Opozita braktis Konferencën e Kryetarëve

Deputetët e Partisë Demokratike dhe LSI-së kanë braktisur dje mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku do të diskutohej për projektbuxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2018. Deputetët e opozitës thanë se qeveria Rama është e lidhur me krimin, ka rënë moralisht, ndaj ata nuk mund të jenë pjesë e mbledhjes. Deputeti Edmond Spaho deklaroi: “Ne si opozitë nuk mund të sillemi sikur jemi në kushte normale. Gjendja në vend është e rëndë. Si rrjedhojë e ngjarjeve të fundit është vërtetuar lidhja e kësaj mazhorance me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Për opozitën kjo qeveri moralisht ka rënë. Puna më e mirë që mund të bëjë është të japë dorëheqjen, t’i hapë rrugën një qeverie antimafie, si dhe të krijojë kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jo vetëm ka rënë moralisht, por nuk është edhe një qeveri legjitime sepse është një mazhorancë e ardhur nga zgjedhje të blera. Për rrjedhojë ne nuk mund të bëhemi pjesë e kësaj fasade dhe nuk do të marrin pjesë në Konferencën e Kryetarëve për shqyrtimin e projektbuxhetit 2018”. Nga ana e saj LSI përmes Petrit Vasilit deklaroi: “Në mënyrë normale të gjitha ligjet e tjera kanë rëndësinë e tyre, po fytyrën e qeverisjes, interesimin e saj për qytetarët, merakun e saj për të treguar se cilat janë orientimet e politikave kur këto politika janë të vërteta sigurisht këtë e sintetizon pikërisht ky ligj. Në mënyrë normale dhe në mënyrë korrekte opozita nuk mund të vazhdonte të ishte pjesë në këtë shqyrtim përveç arsyeve politike madhore të një shteti, i cili është tërësisht i kapur me një konfirmim mbarë kombëtar, por dhe ndërkombëtar tashmë. Për arsye të bërjes njësh të qeverisë me trafikun e drogës dhe gjithë trafiqet e tjera. Por dhe për arsyen themelore që kjo qeveri dhe ky kryeministër nuk kanë asgjë të bëjnë me interesat dhe merakun e qytetarëve. Dikush nga kolegët e Rilindjes, sigurisht një i komanduar nga telekomanda e ndërtesës përballë foli dhe për bojkot të opozitës. Sigurisht nuk i kam parë kurrë më parë më qesharakë kolegët e Rilindjes se kaq dhe kanë folur për bojkot. Dhe po ju jap tashti publikisht se kush bojkoton. Ne sigurisht kemi një bojkotues të papërgjegjshëm, sigurisht që i ka interesat e shqiptarëve në fund, sigurisht trafiku i drogës ato ndiqen me merak se ato kanë rëndësi të funksionojnë, se ato kanë miliarda kurse buxheti i shtetit s’ka asnjë rëndësi për ta. Ja dokumenti kryesor që kryeministri firmos në një vend. Dhe këtë dokument kryeministri i vendit as ka begenisur ta firmosë. Kush mund ta ndjekë me kamerat tuaja e shikon që edhe ky dokument më i rëndësishmi i politikës qeveritare, i demonstrimit të politikave qeveritare s’është firmosur nga Edi Rama. Ky është bojkotues i madh. Ne nuk jemi këtu që të akomodojmë papërgjegjshmërinë, por edhe neverinë që ka kryeministri për popullin e tij”.

Artikulli paraprakKatër qarqet që u varfëruan më 2016, kryeson Gjirokastra
Artikulli tjetërOSBE kërkon zgjidhjen e shitblerjes së votës përmes reformës zgjedhore