paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore dhe se nevojiten masa për ndërprerjen e veprimeve të dhunës prej tij. Është e qartë dhe njihet botërisht që z. Spaho nuk paraqet asnjë rrezikshmëri shoqërore dhe aq më pak të ketë kryer veprime dhune. Kjo përbën deformim të qëllimshëm të realitetit me qëllim kallëzimin e rremë ndaj z. Spaho.
Për të gjitha sa më sipër, rezulton e provuar se nëpërmjet shkresës nr. 145/9 Prot., datë 13.02.2017, Avokati i Përgjithshëm i Shtetit, Alma Hicka, ka kryer veprime të kundërligjshme dhe kriminale, duke paraqitur kallëzim të rremë përpara Policisë së Shtetit, si dhe ka shpërdorur detyrën e saj, duke shfrytëzuar funksionin publik për kryerjen e veprimeve të paligjshme që cenojnë jo vetëm interesat e z. Spaho, por mbi të gjitha interesat e shtetit për shkak të përdorimit të institucionit për qëllime tërësisht personale dhe të paligjshme.
Frika për të dëshmuar, si pasojë e ndërgjegjësimit të znj. Hicka për realizimin e veprimeve të paligjshme gjatë kryerjes së detyrës shtetërore, nuk përligjin paraqitjen e të dhënave të rreme për ekzistencën e një krimi që dihet se nuk ka ndodhur. Për më tepër, nuk mund të kërkohet arrestimi në flagrancë i nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë dhe deputetit Edmond Spaho, për një krim që nuk ka ndodhur dhe për më tepër duke shfytëzuar në mënyrë të paligjshme funksionin e Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit.

Hicka në detyrën e Avokatit të Shtetit në kushtet e konfliktit të interesit

Kjo veprimtari e kundërligjshme e shtetases Alma Hicka përbën shkelje flagrante të Kushtetutës/ligjit dhe e ngarkon me përgjegjësi penale këtë funksionar publik, që ka nënshkruar kallëzimin e rremë, duke shpërdorur detyrën.
Në këtë rast përgjegjësia penale është evidente dhe direkte e të kallëzuarës Alma Hicka. Është e provuar, se nuk ekziston asnjë vendim i Komisionit hetimor i datës 10.02.2017 që i jep të drejtë largimit/mosparaqitjes në mbledhjet e Komisionit hetimor të znj. Hicka apo që të pengojë kryetarin e Komisionit që të njoftojë atë për t’u paraqitur në Komision apo të kërkojë nga organet e policisë për shkak të largimit prej saj nga mbledhjet e Komisionit në mënyrë të paligjshme.
Marrëdhëniet juridike të vendosura me ligj për të siguruar veprimtarinë normale të aparatit shtetëror, si dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të ligjshme të shtetasve ose të shtetit, gëzojnë mbrojtje të posaçme nga legjislacioni penal. Nga rrethanat e faktit të parashtruara më sipër dhe nga interpretimi i neneve 248 dhe 305 të Kodit Penal, rezulton se elementët e veprës penale janë konsumuar në mënyrë të plotë nga e kallëzuara prej nesh Alma Hicka. Ajo jo vetëm ka kallëzuar një krim (shpërdorimin e detyrës dhe falsifikimin e dokumenteve) që dihet që nuk është kryer, por duke shpërdoruar detyrën ka kërkuar nga organet e policisë që të mos i binden ligjit dhe ka shfytëzuar funksionin publik për qëllime të mirëfillta personale, në kundërshtim me ligjin.
Në këtë mënyrë, Alma Hicka ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, gjatë ushtrimit të një funksioni publik dhe që kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, për shkak se cenon besimin tek institucionet shtetërore dhe përdor institucionin publik për qëllime personale. Qëllimi personal në rastin konkret është i lidhur me faktin që znj. Hicka nuk dëshiron të dëshmojë në Komisionin hetimor, pavarësisht se është e detyruar ligjërisht, për shkak të fakteve që disponon Komisioni hetimor, për veprimtari të paligjshme të saj në rastin e marrëveshjes me CEZ a.s, si dhe ushtrimin e detyrës në kushtet e konfliktit të hapur të interesit.
Në këtë mënyrë, Alma Hicka ka konsumuar plotësisht anën objektive të veprave penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 305 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë, ekziston edhe lidhja shkakësore e drejtpërdrejtë midis veprimit të kundërligjshëm të saj (shkresa nr. 145/9 Prot., datë 13.02.2017), dhe dëmtimit të interesave të ligjshme të individit dhe shtetit.
Ky rast përbën kështu jo vetëm një shkelje të rëndë që i bëhet sistemit juridik penal në Shqipëri, por edhe cenon rëndë besimin e shtetasve te ligji dhe te sistemi i marrëdhënieve të vendosura për mbrojtjen e tij, pasi cenimi vjen drejtpërdrejt nga titullari i institucionit të Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit.
Subjekt i veprës penale është i kallëzuari nga ana jonë, që ushtron detyrën e Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit. Subjekti i veprës penale për shkak të pozicionit të lartë publik dhe përgjegjësive që gëzon, jo vetëm duhet të zotërojë një njohje perfekte të legjislacionit, por duhet që me anë të sjelljes së saj, e materializuar kjo në urdhra, akte, veprime, shkresa zyrtare, të bëhet promotor i zbatimit model të ligjit për shkak edhe të influencës mbi masën e gjerë të kolektivitetit. Avokati i Përgjithshëm i Shtetit në një vend demokratik duhet të jetë asgjë më pak se promotori dhe garanti i parë i Kushtetutës dhe i ligjeve të vendit dhe jo shkelësi i parë i tyre.
Ana subjektive e veprës penale, dashja në kryerjen e kësaj vepre tregohet qartë nga fakti se znj. Hicka pretendon ekzistencën e një vendimi të Komisionit të datës 10.02.2017, edhe pse ky vendim nuk ekziston dhe ajo nuk është njohur kurrë me përmbajtjen e këtij vendimi, as zyrtarisht dhe as rastësisht. Kjo provon se kjo shtetase, me dashje ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë kallëzim të rremë dhe mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike.
Gjithashtu, nisur nga faktet e bëra publike në media, nga ku rezulton se znj. Hicka ushtron detyrën e Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit në kushtet e konfliktit të hapur të interesit, me pasoja të rënda për interesin e shtetit shqiptar, kërkojmë nga organi i Prokurorisë verifikimin e të dhënave që tregojnë se bashkëshortët Elvi dhe Alma Hicka, janë palë në mbrojtje të interesave “të kundërt”. Në media janë publikuar dokumente që tregojnë se avokati Elvi Hicka (bashkëshort i Alma Hickës), është ortak në një studio ligjore dhe përfaqëson çështje për interesa të klientëve privatë kundër shtetit shqiptar. Bashkëshortja e tij (Avokatja e Përgjithshme e Shtetit) përpiqet të “mbrojë” interesat e shtetit shqiptar, në çështje me palë private të mbrojtura nga bashkëshorti i saj avokat apo studioja ligjore ku ai është aksioner. Kjo veprimtari e paligjshme e znj. Hicka, përveçse në kundërshtim flagrant me ligjin, ka krijuar një situatë qesharake, ku njëri bashkëshort padit shtetin për interesa të privatëve dhe bashkëshorti tjetër në cilësinë e Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit e kundërshton në përpjekje për mbrojtjen e interesave të shtetit kundër privatëve. Pra, çështjet gjyqësore shndërrohen në çështje ku përfshihen, në interesa të kundërt, bashkëshortët Hicka.
Kryerja e veprimtarisë shtetërore në kundërshtim me këto parashikime të ligjit dhe në kushtet e konfliktit të interesit, përbën shpërdorim të detyrës në kuptim të nenit 248 të Kodit Penal.

Artikulli paraprakAsnjë investitor potencial në Shqipëri në tre vitet e fundit
Artikulli tjetërStrakosha, ndër më të mirët