Opozita nuk duhet të ketë asnjë pendesë për strategjinë e ndjekur prej saj

Nga Red VARAKU

Ka një brengosje dhe një frymë revolte, e cila haset rëndom në shumë biseda, analiza dhe komente në lidhje me qasjen dhe qëndrimin, që po mban opozita shqiptare. Kjo brengosje vjen, si pasojë vendimit të opozitës, për të pasur një qasje paqësore, ndaj zgjidhjes së situatës.

Për këtë ka shumë demokratë, që nisur nga dëshira e mirë, e gjykojnë keq aksionin opozitar për strategjinë dhe qasjen paqësore, që opozita përzgjodhi, sidomos pas përgjimeve, ku u zbulua mekanizmi pervers i vjedhjes së zgjedhjeve dhe ku të gjithë e pamë se si elita kryesore e PS parakalonte duke vjedhur zgjedhjet.

Ashtu, siç ka edhe disa të tjerë, mercenarë të veshur me petkun e opozitarit, që ‘sulmojnë’ autorin e kësaj strategjie, Lulzim Bashën duke i bërë një shërbim të çmuar Edi Ramës, për ‘pagesën’ e të cilëve , Rama kujdeset personalisht.

Ndërkohë, që të parët e meritojnë një shpjegim, me të dytët është e panevojshme të diskutohet. Ata meritojnë vetëm përbuzje dhe neveri, sepse janë kthyer në qen sulmi dhe mercenarë të Edi Ramës, të cilët ai po i përdor për të realizuar ëndrrën e tij të madhe, kapjen e opozitës.

Shqetësimi i të parëve duhet mirëkuptuar, sepse ka në thelb shqetësimin e sinqertë ,që ndajmë të gjithë ne, për ndaljen më çdo kusht të degradimit të demokracisë, revanshit të ‘bijve të bllokut’ dhe rilindjes së diktaturës.

Ndaj, do të përpiqem të sqaroj se pse një qasje e dhunshme e opozitës do të ishte një qasje e gabuar dhe pse qasja paqësore e opozitës është qasja e duhur.

Së pari, një qasje e dhunshme mund të sillte PD në pushtet, por ajo do të vinte me një bilanc shumë të rëndë për shqiptarët dhe do të sillte pasoja shumë të rënda për vendin. Pra, ilaçi për ‘sëmundjen’ do të kishte qenë shumë herë më i rëndë se vetë kura. Ndaj, në vend të viktimave, Opozita zgjodhi të sakrifikonte mandatet e saj dhe të bojkotojë zgjedhjet lokale, duke i krijuar, jo pak disavantazhe vetes.

Kjo është një premisë e rëndësishme për të gjykuar në mënyrë korrekte strategjinë e ndjekur nga Lulzim Basha. Ndryshe nga Rama, që sakrifikoi dhe shiti katër viktima për të ardhur në pushtet, Lulzim Basha ka refuzuar të vijë pushtet me gjakun e viktimave dhe për këtë për këtë fakt, ai jo vetëm nuk duhet qortuar, por meriton mirënjohje.

Së dyti, ishte pikërisht kjo qasje paqësore, që e ndërgjegjësoi Bashkimin Europian se beteja e Opozitës, nuk është një betejë për pushtet, por është një betejë për të rikthyer vlerat perëndimore në vend.

Kjo qasje e detyroi BE, që nëpërmjet 15 kushteve për hapjen e negociatave, t’i kërkojë Edi Ramës të largohet nëpërmjet një kodi zgjedhor, që mundëson zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Së treti, kjo qasje paqësore bëri të mundur një mbështetje të jashtëzakonshme të Partive Popullore Europiane, e cila si në asnjë rast tjetër në histori, nxorri një rezolutë të jashtëzakonshme në mbështetje të kauzave opozitare dhe nominalisht Lulzim Bashës.

Pra, nëpërmjet kësaj qasjeje, sot një ndër faktorët më të rëndësishëm dhe përcaktues te pushtetit në Shqipëri, faktori ndërkombëtar është shprehur qartë në lidhje me zgjidhjen e krizës në vend.

Ndaj, është e nevojshme që të gjithë duhet ta kuptojnë që opozita nuk është qeveri dhe ajo nuk mban përgjegjësi për dështimet e qeverisë.

Natyrisht ajo ka detyrën e saj dhe është në krye të detyrës, jo vetëm duke denoncuar me forcë korrupsionin dhe përpjekjet e kësaj qeverie për të asgjësuar demokracinë, por duke dhënë edhe zgjidhje dhe alternativa.

Ajo është në krye të detyrës me të gjithë forcën që i jep e drejta, për të mos lejuar të përsëritet më kurrë ajo që ndodhi me zgjedhjet dhe që sot nuk është më vetëm një bindje e opozitës, po edhe e faktorit ndërkombëtar.

Opozita nuk duhet të ketë asnjë pendesë për qasjen e saj paqësore dhe për respektimin e ligjit, që ajo vendosi të ndjekë deri në fund, për mosnxitjen e dhunës, kur të gjithë ne e pamë qartë që ‘zullumqarët’ e veshur me pushtet grabitën dhunshëm ditën ne diell vullnetin e popullit shqiptar.

Rruga që ajo zgjodhi, nëpërmjet protestave dhe dy akteve më të forta të historisë politike të Shqipërisë, djegjes së mandateve dhe bojkotit të zgjedhjeve, ishte padyshim rruga e duhur për t’i hequr maskën këtij regjimi , brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Kursi ri politik i Opozitës, i mbështetur dhe nga faktori ndërkombëtar, për një reformë zgjedhore, për shtimin e rrugëve e të intensitetit të komunikimit me qytetarët për hallet e mëdha të vendit, të nevojës për t’u dhënë shqiptarëve një alternativë të qartë qeverisëse, jo vetëm që nuk tregon dobësi, por dëshmon pikërisht të kundërtën, shkallën e lartë të përgjegjësisë, që po tregon Opozita dhe përgjegjësia nuk është atribut i dobësisë, por i fuqisë dhe pjekurisë politike që dëshmon që ajo është gati për të qeverisur vendin.

Artikulli paraprakTabaku i përgjigjet Ramës: Qeveria gënjen, janë alokuar vetëm 20% e vlerës së projektit për rindërtimet në 2020
Artikulli tjetër“Bizneset dhe vendet e punës po mbyllen”, Bardhi: Ramavirusi po falimenton shqiptarët