OBT: Shqipëria në grupin e vendeve me ekonomi të ulët

Organizata Botërore e Tregtisë ka publikuar një raport mjaft të zgjeruar ku jep profilin tregtar të 190 ekonomive të ndryshme të botës, mes të cilave edhe Shqipëria. Ky dokument është një ndër më të rëndësishmit në këtë sektor, dhe shërben si guidë për tregtarët dhe investitorët. Praktikisht kjo është kartolina e Shqipërisë për tregtinë. Raporti i profilit të tregtisë 2017, flet me detaje, për thuajse çdo sektor të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, që ka lidhje të drejtpërdrejtë me tregtinë, si dhe jep një renditje. Sa i përket tregtisë, në drejtim të eksporteve, Shqipëria mban vendin e 131-të në botë. Sa i përket importeve, atë të 126-të. Së i përket shërbimeve tregtare, Shqipëria renditet në vendin e 99-të dhe 114-të respektivisht. Kjo tregon se, infrastruktura shqiptare është në favor të eksporteve, dhe jo të importeve. Duke qenë se së fundmi, zona e përbashkët ekonomike mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor është një refren i zakonshëm, krahasimi mes vendeve të rajonit, brenda këtij raporti është mjaft i rëndësishëm. Bosnje-Hercegovina është bindshëm më mirë se ne në tre nga katër indikatorët. Mali i Zi është më keq se Shqipëria, thotë Organizata Botërore e tregtisë, në të katër indikatorët. Serbia është më mirë se Shqipëria në të katër indikatorët kryesorë, me një diferencë të ndjeshme. Maqedonia ndërkohë është më mirë se Shqipëria vetëm për import-eksport, ndërkohë që mbetet mbrapa sa i përket shërbimeve tregtare. Kosova ndërkohë, që është një ndër 6 vendet e zonës së përbashkët ekonomike, nuk merret në analizë nga organizata.

Artikulli paraprakDollari arrin nivelin më të ulët të vitit
Artikulli tjetërEUROSTAT i BE nuk i beson të dhënave të INSTAT, e përjashton si institucion