Nuk ka shpëtim jashtë monedhës së përbashkët!

Extra euro nulla salus. Zgjedhjet në Francë, me fitoren e Emmanuel Macronit dhe humbjen e Marine le Penit, kanë kufizuar një perimetër tashmë të pakalueshëm për perspektivat e vendeve të tjera europiane, si dhe lëvizjeve respektive kundër sistemit: nuk ka shpëtim politik (dhe ekonomik) jashtë monedhës së përbashkët. Shumë zgjedhës votuan Macronin për projektin e tij reformues, por pjesa më e madhe e elektoratit e zgjodhi nga frika e kërcimit drejt të panjohurës, jashtë nga eurozona, që propozonte Marine le Peni.
Vetë udhëheqësja e Frontit Nacional u vetëdijësua për këtë bindje të thellë dhe të përhapur në ditët e fundit të fushatës së saj elektorale dhe nxitoi që të rregullojë diçka duke propozuar jo një dalje të menjëhershme nga monedha e përbashkët, por një negociatë me Evropën, për t’u kryer bashkë me forcat e tjera sovraniste që do të afirmoheshin, në të ardhmen, edhe në Itali. Tashmë, edhe kjo mundësi e largët ka perënduar.
Fitorja e Macronit jo vetëm ka demonstruar se hipoteza e një dalje të njëanshme nga euro refuzohet prej elektoratit, por edhe ka mbyllur përfundimisht hapësirën politike, e cila edhe kështu ishte e ngushtë, për hipotezën e “planeve BE”, si për shembull “Euro me dy shpejtësi”, divorcin konsensual mes “Euros së Veriut dhe Euros së Jugut”, apo daljen “nga lart” të Gjermanisë. Mbi të gjitha, falë zëvendësimit institucional të Bankës Qendrore Europiane dhe falë ndërhyrjeve të Mario Draghit, asnjë prej këtyre rrugëve nuk është e përshkueshme politikisht, në fund të ciklit të gjatë elektoral që nisi me Greqinë në vitin 2015 dhe që do të përmbyllet me Italinë më 2018.
Përveç Italisë, të cilës i duhet ende të shkojë në zgjedhje, në asnjë vend tjetër europian anëtarësimi në euro nuk është temë në qendër të debatit politik. (bota.al)
Në Greqi, Tsiprasi pas një fillimi me trazira, është shndërruar në një nxënës të disiplinuar të udhëzimeve që i ka dhënë Trojka; në Spanjë, me një rritje ekonomike prej 3 për qind, euro nuk ka qenë asnjëherë në diskutim; në Portugali koalicioni i majtë, pas viteve të vështirë të memorandumit, po zbaton politika kundër shtrëngimit, por gjithmonë në marrëveshje me Brukselin, në vendet e veriut të Europës, si Austria dhe Holanda, forcat europeiste kanë fituar mbi të djathtat sovraniste; në Francë fitoi europeisti Macron dhe në Gjermani nuk pritet të ketë tronditje të mëdha politike me zgjedhjet e shtatorit: qoftë nëse fiton Merkeli, ashtu si pritet, qoftë nëse fiton socialisti Martin Schulz.
Mbetet Italia, ku tërësia e partive “Jo euro!” – si M5S, Lega dhe FdI – e kalon 40 për qindëshin. Por si është parë në takimet e tjera elektorale dhe në zgjedhjet e fundit në Francë, era e euroexit, që fryu velat e partive sovraniste në këto vite krize dhe pakënaqësie, transformohet në puhizë sa më pranë i afrohesh zgjedhjeve dhe “planet” e daljes shfaqen konfuze dhe të rrezikshme.
Italia mbërrin në zgjedhje me një kuadër ndërkombëtar të mirëpërcaktuar dhe përballë një alternative të qartë: nga njëra anë dalja e njëanshme dhe e izoluar, nga ana tjetër një rrugëtim reformash në brendësi të eurozonës. Nëse zgjedhja e parë i ngjan një vetëvrasjeje, tjetra bart një rrugë reformash vendimtare për të rritur produktivitetin dhe mbajtur nën kontroll deficitin dhe borxhin. Nëse jashtë euros nuk ka shpëtim, brenda saj nuk ka garanci për një vend në Parajsë. Duhet të kalosh pak edhe nga Purgatori.

Artikulli paraprakÇfarë ndodhi në takimin Trump-Lavrov?
Artikulli tjetërUashingtoni nën presion për marrëveshjen për klimën