Objektivat e Barçës

Blerja e një qëndërmbrojtësi do të jetë objektivi parësor i Barcelonës në merkaton e ardhshme, madje mediat që qëndrojnë pranë skuadrës blaugrana aludojnë se mund të jenë dy lojtarët që mund të afrohen në këtë repart. Për të përforcuar mbrojtjen, drejtuesit e Barcës e kanë hedhur vështrimin nga Paris Saint Germain, klub tek i cili kanë piketuar dy futbollistë si afrime të mundshme për skuadrën e tyre. Bëhet fjalë për dy lojtarët brazilianë Thiago Silva dhe Marquinhos. Zgjedhja e parë është pikërisht ish-kapiteni i Selacaos, i cili sipas gazetës katalanase “El Mundo Deportivo” e shikon me sy të mirë transferimin në “Camp Nou”. Thiago Silva ka fituar gjithçka në Francë me Paris Saint Germain dhe për të fituar edhe në Europë dëshiron të kalojë te Barcelona. Në 2012-ën i ndjeri Tito Vilanova kërkoi ta bënte pjesë të Barcës futbollistin, por në atë periudhë Thiago Silva preferoi paratë e shumta që i ofroi Parisi. Gjithsesi tashmë në moshën 31-vjeçare ish-mbrojtësi i Milanit është lodhur, duke fituar kampionatin, Kupën e Ligës dhe Kupën e Francës me skuadrën pariziene dhe kërkon një eksperiencë të re.
Thiago Silva ka një kontratë deri në vitin 2018 me klubin francez dhe për ta lënë të lirë drejtuesit e Paris Saint Germain duan të përfitojnë rreth 30 milionë euro. Por nga kampionët e Francës, Barca kërkon edhe brazilianin tjetër Marquinhos. Sipas “Sport.es” ish-lojtari i Romës pëlqehet shumë nga drejtuesit blaugrana, por në këtë operacion merkatoje gjithçka do të varet nga dëshira e Paris Saint Germain për t’u privuar ose jo nga shërbimet e Marquinhos-it. Është e sigurtë që në verë te Barcelona do të ketë një revolucion në repartin e mbrojtjes, sepse plot 6 lojtarë të prapavijës pritet të largohen. Kështu Dani Alves, Thomas  Vermaleen, Marc Bartra, Aleix Vidal, Adriano dhe Douglas me shumë mundësi do t’i japin lamtumirën skuadrës blaugrana për t’u bërë vend prurjeve të reja. Të sigurtë qëndrimin e kanë vetëm Pique, Mascherano, Jordi Alba dhe deri diku Jeremy Mathieu.
Futbollisti i Villarealit, Eric Bailly, është një nga emrat më të rëndësishëm që Barcelona e ka në konsideratë për përforcimin e mbrojtjes, aty ku skuadra blaugrana nuk po gjen qetësi që pas tërheqjes nga futbolli të Carles Pyol. 22-vjeçari po rezulton lojtari “kyç” në prapavijën e nëndetëses së verdhë, pavarësisht moshës së tij të re. Ka zhvilluar në total 33 ndeshje gjatë këtij sezoni, 24 vetëm në Primera Division edhe pse gjatë muajit shkurt qëndroi në infermieri për shkak të një dëmtimi.
Sekretari teknik i Barcës, Robert Fernandez, ka udhëtuar disa herë drejt Villarealit, për të vëzhguar nga afër Denis suarezin, por duket se në të njëjtën kohë është interesuar dhe për Bailly, një lojtar i ri në moshë dhe polivalent, pasi mund të luajë në çdo pozicion në mbrojtje.

Artikulli paraprakMilan, e ardhmja e Brocchi në dyshim
Artikulli tjetërEksportet e fasonit nën presion, bie importi i lëndëve të para