OSHEE dështon me arkëtimet e energjisë dhe borxheve

Operatori i shpërndarjes njoftoi se arkëtimet totale të energjisë ranë me 18 për qind ose afro 3.7 miliardë lekë në tremujorin e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave që OSHEE ka raportuar në Ministrinë e Financave, rezulton se për periudhën janar-mars 2016, kompania ka arkëtuar rreth 16.2 miliardë lekë nga 19.8 miliardë lekë që ishte shuma në tremujorin e parë të 2015-ës. Të dhënat tregojnë se rënia e arkëtimeve ka ardhur nga ulja e mbledhjes së faturave të prapambetura, ndërsa arkëtimet korrente rezultojnë me rritje. Vitin e kaluar OSHEE aplikoi një sërë skemash nxitëse për familjarët dhe bizneset që të paguanin detyrimet e prapambetura shumëvjeçare duke falur një pjesë të gjobave. Si rezultat në tremujorin e parë të vitit të kaluar, OSHEE arkëtoi 7.1 miliardë lekë nga faturat më të vjetra se tre muaj. Por në tremujorin e parë të këtij viti, shifra e arkëtimeve nga faturat me vjetërsi mbi 3 muaj ishte vetëm 1.7 miliardë lekë. Rënia e arkëtimeve të borxhit është një sinjal shqetësues, i cili paralajmëron për limitet e suksesit të shumëtrumbetuar nga qeveria të reformës në energji. Vitin e kaluar edhe pse arkëtoi mbi 12 miliardë lekë ose 100 milionë dollarë nga faturat e prapambetura, sërish stoku i borxhit u rrit. Sipas të dhënave nga Enti Rregullator borxhet e OSHEE vazhduan të rriteshin edhe gjatë 2015-ës me mbi 1 miliard lekë ose 10 milionë dollarë. Më konkretisht, sipas vetë raportit të Entit Rregullator, gjatë vitit 2015 OSHEE faturoi në total 61.78 miliardë lekë energji elektrike, por arriti të arkëtojë, bashkë edhe me faturat e prapambetura të viteve të tjera, vetëm 60.7 miliardë lekë.

Në rrezik objektivi i humbjeve

Sipas programit të nënshkruar me Bankën Botërore është vendosur që humbjet e energjisë të ulen me 5 për qind çdo vit derisa të arrijnë në treguesin e tyre natyral rreth nivelit 5 për qind. Në dy vitet e kaluara ky objektiv u arrit pasi sipas të dhënave të OSHEE, humbjet e energjisë për vitin 2014 dhe atë 2015 u ulën respektivisht me 7.2 për qind dhe 6.5 për qind. Por në tremujorin e parë të këtij viti, ulja e humbjeve është ngadalësuar ndjeshëm. Sipas të dhënave krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2013, humbjet totale të energjisë kanë rënë me vetëm 2.5 për qind ose 2 herë më pak nga objektivi vjetor. Më konkretisht sipas Ministrisë së Financave, treguesi i humbjeve ra nga 33.9 për qind që ishte në tremujorin e parë të vitit të kaluar në 31.4 në tremujorin e parë të këtij viti. Pavarësisht suksesit të forttrumbetuar nga qeveria të reformës energjetike, të dhënat tregojnë se viti me treguesit më të mirë të sistemit energjetik mbetet ai 2009, ku humbjet ishin 30.38 për qind. Ngadalësimi i dukshëm i uljes së humbjeve, por edhe ai i mbledhjes së borxheve të prapambetura tregon se një pjesë e mirë e suksesit që propagandon qeveria është në fakt rezultat i rritjes së fortë të çmimeve të energjisë mbi familjarët dhe biznesin, ndërsa menaxhimi i kompanisë vazhdon të mbetet problematik dhe i përfolur për nivel të lartë korrupsioni.

Detyrimet e OSHEE ndaj shtetit

Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) i detyrohet buxhetit të shtetit rreth 657,7 milionë lekë ose 5.2 milionë dollarë si dividend i paderdhur. Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë një auditi të bërë në OST ka gjetur se për periudhën 2011-2014 kompania nuk i ka paguar pronarit, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dividendin në vlerën 657,724,013 lekë. KLSH ka kërkuar që në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë të hartohet një skedul i qartë dhe me afate për të shlyer vlerën e mbartur si detyrim për mos pagesë dividendi që prej vitit 2011. KLSH vëren se në fund të periudhës 2014 rezulton se, detyrimet e OSHEE ndaj OST SHA janë në vlerën 8,336,147,430 lekë, vlerë e cila përbëhet nga detyrime për fatura të papaguara nga viti 2011-2015, disbalanca e energjisë, kolaudim matësish, pagesë pune për shërbime DTL Tiranë, matësa elektrik për NJOF dhe kosto lokale për nënstacionin e Kalimashit (trajtuar më hollësisht në faqet 66 të Raportit të Auditimit). KLSH i ka rekomanduar Këshillit të Mbikëqyrës, Administratori i shoqërisë dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, të marrin masat e nevojshme administrative deri edhe gjyqësore për të arkëtuar shumën e detyrimit të OSHEE sha prej 8,336,147,430 mijë lekë, rezultuar në fund të vitit 2015, të cilat cenojnë ecurinë e veprimtarisë së OST.

Artikulli paraprak7 ndryshimet!
Artikulli tjetërProdhimi i naftës në pikiatë, Bankers raporton ulje me 8.2 për qind