Paditet kryebashkiakja, përdori bazën materiale të Ujësjellësit në fushatë

Një shkelje tjetër është konstatuar dje nga institucionet publike në Gjirokastër. Në tubimin elektoral të LSI në Sheshin “Çerçiz Topulli”, janë përdorur asetet dhe baza materiale e Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve në Gjirokastër. Në bazë të urdhërit Nr. 65 të Kryeministrit dhe të Këshillit të Ministrave dt. 12 maj 2017, penalizohen institucionet që vendosin në përdorim të subjekteve elektorale në fushatën zgjedhore, bazën materiale.
Sipas këtij urdhëri, ndalohet përdorimi i mjeteve, fondeve e materialeve të ndryshme pronë e administratës publike, si dhe burimeve njerëzore të institucioneve të administratës publike të çdo niveli, për zgjedhjet e 18 qershorit (ndryshuar më 25 qershor në bazë të marrëveshjes mes PS dhe PD).
Nga fotot që përcjell Jugunews.net duket prezenca e gjeneratorit të madh pronë e Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve Bashkia Gjirokastër, si dhe punonjësve të saj, të cilët ishin në gatishmëri për çdo rast.
Nisur nga kjo, kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami, ka shkelur haptazi urdhërin e Këshillit të Ministrave, ndërkohë që Jugunews.net i bën thirrje Task-Forcës së ngritur me këtë rast më datën 2 qershor me vendim të Këshillit të Ministrave, të veprojë duke penalizuar përgjegjësit.
Ndërkohë, LSI dhe Vangjel Tavo po braktisen nga mbështetësit. Tavo ka marrë një goditje të rëndë në Zhulat, ku dy vjet më parë, votuesit e këtij fshati, si rrallë ndonjëherë në historinë e 26 viteve pluralizëm politik, votuan me shumicë, kandidaten e LSI për kryetare Bashkie, Zamira Rami.
Mirëpo dje Tavo, nuk e ka besuar as vetë se nuk ka më vota në zonën e Cepos. Ai e pa me sytë e tij, teksa kishte planifikuar një tubim të madh elektoral dhe u ngushëllua me katër barinj që gjendeshin rastësisht në një klub në qendër të fshatit.
Barinjtë në fakt, ishin për hesap të tyre se i kishte zënë vapa dhe po pinin një gotë dhallë, ndërsa Tavo, u ka dhënë dorën dhe sapo ka parë në sytë e tyre reagimin përbuzës ndaj tij, është larguar i helmuar nga zhgënjimi.

Juristi i Hipotekës në tubimin e LSI

Një tjetër skandal nga radhët e LSI në Gjirokastër. Angazhimi i punonjësve të administratës në tubimet e LSI është fakt i pamohueshëm dhe rasti më i fundit, është prezenca në të, e juristit të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Gjirokastër, Bexhet Baxhella.
Jugunews.net shkruan se, juristi është pjesë e forumeve drejtuese të LSI dhe prezenca e tij në fushatë elektorale, e penalizon atë deri në heqje nga puna. Në një tubim elektoral të mbajtur tre ditë më parë në lagjen “Punëtori” ku asistonte vetë kandidati për deputet Vangjel Tavo, një i ri, ishte duke filmuar me smartfonin e tij rastësisht nga dritarja e një lokali.
Në këtë moment, ka ndërhyrë Bexhet Baxhella juristi i Hipotekës së Gjirokastrës dhe nuk e ka lejuar të filmojë. Veprimi i Baxhellas, nxitet pasi i riu rastësor, kishte rrokur pamje me smartfonin e tij edhe të vetë juristit në tubimin elektoral, ku nuk i lejohet në mënyrë kategorike.
Ka qenë kjo arsyeja e ndërhyrjes së Baxhellas ndaj të riut.

Artikulli paraprakStatusi i minatorit do përfitohet në qeverinë Basha
Artikulli tjetërKapen me 23 kg kokainë në Itali dy shqiptarë