Objektivat e Juventusit

Objektivat e Juventusit kushtojnë 213 milionë euro. Drejtuesit e klubit bardhezi si kurrë më parë që nga koha kur në krye të presidencës erdhi Andrea Agnelli, janë të vendosur për të realizuar transferime të rëndësishme në radhët e skuadrës gjatë merkatos së verës. Ndërhyrje pritet të ketë në të gjitha repartet, nga porta në mbrojtje, nga mesfusha në sulm. Si pasues i kapitenit Gianluiggi Buffon preferohet Wojciech Szczesny, vlera e kartoni të polakut është 16 milionë euro. Mattia de Sciglio, mbrojtësi i skuadrës së Milanit është një kërkesë e hershme e teknikut Masimiliano Allegri.
Për 24-vjeçarin, Juventusi ofron 12 milionë euro. Steven N’Zonzi duket se shumë shpejt do të vishet bardhezi, për të kampionët e Italisë do të paguajnë 40 milionë euro. Mesfushori i Romës, Leandro Paredes, talenti 22-vjeçar, për të drejtuesit e klubit verdhekuq kërkojnë 25 milionë euro. Douglas Costa emri që ofron shpejtësi dhe siguri në krahët e sulmit. Transferimi i brazilianit vlen 45 milionë euro, Juventusi deri më tani ka ofruar 30. Patrik Schick, konsiderohet si një ndër talentet e së ardhmes në repartin e avancuar. Çeku gjithashtu pritet që shumë shpejt të transferohet tek bardhezinjtë. Nga kjo marrëveshje Sampdoria do të përfitojë 25 milionë euro.
Nga kjo listë e gjatë dëshirash, të arritshme ose jo, ai që do t’i kushtojë më shumë “Zonjës së Vjetër” nëse arrin akordin është Federicho Bernadeschi. Në ndjekje të 23-vjeçarit janë disa klube të mëdha europiane. Kartoni i sulmuesit të Fiorentinës kushton 50 milionë euro. Financat e Juventusit vitet e fundit janë fuqizuar dhe transferimi i disa prej këtyre emrave për ta përforcuar akoma edhe më shumë skuadrën nuk është i pamundur.

Artikulli paraprakSheshi Skënderbej, miliona euro për çfarë?
Artikulli tjetërBuffon: Më 2018 tërhiqem, por…