Paralajmërimi i Fajon: Shqipëria në pikë kritike, në prag të heqjes së vizave

Eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon ka paralajmëruar qeverinë shqiptare të marrë masa konkrete për t’u siguruar shtetasve shqiptarë të ardhmen në vendin e tyre dhe të mos largohen për të kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian, siç ka ndodhur deri tani. Sipas Fajon, Shqipëria është tashmë në pikën kritike dhe nëse fluksi i azilkërkuesve vijon, disa shtete mund të rikthejnë mekanizmin e vizave për shtetasit shqiptarë. “Shqipëria është në pikën kritike, përsa i përket azilkërkuesve. Ne kemi tashmë mekanizmin e ndalimit të përkohshëm të lëvizjes së lirë pa viza. Në këtë mënyrë shtete të veçanta mund të rivendosin vizat, nëse shtetasit shqiptarë në mënyrë masive vijojnë të qëndrojnë në mënyrë ilegale në shtetet evropiane. Qeveria duhet menjëherë të marrë masa për të kuptuar shkaqet, sepse jam e sigurtë që qytetarët shqiptarë nuk dëshirojnë të rikthehen në situatën, kur do t’ju duhet të aplikojnë për vizë për të udhëtuar në Evropë. Mekanizmi i ndalimit të vizave ekziston ndaj njerëzve duhet t’u krijohen kushtet që të kenë një jetë normale në vendin e tyre dhe për të mos u limituar në lirinë e tyre të lëvizjes”. E pyetur nëse PE parashikon rikthim të vizave ajo tha: “Nëse numrat e azilkërkuesve shqiptarë vijojnë të rriten kam frikë se mund të ndërmerren masa të tilla për rivendosjen e regjimit të vizave”.

Artikulli paraprakPas denoncimit të PD, Altin Hazizaj përjashtohet nga shorti për KLGJ e KLP
Artikulli tjetërBizneset e nisin keq 2018, kërkesa për kredi parashikohet me rënie