Nuk ka marrëveshje për Himarën, banorët: Tokën do e mbrojmë me gjak

Banorët e Himarës janë hedhur në protestë sërish ditën e djeshme për pronat e tyre, të cilat do të preken nga plani urbanistik. Qindra banorë kanë pritur me revoltë ministrat Damjan Gjiknuri dhe Mirela Kumbaro, të cilët kanë shkuar për të zhvilluar një takim me ta. Emrat e banorëve pjesëmarrës në këtë takim janë të përcaktuar në një listë, dhe askush që nuk preket nga ky projekt nuk do të jetë i pranishëm. Shmangia nga dëgjesa publike i ka revoltuar banorët, të cilët kanë kërkuar të jenë prezentë. Si pasojë e revoltës së banorëve në vendin e takimit kanë shkuar forca të shumta policie.
Takimi i dy ministrave të Ramës me përfaqësinë e banorëve ka nisur me vonesë për shkak të tensionit të krijuar nga forcat e policisë dhe banorëve. Nën masa të rrepta sigurie, dy ministrat e qeverisë dhe banorët e Himarës qëndruan për orë të tëra në takim, por nuk kanë arritur të bien dakord. Por as dëgjesa e dytë me banorët e Himarës për planin urbanistik nuk u finalizua me një marrëveshje.
Ministri Gjiknuri pas takimit tha se, qeveria do të çojë përpara projektin dhe se do të dëmshpërblehen banorët në bazë të ligjeve shqiptare. Por banorët vetë e kundërshtuan atë, duke thënë se duan të gjithë të pajisen me çertifikatë pronësie. Ndërsa banorët janë shprehur të revoltuar se do t’i mbrojnë me gjak pronat e tyre. “Nuk do lemë asnjë të vazhdojë rrugën, do derdhim gjak atje. Atje do të rrimë ditë e natë. Nuk do lejojmë asnjë, nuk e duam projektin”, u shpreh një nga banorët.
“Objektet janë përfshirë të gjitha në skemën e shpronësimit. Nga ana tjetër, ka persona që kanë pretendimin lidhur me trojet ku kalon projekti. Ne kemi marrë angazhimin për të sjellë një grup që do të bëjë matjet e duhura, identifikimin dhe për të ndihmuar që këta njerëz të marrin çertifikatat, kur i takojnë në përputhje me ligjin. Qeveria është e vendosur që projekti të vazhdojë, por të gjithë banorët do të kompensohen sipas ligjit”, u shpreh ministri Gjiknuri.
Por banorët e zonës kanë kundërshtuar me forcë, duke deklaruar se nuk janë dëmshpërblyer. “Mua në 500 metra nuk më ka mbetur 1 metër, m’i ka marrë për rrugë, m’i ka marrë për çdo gjë dhe nuk jam shpronësuar”, u shpreh një banor. “Ne kërkuam diçka, që të na njohin si pronarë”, tha një banor tjetër i Himarës.
“Konstatuam dy gjëra që asnjë nga banorët nuk ishte dakord me projektin dhe të gjithë duan çertifikatat e pronësisë. Të gjithë banorët që folën dhe që preken nga projekti janë himariotë autoktonë, janë me kombësi dhe shtetësi greke, pikërisht këtu ndodh edhe diskriminimi etnik dhe fetar”, u shpreh përfaqësuesi i OMONIA-s. Projekti i planit urbanistik përfshin 22 banesa që duhet të prishen, por banorët e kanë kundërshtuar me tensione gjatë punimeve.

Artikulli paraprakManjani, dëshmitar në gjyqin për ish-drejtorin e Burgjeve
Artikulli tjetërLirohet anëtari i bandës së Lul Berishës që u pajis me armë nga Çako