PBDNJ: Rama-Kokëdhima, terror ndaj qytetarëve dhe gjenocid me pronat në Himarë

Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut ka akuzuar dje Ramën e Kokëdhimën se po kryejnë një “gjenocid” të mirëfilltë me pronat në Himarë. Përmes një deklarate për mediat, PBDNJ deklaron se të ashtuquajturat projekte në zonën e bregdetit nuk janë gjë tjetër veçse përpjekjet e dyshes Rama-Kokëdhima për të tjetërsuar pronat e për t’i përvetësuar ato. “Këto ditë të Javës së Madhe dhe të Shenjtë të Pashkës Ortodokse, por njëherësh edhe të pragçeljes së sezonit turistik, Dhërmiu dhe Vunoi në veçanti dhe gjithë Bashkia e Himarës në përgjithësi janë vënë ‘nën pushtimin’ e buldozerëve, skrapeve dhe forcave të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. Diku me evokim selektiv të ligjit dhe diku të ‘maliqit’, vjelin haraçe, prishin objekte, tjetërsojnë prona. Kërcënojnë çdo familje individualisht dhe kultivojnë panik kolektiv”, thuhet në deklaratën e PBDNJ.  “Frymëzimet Kokëdhima-Rama të mishëruara në ‘projekte zhvillimi’ për bregun e Jonit synojnë tjetërsimin tërësor të statusit pronësor në dëm të pronarëve të ligjshëm privatë, komunitarë dhe kishtarë. Thirrja jonë i drejtohet së pari zotit Rama që të ndërpresë menjëherë këtë ndërmarrje që prek caqet e një ‘gjenocidi pronësor’ dhe së dyti komunitetit ndërkombëtar që të kthejë vështrimin dhe të shikojë se si trajtohet komuniteti historik i Himarës nga qeveria e një vendi kandidat të BE”, citohet më tej në deklaratën e PBDNJ.  Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut ka lëshuar akuza të forta dje kundër Koço Kokëdhimës dhe terrorin që ai po ushtron në qytetin e Himarës përmes IKMT, duke prishur objektet e bizneset e qytetarëve të ndershëm me qëllim ndërtimin e bizneseve të tij. PBDNJ Dega Himarë ka bërë të ditur se, në mënyrë të përsëritur, me veprime selektive nga ana e qeverisë, shkatërrohen objekte të ligjshme në Himarë, ku dora e ekzekutimit IKMT vepron në mënyrë të kundraligjshme, të cilat kanë vetëm një qëllim: të dëmtojnë në mënyrë të përsëritur dhe të pakorrigjueshme veprimtarinë ekonomike dhe demografinë të komunitetit helen në Himarë.

Artikulli paraprakRama kërkon borxh nga paratë e kujdesit shëndetësor të qytetarëve
Artikulli tjetërPadi në gjykatë për Veliajn