Pazari me rrugën e “Arbrit”, 18 milionë euro çdo vit për 13 vite rresht

 

Ministria për Infrastrukturën dhe Energjinë bëri me dije se është nënshkruar kontrata me kompaninë Gjoka Konstruksion për ndërtimin e rrugës së “Arbrit”. Kontrata ka në objekt përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës së “Arbrit”. Kontrata me kompaninë fituese të garës u firmos nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë z.Gentian Keri dhe Presidenti i kompanisë “Gjoka Konstruksion” z.Rrok Gjoka. Në përfundim të ceremonisë së firmosjes, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë z.Damian Gjiknuri deklaroi se, kontrata u përmbyll pas një procedure të gjatë konkurimi dhe negocimi investiv. “Jemi shumë të bindur që shoqëria, nga diskutimet dhe ato çka na prezantoi gjatë negociatave të kontratës i ka marrë të gjitha masat që brenda afateve të përcaktuara në kontratë, pra brenda këtij viti do të realizohet pjesa e financimit dhe fillimi i punimeve të rrugës. Është një nga veprat e rëndësishme, një lajm shumë i mirë për qytetarët shqiptarë, por mbi të gjitha për qytetarët dibranë, të cilët prej shumë vitesh e kanë pritur këtë rrugë”, u shpreh ministri Gjiknuri. Sipas tij, kemi të bëjmë me një të vështirë, një vepër të rëndësishme, por që do të jetë nga pikëpamja inxhinierike, një nga veprat më të realizuara në Shqipëri. “Është një vepër që do të kushtojë 240 milionë euro dhe në këtë kontratë ne kemi parashikuar që shteti do të marrë përsipër të likuidojë kontraktorin brenda një periudhe 13-vjeçare. Kontraktori do të marrë përsipër të ndërtojë rrugën në fillim me shpenzimet e tij dhe mirëmbajtjen e kësaj rruge gjatë gjithë periudhës së koncesionit”, theksoi Gjiknuri. Duke sqaruar se kjo është eksperienca e parë e firmosjes së një kontrate të tillë, ministri Gjiknuri sqaroi se do të vazhdohet edhe me projektet e tjera të mëtejshme të Partneritetit Publik-Privat. “Siç tashmë publiku është i njohur, kemi disa projekte, të cilat ne gjatë këtij viti do ti tenderojmë, do ti negociojmë, do ti kontraktojmë dhe jam i bindur që viti 2019, 2020, 2021 do jetë vite të kantiereve të mëdha të ndërtimit. Unë i uroj shumë suksese kompanisë dhe jam i bindur se do kemi një projekt të suksesshëm dhe sëbashku do shkojmë tek qytetarët dibranë për t’u dhënë lajmin e mirë”, nënvizoi Gjiknuri. Ndërkaq, Presidenti i “Gjoka Konstruksion” garantoi se kompania do të zbatojë me rigorizitet angazhimet e marra përsipër në këtë kontratë koncesioni. “Falënderoj qeverinë dhe ministrin për besimin. Më në fund duket që qeveria ka filluar të besojë tek kompanitë shqiptare. Premtoj që nuk do të zhgënjej, do ta realizojmë në cilësi dhe në afat”, u shpreh Gjoka. Por deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi, ka reaguar menjëherë pas nënshkrimit të kontratës për rrugën e “Arbrit” me kompaninë fituese të garës. Nisur nga fakti se kjo kontratë u firmos nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Gentian Keri, dhe jo nga ministri, deputetja demokrate përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” thotë se ky është mashtrimi i radhës. Sipas deputetes Çupi, “show i radhës u demonstrua me daljen para mediave të ministrit, por rrugë edhe këtë vit nuk ka për ta”. Ajo thotë se: Rruga do të fillojë në kohë fushate elektorale: “Dibranëve po u ofrohet çdo ditë fyerje, dhunë fasadë dhe propagandë.
Nuk është aspak e vështirë që çdo ditë shqiptarët të përballen me mashtrimin e radhës të kësaj qeverie. Natyrisht korrupsioni më i madh i kësaj qeverie janë koncesionet propagandistike.
Kjo u demonstrua sot kur dibranët kuptuan që as këtë vit nuk fillon rruga e shpresës së tyre që i afron më shumë me Tiranën. Sot show i radhës u demonstrua me daljen para mediave të ministrit, por rrugë edhe këtë vit nuk ka për ta. Ministri vetë nuk u pa të firmoste kontratë, gjë që fakton propagandën e radhës për firmosjen e kontratës prej 240 milionë euro nga administrata e Ministrisë. Ministri konfirmoi propagandën e kësaj qeverie, kur tha se akoma nuk janë siguruar fondet për këtë projekt jetik. Rruga do të fillojë në kohë fushate elektorale, në fakt siç bën çdo herë kjo qeveri. Por edhe për taksat që do paguajnë dibranët nuk u fol. Interesat e rrugës që do paguajnë shqiptarët janë futur në terr informativ. 240 milionë euro për 13 vite, që i bie 18 milionë euro në vit. Sikur vetëm nga buxheti i shtetit do të bëhej, dibranëve dhe shqiptarëve do t’u binte më lirë. Por buxhetin e taksapaguesve shqiptarë kjo qeveri nuk e ka për investime, por për oborrin e kryeministrit. Asnjëherë kjo qeveri nuk ka vepruar në përputhje me interesat e qytetarëve shqiptarë, aq më pak dibranëve që i ka zhutur thellë e më thellë në varfëri. Ndërsa zullumet brenda llojit në Bashkinë e Dibrës nuk kanë mbarim, tashmë del me shashka për të mbuluar diellin me shosh me projekte pa projekte”, u shpreh Çupi.

Artikulli paraprakRinovim nëse ka vend për përmirësim
Artikulli tjetërInter arrin marrëveshjen me Lautaro Martinez