“Nuk donim të privoheshim nga Sadiku”

Pavarësisht interesimit të shumë klubeve europiane, në fund të merkatos Armando Sadiku vendosi të qëndronte te Zyrihu, që këtë sezon luan në Challenge League, kategorinë e dytë zvicerane. Që pas rikthimit te skuadra që zotëron kartonin e tij, Armando Sadiku, e ka nisur në mënyrën më të mirë këtë aventurë të dytë  me Zyrihun, duke realizuar 4 gola në 7 ndeshjet e para të kampionatit. Gjatë verës u fol shumë se presidenti i klubit zviceran, Ancillo Canepa, për ta lënë të lirë bomberin e kombëtares shqiptare, kërkonte plot 9 milionë euro, por ky i fundit në një intervistë për gazetën zvicerane “Blick” ka zbuluar çdo të vërtetë në lidhje me Sadikun, duke mohuar aludimet e mediave.
“Ne nuk dëshironim që Sadiku të largohej. Ka patur interesim nga klube të tjera për të, por jo oferta konkrete. Zyrihu ka kërkuar 9 milionë euro për kartonin e Sadikut? Mesa di unë një shifër e tillë nga ana e klubit tonë nuk është pëmendur asnjëherë, deklaroi numri 1 i Zyrihut. Më tej Canepa vlerësoi Sadikun, duke e cilësuar 25-vjeçarin shqiptar një profesionist të vërtetë. “Duhet të shikonit sesi e festoi golin e fundit që realizoi me Zyrihun. Ai është një profesionist i shkëlqyer dhe stërvitet gjithmonë mirë, duke shënuar rregullisht, dëshira e tij për të luajtur jashtë Zvicrës është e kuptueshme, shtoi më tej presidenti i Zyrihut. Gallatasaray, Rizespori dhe Sampdoria ishin disa nga klubet që u interesuan për Armando Sadikun, i cili përveç se në kategorinë e dytë zvicerane këtë sezon do të jetë i impenjuar edhe në fazën e grupeve te Europa League me Zyrihun.
Ndërkohë, formacioni më i mirë i javës së 7 të Super Ligës së Zvicrës, i publikuar nga “Blick”, nuk mund të mos kishte pjesë të tij dy futbollistë me origjinë shqiptare, që shkëlqyen këtë fundjavë në fushën e lojës. Megjithatë, këta nuk janë nga futbollistët me origjinë shqiptare që veshin fanellën e kombëtares kuqezi.
Bëhet fjalë për mesfushorin e Lozanës, Benjamin Kololli, i cili ishte një nga të grumbulluarit në listën e parë historike të Kosovës për debutimin ndaj Finlandës, dhe për sulmuesin e Luganos, Ezgjan Alioski, i cili shënoi golin e vetëm të Maqedonisë në “Loro Boriçi” përballë kombëtares shqiptare. Kololli shënoi 2 gola në ekstremet e ndeshjes që Lozana fitoi 5-0 ndaj Vaduzit në shtëpi. Ai gjeti rrjetën e parë dhe të fundit të takimit, në minutën e parë dhe në minutën e dytë të shtesës.
Ndërkohë Alioski shënoi golin e parë të Luganos në fitoren 0-2 në transfertën e St. Gallen. Ai gjeti rrjetën në minutën e 6 të takimit. Ndërkohë, futbollistët shqiptarë të kombëtares kuqezi që luajnë në Zvicër, Xhaka i Bazelit dhe Hyka i Lucernës, nuk u paraqitën në nivelet për të arritur një vend në formacionin e javës.

Artikulli paraprakPSG e vështirë, por luajmë për 3 pikë
Artikulli tjetërAnçeloti: Fundi i një cikli te Milani