PD i drejtohet Calaverës: ONM të mbajë në kontroll tendencën e qeverisë për të diktuar Vettingun

Partia Demokratike i është drejtuar Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit ku shpreh shqetësimin për mungesën e vullnetit nga ana e mazhorancës për oraganet e reja të Vettingut dhe përpjekjen e qeverisë për të kapur procesin. Përmes një letre, Kryetari i Grupit parlamentar demokrat, Edmond Spaho i ka kërkuar drejtueses së ONM, Genoveva Ruiz Calavera ndërhyrjen e ONM që të ketë qëndrime aktive edhe gjatë fazës së zbatimit, duke mbajtur nën kontroll veprimet tendencioze të qeverisë për të ndërhyrë dhe diktuar procesin e vettingut. PD ka argumentuar se çdo mungesë vëmendje apo reagimi nga ana e ONM, duke lejuar ndërhyrjen e qeverisë në procesin e vettingut, në çdo drejtim, do të cënonte rëndë jo vetëm rezultatet e procesit, por edhe besimin e qytetarëve shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në organet e reja të sistemit të drejtësisë që priten të krijohen nga ky proces jetik për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj europiane. PD tërheq vëmendjen e ONM në lidhje me shkurtimin e numrit të punonjësve të Vettingut me 40 për qind, e cila sipas tij cenon që në nisje këtë proces. Spaho i bën të ditur Calaverës se me ndryshimet e miratuara, po cenohen efikasiteti i punës së organeve të pavarura kushtetuese, të ngarkuara me detyrën e realizimit të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Marrja përsipër nga ana e Kuvendit, që të strukturojë organet e pavarura kushtetuese, duke ulur me 40 për qind numrin e punonjësve të kërkuar prej tyre, është pa asnjë dyshim cenim i parimit kushtetues të pavarësisë organizative/funksionale të këtyre organeve. Nga ana tjetër, Spaho i bën të ditur gjithashtu se mungesa e mbështetjes me burimet e mjaftueshme njerëzore do të sillte vënien përpara faktit të kryer të organeve të vettingut, nëpërmjet informacioneve të përgatitura nga institucionet e treta nën varësinë apo ndikimin e qeverisë, të cilat do të ishin të pamundura të verifikoheshin nëse ka mungesa të burimeve të nevojshme njerëzore.

Artikulli paraprakOSBE: Reforma në Drejtësi duhet të jetë e besueshme
Artikulli tjetërSkandali, Mimi 97 milionë lekë çdo muaj kompanisë për radarët fantazmë