Paloka: “Rama i përdor të huajt kur i duhen” 

Nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka iu është bashkuar reagimeve në lidhje me ligjin e ri për mediat, të ashtuquajtur paketën ‘Anti-shpifje’, ndërsa nuk ka kursyer akuzat për kryeministrin Edi Rama.

Përmes një postimi, Paloka thekson se Rama përdor të huajt atëherë kur i duhen, ndërsa bën veshin e shurdhër sipas tij, kur nuk i pëlqen qëndrimet e tyre.

“Rama po vërteton së fundmi dhe një fakt (që une e kam deklaruar kohë më parë); ai i përdor “të huajt” atëherë kur i duhen apo kur i shkojnë pas fijes, por i bën veshët shurdh kur qëndrimet e tyre nuk i pëlqejnë.

Kështu, i njëjti që ka për borxh të të përmendi dhe deklarata të përkthyesve të Ambasadave kur i leverdis, as nuk i dëgjon e as nuk reagon ndaj qëndrimeve të institucioneve qendrore ndërkombëtare.

Këtë po bën Rama dhe me ligjin për censurimin e mediave që kërkon me patjetër t’a kalojë nesër në atë palo Parlament, megjithëse janë me dhjetra organizatat ndërkombëtare që e kanë kundërshtuar përfshi dhe OSBE apo Komisionin Evropian.

Po mbase Rama nuk i konsideron të mirëqëna deklarimet dhe qëndrimet nga qendrat e këtyre organizmave ndërkombëtare, nëse nuk reagojnë përfaqësitë e tyre diplomatike në Tiranë…!”, shkruan Paloka.

Artikulli paraprakVula në dokumentin e ndërtimit të hotelit ku humbën jetën 3 persona nga tërmeti ishte origjinale
Artikulli tjetërMedia ose pushteti i katër dhe i fundit që Edi Rama kërkon ta ketë totalisht nën sqetull