Nuk thirret Shkëlzen Gashi

“Jam shumë krenar që jam pjesë e këtij kombi. Do të jem shumë i lumtur nëse fitojmë me Italinë edhe pse jam italian. Kam ardhur këtu për të punuar seriozisht duke e bërë me zemër dhe ne kemi arritur të bëjmë diçka të jashtëzakonshme. Jam ndjerë shqiptar në kuptimin më të vërtetë të kësaj fjale”. Kjo është fjalia që mbylli konferencën për shtyp të trajnerit Gianni de Biasi, i cili prezantoi listën me emrat e grumbulluar dhe analizoi sfidën delikate në Palermo kundër Italisë.
Trajneri i kombëtares shqiptare e pranoi se sfida ndaj Italisë do të jetë shumë e vështirë, ndërsa shtoi se lojtarët e grumbulluar nuk kanë asnjë problem fizik dhe kjo është arsyeja që janë thirrur prej tij. “Pas Europianit pësuam dy disfata të menjëhershme me Spanjën dhe Izraelin, por përkushtimi nuk mungon. Për fatin tonë të keq, Italia po përjeton një moment shumë të mirë teknikisht, gjithsesi unë dua ta shikoj ekipin të luajë një ndeshje të mirë. Të luash kundër Italisë do të thotë të japësh maksimumin e mundshëm”.
Edhe pse situata në klasifikim nuk jep shumë shpresë, De Biasi nuk dorëzohet, ai kërkon që skuadra të luftojë deri në fund. “Objektivi jonë është vendi i dytë pasi i pari është shumë i vështirë për t’u arritur. Ndaj Italisë duhet të evitojmë gabimet që bëmë me Spanjën. Do të shikoj gjendjen e lojtarëve dhe më pas do të vëmë në zbatim planin”.
Ndërkohë, lista e kombëtares shqiptare për dy ndeshjet ndaj Italisë dhe Bosnje-Hercegovinës tashmë është zyrtare dhe risia më e madhe është grumbullimi për herë të parë i mbrojtësit të Kukësit, Albi Alla. Një tjetër lojtar i Kategorisë Superiore që rikthehet në kombëtare është edhe mesfushori i Skënderbeut, Liridon Latifi, ndërsa bie në sy mungesa e Shkëlzen Gashit që vazhdon të mos jetë në preferencat e De Biasit dhe trajneri nuk preferoi të përgjigjej gjatë në lidhje me këtë temë, duke theksuar se është një zgjedhje e tij.
Sokol Cikalleshi rikthehet në kombëtare, ndërsa emergjenca më e madhe është në fazën mbrojtëse me dy mungesa të rëndësishme si Gjimshiti dhe Mavraj. Një tjetër emër që ngjall interes është edhe mesfushori i kroatëve të NK Lokomotiva, Eros Grezda, i cili po kalon një moment shumë pozitiv. Në këtë repart janë përfshirë gjithashtu edhe emrat e përdorur nga De Biasi gjatë muajve të fundit si Basha, Kukeli, Abrashi, Lila, Memushaj, Xhaka, Hyka dhe Roshi. Në sulm janë thirrur Balaj, Cikalleshi, Llullaku e Sadiku, ndërsa në mbrojtje bashkë me debutuesin Alla janë të gatshëm edhe Agolli, Ajeti, Aliji, Hysaj e Veseli. Në listën e portierëve, Orges Shehi rikthehet pasi Etrit Berisha është i pezulluar, ndërsa bashkë me gardianin e Skënderbeut është edhe ai i Partizanit, Alban Hoxha dhe ai i Lazios, Tomas Strakosha. Në konferencën e shtypit, De Biasi u ndal gjithashtu edhe te zërat e së ardhmes së tij, duke qartësuar se do të respektojë deri në fund kontratën që ka me Federatën shqiptare të Futbollit.
“Të luash ndaj Italisë është diçka motivuese për të gjithë ne sepse luajmë ndaj 4 herë kampionëve të botës. Do ta kemi edhe më të vështirë për faktin se lojtarët e tyre janë në një gjendje mjaft të mirë, luajnë rregullisht dhe shënojnë rregullisht. Sa i përket pjesës së emocioneve, është një ndeshje si gjithë të tjerat dhe nuk ka asgjë ndryshe nga përballja me Francën, Spanjën apo ndonjë kundërshtar tjetër. Gashi është një prej tyre që unë nuk e zgjedh në këto momente për të qenë pjesë e skuadrës”, u shpreh De Biasi.

Artikulli paraprakKompanitë e energjisë fitojnë miliarda, çmimi për qytetarët nuk ulet, paratë ikin në tendera
Artikulli tjetërEksperti gjerman: Kanabisi në Shqipëri, biznes miliardash