OECD-EUROPOL: Shqipëria, portë kryesore për ilaçet e falsifikuara

3 vende të tjera  njëlloj si Shqipëria, shërbejnë si porta kyçe për produktet farmaceutike të BE që prodhohen kryesisht në Azi...

Jo vetëm trafik droge, armësh e krim i organizuar, por Shqipëria së fundmi rezulton në listën e vendeve të EUROPOL për kontrabandën e ilaçeve të falsifikuara. Shqetësimet e ngritura prej vitesh nga opozita mbi futjen e medikamenteve të falsifikuara në Shqipëri dhe futjen e tyre në tregun vendas përveç trafikut në vendet e Europës tashmë vërtetohen edhe nga organet zyrtare të Bashkimit Europian. Një studimi i fundit i Zyrës së Pronësisë Intelektuale të Bashkimit Evropian, OECD dhe EUROPOL e kanë cilësuar Shqipërinë si një ndër portat kryesore hyrëse të ilaçeve dhe pajisjeve të tjera mjekësore.
Egjipti, Maroku dhe Ukraina, janë 3 vendet e tjera që njëlloj si Shqipëria, shërbejnë si porta kyçe për produktet farmaceutike të BE-së që prodhohen kryesisht në Azi. Po ky raport, e vendosi Shqipërinë në vendin e shtatë në listën me 10 vendet kryesore që shërbejnë si burim i ilaçeve farmaceutike të falsifikuara.
Por, ilaçet e falsifikuara dhe ilegale vazhdojnë të mbeten një problem global. Kështu, në vitin 2008, tetë vende kanë nënshkruar një marrëveshje për një propozim të udhëhequr nga Interpoli, Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ky propozim kishte qëllim të frenonte tregun e paligjshëm të ilaçeve dhe mjeteve të tjera mjekësore.
Kjo iniciativë u quajt ‘Operacioni Pangea.” Në bastisjen e fundit që u bë, morën pjesë 197 policë, shërbime doganore dhe agjenci shëndetësore nga 123 shtete. U arrit një rekord me shifra të habitshme: më shumë se 400 të burgosur, 3 584 faqe interneti të mbyllura dhe më shumë se 3000 reklama ilaçesh ilegale të hequra. Përveç kësaj, ilaçet u konfiskuan për 43 milionë euro.
Një fitore e vogël mbi një biznes që qarkullon miliarda euro çdo vit. Një raport i Pfizer në vitin 2014 pohoi se, qytetarët në 14 vende evropiane kishin shpenzuar rreth 11.8 miliardë dollarë për blerjen e ilaçeve në burime të paligjshme.
Përveç kërcënimit të shëndetit publik, sepse ato mund të përmbajnë përbërës të rremë, ndikimi i tyre ekonomik është shumë i madh. Zyra e Pronësisë Intelektuale e Bashkimit Evropian vlerësoi në raportin e saj të fundit se, shitjet e paligjshme dhe falsifikimet nënkuptojnë humbje vjetore prej 1.170 milionë euro vetëm në Spanjë.
Luis González Diez, president i Kolegjit të Farmacistëve të Madridit thekson kontrollin që ekziston në Spanjë në këtë treg, se në zona të tjera si Azi apo Afrikë, ky fenomen arrin dimensione të habitshme.
“Operaconi Pangea” zbuloi se nga lentet e kontaktit të rreme që gjendeshin në Jordani, shkaktoheshin sëmundje serioze të syrit. Këto janë vetëm një ‘monstër’ e gjithë asaj që lëvizin këto rrjete. Disa biznese sipas raportit të fundit nga Zyra e Pronësisë Intelektuale të Bashkimit Evropian dhe Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, disa biznese kanë qendrat e tyre të shpërndarjes që përfshijnë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Singaporin.

Makinacionet me pullat e ilaçeve

E gjithë shëndetësia është dhënë me koncesion. I fundit, koncesioni i pullave të ilaçeve, i cili ka marrë përmasat e një skandali të rëndë korruptiv, teksa qeveria shqiptare po bën biznes me një kompani të përfshirë në afera të mëdha korrupsioni në disa shtete të botës. “RD” zbardhi dokumentet që faktojnë se SICPA është dënuar për korrupsion dhe kërcënim të sigurisë kombëtare në Brazil dhe Kenia, ku ka paguar dhjetëra miliona dollarë ryshfete tek qeveritarët për të fituar koncesionin e pullave fiskale. Skandali shpërtheu në 1 korrik të vitit 2015, kur policia braziliane mësyu në zyrat e kompanisë zvicerane. Sipas agjencisë prestigjioze “Reuters”, SICPA kishte paguar 32.6 milionë dollarë ryshfete për zyrtarët e Ministrisë së Financave të Brazilit, për të fituar koncesionin e pullave fiskale të birrës dhe pijeve alkoolike.
Pas hetimit, Marcelo Fisch, njëri prej zyrtarëve të lartë të Ministrisë braziliane të Financave, që kishte përfituar ryshfet u dënua me burg, ndërsa kontrata e koncesionit me SICPO u prish. Por Brazili nuk është rasti i vetëm, ku kompania zviceriane është përfshirë në korrupsion. Në Kenia, ku kompania ka marrë menaxhimin e gjurmimit të mallrave të akcizës, ajo është akuzuar për kërcënim të sigurisë kombëtare dhe vjedhje në shuma të mëdha.

Mungesa e ilaçeve në spitale

Mungesa e barnave në spitale shpesh herë ka shkaktuar pakënaqësi tek pacientët, të cilët detyrohen që t’i blejnë ato. Por, pavarësisht buxheteve të alokuara për barnat, përsëri ka mungesa, të cilat vijnë si rezultat i dy faktorëve kryesorë. Sipas një raporti të realizuar nga shoqata “Together for Life” për “Planifikimin dhe menaxhimin e buxheteve spitalore për të plotësuar nevojat e pacientëve për mjekim të përshtatshëm”, janë planifikimi i buxhetit para se të planifikohet lista e nevojave, mungesa e përditësimit të protokolleve si dhe planifikimi për barna në bazë të historikut. Sigurimi i barnave për spitalet bëhet në bazë të prokurimit të përqendruar që realizohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale në masën e 60% të totalit të shpenzimeve për këtë zë. Si dhe në masën e 40% prokurimet realizohen nga vetë institucionet, spitalet.

Artikulli paraprakBanka Botërore: Qeverisja, Shqipëria përkeqësohet në krahasim me vitin 2015
Artikulli tjetërÇfarë u paralajmërua në Parlament?