Papunësia, Dhoma e Tregtisë: Shifrat alarmante, njerëzit po ikin

Kreu i Dhomës së Tregtisë në Vlorë ngre shqetësimin e anashkalimit të kompanive lokale të ndërtimit nga pjesëmarrja në tendera për vepra publike. Arben Breshani thotë se si pasojë përveç numrit të lartë të të papunëve, kjo gjë ka sjellë “lëngime” të firmave të ndërtimit, si edhe largime masive të qytetarëve drejt vendeve të BE. Sipas tij, mosangazhimi i firmave vlonjate ka sjellë 2000 të papunë, ndërkohë që investimi në 15 vepra publike në qytet shkon në 60 mln euro. “Ne kemi shumë punëtorë të sektorit të ndërtimit që po largohen drejt Gjermanisë dhe kjo do të ketë pasoja në të ardhmen. Duhet që të fuqizohen shumë firmat e rajonit”, tha Breshani. Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë shpjegon se anashkalimi i firmave vlonjate është si në nivel qendror edhe lokal. Bashkia e Vlorës pohon se për çdo projekt përzgjedhja e kompanive ka qenë në respektim të kritereve ligjore dhe firmat lokale të ndërtimit kanë pasur mungesë dokumentacioni.

Kriza ekonomike detyron shqiptarët të lënë vendin

Kriza ekonomike po rikthen emigracionin në Qarkun e Gjirokastrës që përfshin edhe Tepelenën dhe Përmetin. Popullsia po zvogëlohet sërish në Jug të Shqipërisë duke thelluar braktisjen e mjaft zonave rurale dhe për rrjedhojë shtimin e tokave të papunuara dhe thellimin e varfërisë. Zëvendësimi i ekonomive të vogla me plantacionet e marijuanës i ka dhënë një goditje të fortë sidomos sektorit bujqësor dhe atij blegtoral. Ndërkohë sektori i ndërtimit është frenuar plotësisht pas disa viteve kur ndërtimi i apartamenteve krijoi një gjendje “stoku” sidomos në qytetin e Gjirokastrës. Raporti më i fundit i Institutit të Statistikave në Shqipëri flet për rënien më të madhe të popullsisë në nivel kombëtar në këtë qark për periudhën 2011-2015. Ndërsa në vitin 2011 Qarku i Gjirokastrës numëronte 76.563 banorë, në vitin 2012 kjo shifër shkoi në 74.168 banorë dhe në vitin 2015 në 71.257 banorë. Sipas të dhënave zyrtare qarku numëronte në vitin 1990 rreth 159.000 banorë, ndërsa në vitin 2003 rreth 166.000 banorë. Instituti i Statistikave parashikon vijimin e kësaj rënie edhe në vitet që do të vijnë. “Rënia më e shpejtë e popullsisë pritet të ndodhë në Qarqet e Kukësit dhe Dibrës në veri të vendit dhe në Qarkun e Gjirokastrës në jug. Në këto qarqe popullsia pritet të zvogëlohet me rreth 30% deri në vitin 2031”, thuhet në raportin e INSTAT. Largimi i popullsisë po pasyron edhe një rënie të dendësisë së banorëve. Kështu Qarku i Gjirokastrës së bashku me Qarkun e Kukësit në verilindje shënojnë edhe dendësinë më të ulët në territorin e Shqipërisë, rreth 25 banorë për km2, në vitin 2015.

Kriza më e madhe në sektorin e ndërtimit

Të dhënat e lejeve të ndërtimit të dhëna nga Bashkitë e Gjirokastrës, Përmetit dhe Tepelenës flasin për një frenim të ndërtimeve në Qarkun e Gjirokastrës. Kështu sipas INSTAT përgjatë pesë viteve janë dhënë vetëm 78 leje për ndërtime të reja nga të cilat 68 në vitin 2011 dhe më pas ky numër ka ardhur duke u reduktuar ndjeshëm me nga 3 leje dhe një leje ndërtimi në vit. Ndonëse në këto rajone nuk kanë munguar ndërtimet informale të dhënat e INSTAT dëshmojnë se edhe për këtë periudhë ka vijuar procesi i shkeljeve të ligjit dhe ndërtimet pa kriter. Në numrin e lejeve për ndërtime të reja pjesën më të madhe e zënë ato për banesa (56) ku vetëm në vitin 2011 u miratuan 49 leje, ndërsa në vitet e tjera ndërtimi banesave të reja u frenua gati plotësisht. Gjirokastra njeh një “stok” ndërtimesh që përllogaritet mbi 1.000 apartamente të pashitura, të cilat e kanë futur këtë sektor në krizë edhe për vitet e ardhshme. Sipas analistëve të ekonomisë frenimi i dërgimit të kursimeve të emigrantëve, rënia e biznesit dhe thellimi i papunësisë ulën në rajon ofertën për blerjen e apartamenteve të reja. Edhe ato pak shitje vijnë nga të ardhurat informale dhe kryesisht nga kultivimi dhe shitja e marijuanës,vërejnë analistët e ekonomisë.

Artikulli paraprakTatimet e Fierit, terror ndaj bizensmenëve të opozitës
Artikulli tjetërEkonomia informale, qytetarët, me çmimet më të larta në rajon